Si ta shpëtojmë demokracinë nga teknologjia

Postuar në 01 Dhjetor, 2020 04:03
Francis Fukuyama/Barak Richman/Ashish Goel

 

 

Midis shumë transformimeve që po ndodhin në ekonominë amerikane, asnjë nuk bie më shumë në sy sesa rritja e platformave gjigante të internetit. Amazon, Apple, Facebook, Google dhe Twitter, tashmë të fuqishëm para pandemisë COVID-19, janë bërë edhe më të fuqishme gjatë saj, pasi një pjesë e mirë e jetës së përditshme është zhvendosur në internet. Sado të na vijë përshtat teknologjia e tyre, ngritja e këtyre koorporatave mbizotëruese duhet të jetë këmbanë alarmi - jo vetëm sepse ato kanë kaq shumë fuqi ekonomike, por edhe sepse kanë aq shumë kontroll mbi komunikimin politik. Këto “krijesa të përbindshme” tani dominojnë shpërndarjen e informacionit dhe koordinimin e mobilizimit politik. Një gjë e tillë përbën kërcënim unik për demokracitë funksionale.

Ndërsa BE-ja ka kërkuar të zbatojë ligjet antitrust kundër këtyre platformave, Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë më të buta në përgjigjen e tyre. Por kjo ka filluar të ndryshojë. Gjatë dy viteve të kaluara, Komisioni Federal i Tregtisë dhe një koalicion i prokurorëve kanë filluar hetime për abuzime të mundshme të monopolit të këtyre platformave dhe në tetor, Departamenti i Drejtësisë ngriti një padi antitrusti kundër Google. Kritikët e Big Tech tani janë si mes demokratëve që kanë frikë nga manipulimi nga ekstremistët vendas dhe të huaj, ashtu edhe në radhët e republikanëve që mendojnë se platformat e mëdha janë të njëanshme kundër konservatorëve. Ndërkohë, një lëvizje intelektuale në rritje, e udhëhequr nga një grup studiuesish juridikë me ndikim, po përpiqet të riinterpretojë ligjin antitrust për t'u përballur me dominimin e platformave.

Megjithëse konsensusi në lidhje me kërcënimin që kompanitë Big Tech paraqesin ndaj demokracisë është në rritje, pak bien dakord mbi atë se cila duhet të jetë përgjigjja. Disa kanë argumentuar se qeveria duhet të ndajë Facebook dhe Google. Të tjerë kanë bërë thirrje për rregullore më të rrepta për të kufizuar shfrytëzimin e të dhënave nga këto kompani. Në mungesë të një optike të qartë, shumë kritikë nuk ia kanë dalë të ushtrojnë presion për vetërregullim duke inkurajuar heqjen e përmbajtjeve të rrezikshme dhe të bëjnë një punë më të mirë për të kuruar materialin e bartur në faqet e tyre. Por pak e pranojnë se dëmet politike që përfaqësojnë platformat janë më serioze sesa ato ekonomike. Disa të tjerë, të paktë në numër, kanë marrë në konsideratë një mënyrë praktike: t’u heqin platformave rolin si gardiane të përmbajtjes. Kjo qasje do të thoshte që një grup i ri ndërmarrjesh konkurruese të "softuerëve të mesëm" t'u jepnin mundësi përdoruesve të zgjedhin se si u paraqitet informacioni. Dhe ka të ngjarë të jetë më efektive sesa një përpjekje donkishoteske për t’i shpërbërë këto kompani.

