Ministrja që fluturon me helikopter (e)mbrohet me fluturimin e Zajmina Vasjarit

Postuar në 28 Nëntor, 2020 13:54

Prej disa ditësh, Partia Demokratike akuzon ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka se ka udhëtuar për fushatë elektorale në Dibër duke përdorur helikopterë të ushtrisë. PD-ja ka publikuar edhe foto me këtë rast ndërkohë që ministrja ka heshtur.

Për ata që nuk e dinë, zonjës Xhaçka i intereson imazhi publik vetëm aq sa lajmet që dalin për të, të mos mërzisin shefin e vet që ka zakonin apo stilin që ta prish humorin duke të nisur linke lajmesh “të këqija”.

Denoncimit ministrja nuk