Pushteti i platformave

Ligji bashkëkohor amerikan i antitrustit i ka rrënjët në vitet 1970, me fuqizimin e rolit të ekonomistëve të tregut të lirë dhe studiuesve të ligjit. Robert Bork, i cili ishte avokat i shtetit(solicitor general) në mes të viteve ‘70, argumentoi se ligji antitrust duhet të kishte një dhe vetëm një qëllim: maksimizimin e mirëqenies së konsumatorit. Arsyeja pse disa kompani po rriteshin kaq shumë, argumentoi ai, ishte se ato ishin më efikase se konkurrentët e tyre, dhe kështu që çdo përpjekje për t’i frenuar këto firma thjesht po i ndëshkonte ato për suksesin e tyre. Ky kamp studiuesish u ndikua nga qasja “laissez-faire” e të ashtuquajturës shkollë ekonomike e Çikagos, e udhëhequr nga laureatët e Nobelit, Milton Friedman, dhe George Stigler, i cili e shikonte rregullimin ekonomik me skepticizëm. Shkolla e Çikagos argumentonte se nëse ligji antitrust duhet të strukturohet për të maksimizuar mirëqenien ekonomike, atëherë ai duhet të jetë shumë i përmbajtur. Sipas çdo standardi, kjo shkollë e mendimit ishte një sukses befasues, që ka ndikuar në gjeneratat e gjyqtarëve dhe avokatëve dhe ka arritur të dominojë në Gjykatën e Lartë. Departamenti i Drejtësisë i administratës Reagan përqafoi dhe kodifikoi shumë parime të shkollës së Çikagos dhe politika antitrust e ShBA-ve ka ndjekur një qasje kryesisht të butë që nga ajo kohë.

Pas dekadave dominimi të shkollës së Çikagos, ekonomistët kanë pasur mundësi të mjaftueshme për të vlerësuar efektet e kësaj qasjeje. Ajo që ata kanë gjetur është se ekonomia e SHBA është rritur në mënyrë të vazhdueshme më e përqendruar përreth një bordi - linjat ajrore, kompanitë farmaceutike, spitalet, mediat dhe, natyrisht, kompanitë e teknologjisë - dhe konsumatorët kanë paguar pasojat. Shumë, të tillë si Thomas Philippon, i lidhin në mënyrë të qartë çmimet më të larta në Shtetet e Bashkuara, krahasuar me ato në Evropë, me zbatimin joadekuat të antitrustit.

Tani, një "shkollë post-Çikago", e cila është në ngritje, argumenton se ligji antitrust duhet të zbatohet më me forcë. Zbatimi i antitrustit është i domosdoshëm, besojnë ata, sepse tregjet e parregulluara nuk mund të ndalojnë ngritjen dhe ngulitjen e monopoleve antikonkurruese. Mangësitë e qasjes së shkollës së Çikagos ndaj antitrustit kanë çuar gjithashtu në "shkollën neo Brandeisiane" të antitrustit. Ky grup studiuesish juridikë argumenton se Akti Sherman, statuti i hershëm federal i antitrustit të vendit, kishte për qëllim të mbronte jo vetëm vlerat ekonomike por edhe ato politike, të tilla si fjala e lirë dhe barazia ekonomike. Meqenëse platformat dixhitale kanë si fuqinë ekonomike, por dhe kontrollojnë pengesat e komunikimit, këto kompani janë bërë objektiv i natyrshëm për këtë kamp.

Është e vërtetë që tregjet dixhitale shfaqin disa tipare që i dallojnë nga ato konvencionale. Për një gjë, “monedha” e këtij areali janë të dhënat. Sapo një kompani e tillë si Amazon ose Google të ketë grumbulluar të dhëna për qindra miliona përdorues, ajo mund të zhvendoset në tregje krejtësisht të reja dhe të mposhtë firmat tradicionale që nuk kanë njohuri të ngjashme. Për një gjë tjetër, kompani të tilla përfitojnë shumë nga të ashtuquajturat efekte të rrjetit. Sa më i madh të bëhet rrjeti, aq më i dobishëm bëhet për përdoruesit e tij, gjë që krijon një feedback reagimesh pozitive që e bën një kompani të vetme të mbizotërojë në treg. Ndryshe nga firmat tradicionale, kompanitë në hapësirën dixhitale nuk konkurrojnë për pjesën e tyre të tregut; ata konkurrojnë për vetë tregun. Ata që bëjnë lëvizjen e parë mund konsolidohen dhe ta bëjnë të pamundur konkurrencën e mëtejshme. Ata mund t’i “gëlltisin” rivalët e mundshëm, siç bëri Facebook duke blerë Instagram-in dhe WhatsApp-in.

Por ka ende paqartësi nëse kompanitë e mëdha dhe të shtrira të teknologjisë ulin mirëqenien e konsumatorit. Ato ofrojnë një mori të produkteve dixhitale, të tilla si kërkimet, postat elektronike dhe llogaritë në rrjetet sociale, dhe konsumatorët duket se i vlerësojnë shumë këto produkte, edhe pse paguajnë çmimin duke hequr dorë nga privatësia e tyre dhe duke u dhënë reklamuesve mundësinë t'i përdorin ato. Për më tepër, pothuajse çdo abuzim për të cilin akuzohen këto platforma mund të mbrohet si ekonomikisht i efektshëm. Amazon, për shembull, ka mbyllur dyqanet e shitjes me pakicë dhe ka kaluar edhe shitësit e zakonshëm. Por kompania në të njëjtën kohë po ofron një shërbim që shumë konsumatorë e konsiderojnë të paçmuar në këtë situatë pandemie. Sa i përket pretendimit se platformat blejnë kompanitë start-up për të parandaluar konkurrencën, është e vështirë të dihet nëse një kompani e re do të ishte bërë një tjetër Apple ose Google dhe do të kishte mbetur e pavarur, ose nëse do të kishte dështuar pa injektim kapitali dhe pa ekspertizën e menaxhimit që ka marrë nga pronarët e saj të rinj. Megjithëse konsumatorët mund të kishin qenë më mirë nëse Instagram do të kishte qëndruar i ndarë dhe të ishte bërë një alternativë e vlefshme për Facebook, do të ishte më keq nëse Instagrami do të dështonte plotësisht.

Monopolistët e informacionit

Që nga viti 2016, amerikanët janë ndërgjegjësuar lidhur me fuqinë e kompanive të teknologjisë për të formësuar informacionin. Këto platforma i kanë lejuar mashtruesit të gjenerojnë lajme të rreme dhe ekstremistët për të nxitur teoritë e konspiracionit. Ata kanë krijuar "flluska në filtra", një mjedis në të cilin, për shkak të mënyrës së funksionimit të algoritmeve, përdoruesit janë të ekspozuar vetëm ndaj informacionit që konfirmon besimet e tyre ekzistuese. Dhe ata mund të amplifikojnë ose mbysin zëra të veçantë, duke pasur kështu një ndikim shqetësues në debatin politik demokratik. Frika përfundimtare është se platformat kanë grumbulluar aq shumë fuqi sa mund të ndikojnë në zgjedhje, me ose pa dashje.

Kritikët u janë përgjigjur këtyre shqetësimeve duke kërkuar që platformat të marrin përgjegjësi më të madhe për përmbajtjen që transmetojnë. Ata i kanë bërë thirrje Twitter-it të pengojë ose kontrollojë postimet e Presidentit Donald Trump. Ata kanë kritikuar Facebook-un se deklaroi që nuk do të moderonte përmbajtjen politike. Shumë do të dëshironin që platformat e internetit të silleshin si kompani mediatike: të kuronin përmbajtjen e tyre politike dhe t’u kërkonin llogari zyrtarëve publikë.

Por t’i vësh nën presion platformat e mëdha për ta kryer atë funksion - dhe të shpresosh se ato do ta bëjnë duke i shërbyer interesit publik - nuk është zgjidhje afatgjatë. Kjo qasje anashkalon problemin e fuqisë së tyre themelore dhe çdo zgjidhje e vërtetë duhet ta kufizojë atë fuqi. Sot, janë kryesisht konservatorët ata që ankohen për paragjykimet politike të platformave të internetit. Ata supozojnë, me një farë justifikimi, se njerëzit që drejtojnë platformat e sotme - Jeff Bezos nga Amazon, Mark Zuckerbergu i Facebook, Sundar Pichai i Google dhe Jack Dorsey i Twitter-it - priren të jenë shoqërisht progresivë, edhe pse ata nxiten kryesisht nga interesi vetjak tregtar.

Ky supozim mund të mos qëndrojë në planin afatgjatë. Le të supozojmë se një nga këta gjigantë merret nën kontroll nga një miliarder konservator. Kontrolli i Rupert Murdoch mbi Fox News dhe The Wall Street Journal tashmë i jep atij ndikim të gjerë politik, por të paktën efektet e këtij kontrolli janë të qarta: ju e dini kur po lexoni një editorial të Wall Street Journal ose po shihni Fox News. Por nëse Murdoch do të kontrollonte Facebook ose Google, ai mund të ndryshonte në mënyrë të hollësishme algoritmet e kërkimit për të formësuar atë që përdoruesit shohin dhe lexojnë, duke ndikuar potencialisht në pikëpamjet e tyre politike pa vetëdijen ose pëlqimin e tyre. Dhe dominimi i platformave e bën të vështirë për t'i shpëtuar ndikimit të tyre. Nëse jeni liberal, thjesht mund të shikoni MSNBC në vend të Fox; nën një Facebook të kontrolluar nga Murdoch, ju mund të mos keni zgjedhje të ngjashme nëse doni të shpërndani lajme ose të koordinoni aktivitetin politik me miqtë tuaj.

Merrni parasysh gjithashtu që platformat - Amazon, Facebook dhe Google, në veçanti - posedojnë informacione në lidhje me jetën e individëve që monopolistët e mëparshëm nuk e kanë pasur kurrë. Ata e dinë kush janë miqtë dhe familja e tyre, dinë për të ardhurat dhe pasuritë e njerëzve dhe shumë nga detajet më intime të jetës së tyre. Po sikur ekzekutivi i një platforme me qëllime korruptive të shfrytëzonte informacione të turpshme për të detyruar vendimet e një zyrtari publik? Përndryshe, imagjinoni keqpërdorimin e informacionit privat në lidhje me kompetencat e qeverisë - të themi, Facebook të bëhet bashkë me një Departament të politizuar të Drejtësisë.

Fuqia e përqendruar ekonomike dhe politike e platformave dixhitale është si një armë e mbushur e vendosur në një tryezë. Për momentin, njerëzit që ulen në anën tjetër të tryezës ka të ngjarë të mos marrin armën dhe të tërheqin këmbëzën. Sidoqoftë, pyetja për demokracinë amerikane është nëse është e sigurt të lihet arma atje, ku një person tjetër me qëllime më të këqija mund të vijë dhe ta marrë. Asnjë demokraci liberale nuk është e kënaqur t'u besojë pushtet të përqendruar politik individëve bazuar në supozime për qëllimet e tyre të mira. Kjo është arsyeja pse Shtetet e Bashkuara vendosin kontrolle dhe ekuilibra mbi atë fuqi.

Goditja

Metoda më e qartë për ta kontrolluar atë fuqi është rregullorja e qeverisë. Kjo është qasja e ndjekur në Evropë, me Gjermaninë, për shembull, duke miratuar një ligj që penalizon përhapjen e lajmeve të rreme. Megjithëse rregullimi mund të jetë ende i mundur në disa demokraci me një shkallë të lartë të konsensusi shoqëror, nuk ka gjasa të funksionojë në një vend po aq të polarizuar sa Shtetet e Bashkuara. Në kohën e lulëzimit të transmetimeve televizive, doktrina e Komisionit Federal të Komunikimeve kërkonte që rrjetet të mbanin mbulim "të ekuilibruar" të çështjeve politike. Republikanët e sulmuan pa pushim doktrinën, duke pretenduar se rrjetet ishin të njëanshme kundër konservatorëve dhe Komisioni Federal i Komunikimeve e shfuqizoi atë në 1987. Kështu që imagjinoni një rregullator publik që përpiqet të vendosë nëse do të bllokojë sot një postim presidencial në Twitter. Cilido qoftë vendimi, ai do të ishte gjerësisht i diskutueshëm.

Një qasje tjetër për të kontrolluar fuqinë e platformave të internetit është promovimi i një konkurrence më të madhe. Nëse do të kishte shumëllojshmëri platformash, asnjëra nuk do të kishte dominimin që kanë Facebook dhe Google sot. Problemi, megjithatë, është se as Shtetet e Bashkuara dhe as BE nuk mund të ndajnë Facebook-un ose Google-in në mënyrën se si u ndanë Standard Oil dhe AT&T. Kompanitë e sotme të teknologjisë do t'i rezistonin një përpjekjeje të tillë, dhe edhe nëse përfundimisht do të humbnin, procesi i ndarjes së tyre do të kërkonte vite, në mos dekada, për të përfunduar. Ndoshta më e rëndësishmja, nuk është e qartë që prishja e Facebook, për shembull, do të zgjidhte problemin themelor. Ekziston një shans shumë i mirë që një foshnjë e krijuar nga një ndarje e tillë e shpejtë të rritet shpejt për të zëvendësuar prindin. Edhe AT&T rifitoi dominimin e saj pasi u shkatërrua në vitet 1980. Shkallëzimi i shpejtë i mediave sociale do ta bënte këtë edhe më shpejt.

Në funksion të perspektivës së zbehtë të një ndarjeje, shumë vëzhgues janë drejtuar te "transportueshmëria e të dhënave" për të futur konkurrencën në tregun e platformave. Ashtu si qeveria kërkon që kompanitë e telefonit t’i lejojnë përdoruesit të bartin numrat e tyre të telefonit kur ata ndryshojnë rrjete, ajo mund të urdhërojë që përdoruesit të kenë të drejtë të marrin të dhënat që i kanë dorëzuar nga një platformë në tjetrën. Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR), ligji i fuqishëm i BE-së për privatësinë që hyri në fuqi në 2018, e ka miratuar këtë qasje, duke mandatuar një format të standardizuar, të lexueshëm nga kompjuterat, për transferimin e të dhënave personale.

Megjithatë, transportueshmëria e të dhënave përballet me një numër pengesash. Kryesor midis tyre është vështirësia për të lëvizur shumë lloje të të dhënave. Megjithëse është mjaft e lehtë për të transferuar disa të dhëna themelore - të tilla si emri, adresa, informacioni i kartës së kreditit dhe adresa e postës elektronike - do të ishte shumë më e vështirë të transferosh të gjitha ato që njihen si metadata të një përdoruesi. Metadata përfshin pëlqime, klikime, porosi, kërkime, etj. Janë pikërisht këto lloj të dhënash që janë të vlefshme për reklamuesit. Jo vetëm që pronësia e këtij informacioni është e paqartë; vetë informacioni është gjithashtu heterogjen dhe specifik për platformën. P.sh. si mund të transferohej saktësisht një rekord i kërkimeve të dikurshme në Google në një platformë të re si Facebook?

Një metodë alternative e frenimit të fuqisë së platformave mbështetet në ligjin e privatësisë. Sipas kësaj qasjeje, rregulloret do të kufizonin shkallën në të cilën një kompani teknologjike mund të përdorte të dhënat e konsumatorit të gjeneruara në një sektor për të përmirësuar pozicionin e saj në një tjetër, duke mbrojtur si privatësinë, ashtu edhe konkurrencën. GDPR, për shembull, kërkon që të dhënat e konsumatorit të përdoren vetëm për qëllimin për të cilin informacioni u mor fillimisht, përveç nëse konsumatori jep leje për më shumë. Rregulla të tilla janë krijuar për të adresuar një nga burimet më të fuqishme të energjisë së platformës: sa më shumë të dhëna të ketë një platformë, aq më lehtë është të gjenerosh më shumë të ardhura dhe madje edhe më shumë të dhëna.

Por mbështetja te ligji i privatësisë për të parandaluar hyrjen e platformave të mëdha në tregje të reja sjell problemet e veta. Ashtu si në rastin e zhvendosjes së të dhënave, nuk është e qartë nëse rregulla të tilla si GDPR zbatohen vetëm për të dhënat që konsumatori ia ka dhënë vullnetarisht platformës ose gjithashtu edhe për të dhënat që hyjnë në kategorinë metadata. Dhe edhe nëse janë të suksesshme, iniciativat për privatësi ka të ngjarë të zvogëlojnë vetëm personalizimin e lajmeve për secilin individ, jo përqendrimin e fuqisë editoriale. Më gjerësisht, ligje të tilla do t'i mbyllnin derën një “kali” që ka kohë që është larguar nga hambari. Gjigantët e teknologjisë tashmë kanë grumbulluar sasi të mëdha të të dhënave të klientëve. Siç tregon padia e re e Departamentit të Drejtësisë, modeli i biznesit i Google mbështetet në mbledhjen e të dhënave të gjeneruara nga produktet e tij të ndryshme - Gmail, Google Chrome, Google Maps dhe motori i tij i kërkimit - të cilat kombinohen për të zbuluar informacione me vlerë për secilin përdorues. Facebook gjithashtu ka mbledhur sasi të mëdha të shënash në lidhje me përdoruesit e saj, pjesërisht duke pretenduar se ka marrë disa të dhëna për përdoruesit kur ata ishin duke kërkuar faqet e tjera. Nëse ligjet e privatësisë parandalojnë që konkurrentët e rinj të grumbullojnë dhe të përdorin grupe të ngjashme të dhënash, ata do të rrezikonin thjesht të bllokonin avantazhet e këtyre lëvizësve të parë.

Zgjidhja e shërbyesit të ndërmjetëm

Nëse rregullimi, prishja,  bartja e të dhënave dhe ligji i privatësisë nuk janë në rregull, atëherë çfarë mbetet të bëhet për fuqinë e madhe të platformës? Një nga zgjidhjet më premtuese ka marrë pak vëmendje: shërbimi i softuerit të ndërmjetëm. Middleware zakonisht përcaktohet si softuer që kalon mbi një platformë ekzistuese dhe mund të modifikojë prezantimin e të dhënave themelore. Shtuar në shërbimet aktuale të platformave të teknologjisë, softueri i mesëm mund t'u lejojë përdoruesve të zgjedhin mënyrën e kurimit dhe filtrimit të informacionit për ta. Përdoruesit do të zgjidhnin shërbimet e softverit të mesëm që do të përcaktonin rëndësinë dhe vërtetësinë e përmbajtjes politike dhe platformat do të përdorin ato përcaktime për të kuruar atë që shohin ata përdorues. Me fjalë të tjera, një shtresë konkurruese e ndërmarrjeve të reja me algoritme transparente do të ndërhynte dhe do të merrte përsipër funksionet e portalit editorial të mbushura aktualisht nga platforma dominante të teknologjisë, algoritmet e të cilave janë të errëta.

Produktet e Middleware mund të ofrohen përmes qasjeve të ndryshme. Një qasje veçanërisht e efektshme do të ishte që përdoruesit të kenë akses në programin e mesëm përmes një platforme teknologjike si Apple ose Twitter. Merrni parasysh artikujt e lajmeve në burimet e lajmeve të përdoruesve ose postimet në Tuiter nga figurat politike. Në sfondin e Apple ose Twitter, një shërbim i softuerit të mesëm mund të shtojë etiketa të tilla si "keqorientuese", "të paverifikuara" dhe "i mungon konteksti". Kur përdoruesit hyjnë në Apple dhe Twitter, ata do të shihnin këto etiketa në artikujt e lajmeve dhe postime.

Një program i ndërmjetëm më ndërhyrës mund të ndikojë gjithashtu në renditjen e burimeve të caktuara, të tilla si listat e produkteve të Amazon, reklamat në Facebook, rezultatet e kërkimit Google ose rekomandimet e videove në YouTube. Për shembull, konsumatorët mund të zgjedhin ofrues të programeve të mesëm që rregulluan rezultatet e kërkimit të Amazon për t'u dhënë përparësi produkteve të prodhuara brenda vendit, produkteve miqësore me mjedisin ose mallrave me çmim më të ulët. Middleëare madje mund të parandalojë një përdorues nga shikimi i përmbajtjes së caktuar ose bllokimi i burimeve specifike të informacionit ose prodhuesve.

Secilit ofrues të softuerit të mesëm do t'i kërkohet të jetë transparent në ofertat e tij dhe karakteristikat teknike, në mënyrë që përdoruesit të bëjnë një zgjedhje të informuar. Ofruesit e softuerit të mesëm do të përfshijnë të dy kompanitë që ndjekin përmirësimet e burimeve dhe organizatat jofitimprurëse që kërkojnë të çojnë përpara vlerat qytetare. Një shkollë gazetarie mund të ofrojë program të mesëm që favorizon raportimin superior dhe boton histori të paverifikuara, ose një bord i shkollës së qarkut mund të ofrojë program të mesëm që u jep përparësi çështjeve lokale. Duke ndërmjetësuar marrëdhënien midis përdoruesve dhe platformave, softueri i mesëm mund të shërbejë për preferencat e konsumatorëve individualë ndërsa ofron rezistencë të konsiderueshme ndaj veprimeve të njëanshme të lojtarëve dominantë.

Shumë detaje duhet të përpunohen më tej. Pyetja e parë është sa është fuqi  kujdestare u duhet transferuar kompanive të reja. Në një ekstrem, ofruesit e softuerit të mesëm mund të transformojnë plotësisht informacionin e paraqitur nga platforma themelore te përdoruesi, me platformën që shërben më shumë si një “tub” neutral. Nën këtë model, softueri i ndërmjetëm do të përcaktonte përmbajtjen dhe përparësinë e kërkimeve në Amazon ose Google, me ato platforma që thjesht ofrojnë akses në serverat e tyre. Në ekstremin tjetër, platforma mund të vazhdojë të kurojë dhe rendisë përmbajtjen plotësisht me algoritmet e veta, dhe softueri i ndërmjetëm do të shërbente vetëm si një filtër shtesë. Nën këtë model, për shembull, një ndërfaqe Facebook ose Twitter do të mbetet kryesisht e pandryshuar. Softueri i ndërmjetëm thjesht kontrollon faktin ose etiketon përmbajtjen pa i dhënë rëndësi përmbajtjes ose duke ofruar rekomandime më të sakta.

Qasja më e mirë ndoshta qëndron diku në mes. T’u japësh shumë fuqi kompanive të softuerëve të ndërmjetëm mund të nënkuptojë që platformat themelore të teknologjisë do të humbin lidhjen e tyre të drejtpërdrejtë me konsumatorin. Me minimin e modeleve të tyre të biznesit, kompanitë e teknologjisë do të luftonin. Nga ana tjetër, t’u japësh atyre shumë pak kontroll, kjo do të sillte dështimin në përpjekjen për të frenuar fuqinë e platformave për të kuruar dhe shpërndarë përmbajtjen. Por, pavarësisht se ku vihet saktësisht ky kufi, ndërhyrja e qeverisë do të ishte e nevojshme. Kongresi me gjasa do të duhet të miratojë një ligj që kërkon që platformat të përdorin ndërfaqe programimi të hapura dhe uniforme të aplikacioneve, ose API, të cilat do t’i lejonin kompanitë e programeve të ndërmjetme të punonin pa probleme me platforma të ndryshme të teknologjisë. Kongresit gjithashtu do t'i duhet të rregullojë me kujdes vetëofruesit e softuerëve të ndërmjetëm, në mënyrë që ata të përmbushin standarde të qarta minimale të besueshmërisë, transparencës dhe qëndrueshmërisë.

Një çështje e dytë përfshin gjetjen e një modeli biznesi që do të stimulonte krijimin e një shtrese konkurruese të kompanive të reja. Qasja më logjike do të ishte që platformat dominuese dhe të tretët që ofrojnë softuerët e ndërmjetëm të arrijnë marrëveshjet për ndarjen e të ardhurave. Kur dikush bën një kërkim në Google ose viziton një faqe në Facebook, të ardhurat nga reklamat nga vizita do të ndahen midis platformës dhe ofruesit të programit të mesëm. Këto marrëveshje ka të ngjarë të mbikëqyren nga qeveria, pasi që edhe nëse platformat dominuese janë të etura të ndajnë barrën e filtrimit të përmbajtjes, ato duhet të rezistojnë ndaj ndarjes së të ardhurave nga reklamat.

Megjithatë, një detaj tjetër për t'u përpunuar është një lloj kornize teknike që do të inkurajonte lindjen e  një larmie produktesh të softuerëve të ndërmjetëm. Korniza do të duhet të jetë mjaft e thjeshtë për të tërhequr sa më shumë hyrje, por mjaft e sofistikuar për t'iu përshtatur platformave të mëdha, secila prej të cilave ka arkitekturën e vet të veçantë. Për më tepër, do të duhet të lejojë softuerin e ndërmjetëm të vlerësojë të paktën tre lloje të ndryshme të përmbajtjes: përmbajtje publike me qasje të gjerë (të tilla si lajme, njoftime për shtyp dhe postime Twitteri nga figura publike), përmbajtje të gjeneruar nga përdoruesit (të tilla si videot në YouTube dhe potime publike Twitteri nga individë privatë), dhe përmbajtje private (të tilla si mesazhet WhatsApp dhe postimet në Facebook).

Skeptikët mund të argumentojnë se qasja e softuerit të ndërmjetëm do të fragmentarizojë internetin dhe do të përforcojë “flluskat e filtrit”. Megjithëse universitetet mund t'u kërkojnë studentëve të tyre të përdorin produkte të softuerit të ndërmjetëm që i drejton ata drejt burimeve të besueshme të informacionit, grupet me mendime konspirative mund të bëjnë të kundërtën. Algoritmet e personalizuara mund ta shkatërrojnë më tej politikën amerikane, duke inkurajuar njerëzit të gjejnë zëra që u bëjnë jehonë pikëpamjeve të tyre, burime që konfirmojnë bindjet e tyre dhe udhëheqës politikë që u shtojnë frikën.

Ndoshta disa nga këto probleme mund të zgjidhen me rregullore që kërkojnë softuer të ndërmjetëm për të përmbushur standardet minimale. Por është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se një copëzim i tillë tashmë mund të ndodhë, dhe mund të jetë teknologjikisht e pamundur të parandalohet që të mos ndodhë në të ardhmen.  Merrni rrugën e ndjekur nga ata që i besojnë QAnon, një teori konspirative e djathtë ekstreme që paraqet ekzistencën e një rrjeti global pedofilie. Pasi përmbajtja e tyre ishte e kufizuar nga Facebook dhe Twitter, mbështetësit e QAnon braktisën platformat e mëdha dhe migruan në 4chan, një bord mesazhesh më i hapur. Kur ekipet e moderimit të 4chan filluan të zbusnin komentet e zjarrta, ndjekësit e QAnon u zhvendosën në një platformë të re, 8chan (tani quhet 8kun). Këta teoricienë konspiracioni ende mund të komunikojnë me njëri-tjetrin përmes postës elektronike të zakonshme ose në kanale të koduara të tilla si Signal, Telegram dhe WhatsApp. Një fjalim i tillë, megjithëse problematik, mbrohet nga Amendamenti i Parë.

Për më tepër, grupet ekstremiste rrezikojnë demokracinë kryesisht kur zhvendosen nga periferia e internetit dhe hyjnë në rrjedhën kryesore. Kjo ndodh kur zërat e tyre ose merren nga media ose amplifikohen nga një platformë. Ndryshe nga 8chan, një platformë dominuese mund të ndikojë në një pjesë të gjerë të popullsisë, kundër vullnetit të atyre njerëzve dhe pa dijeninë e tyre. Më gjerë, edhe nëse softueri i ndërmjetëm inkurajon fragmentarizimin, ai rrezik zbehet në krahasim me atë që paraqet fuqia e përqendruar e platformës. Kërcënimi më i madh afatgjatë për demokracinë nuk është fragmentarizimi i mendimit por fuqia e papërgjegjshme e përdorur nga kompanitë gjigante të teknologjisë.

Kthimi i kontrollit

Publiku duhet të alarmohet nga rritja dhe fuqia e platformave dominante të Internetit, dhe ka një arsye të mirë pse politikëbërësit po kthehen te ligji antitrust si ilaç. Por kjo është vetëm një nga disa përgjigjet e mundshme ndaj problemit të pushtetit të përqendruar ekonomik dhe politik privat.

Tani, qeveritë po fillojnë veprime antitrust kundër platformave Big Tech si në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, dhe çështjet që rezultojnë ka të ngjarë të diskutohen për vitet që vijnë. Por kjo qasje nuk është domosdoshmërisht mënyra më e mirë për t'u marrë me kërcënimin politik serioz të demokracisë për pushtetin e platformës. Ndryshimi i Parë parashikonte një treg idesh ku konkurrenca, në vend se rregullimi, mbronte ligjërimin publik. Megjithatë, në një botë ku platformat e mëdha amplifikojnë, shtypin dhe synojnë mesazhet politike, ai treg prishet.

Middleëare mund ta adresojë këtë problem. Mund ta heqë atë fuqi nga platformat teknologjike dhe t'ia dorëzojë atë jo një rregullatori të vetëm qeveritar, por një grupi të ri të firmave konkurruese që do t'u lejonte përdoruesve të përshtatnin përvojat e tyre në internet. Kjo qasje nuk do të parandalonte që gjuhët e urrejtjes ose teoritë e konspiracionit të qarkullojnë, por do të kufizonte qëllimin e tyre në një mënyrë që përputhej më mirë me qëllimin origjinal të Ndryshimit të Parë. Sot, përmbajtja që platformat ofrojnë përcaktohet nga algoritme të errët të gjeneruara nga programet e inteligjencës artificiale. Me softuerin e mesëm, përdoruesit e platformës do të dorëzohen kontrollet. Ata - jo ndonjë program i padukshëm i inteligjencës artificiale - do të përcaktonin atë që panë.

Burimi: Foreign Affairs

Solli në shqip për ResPublica: Gazmira Sokoli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.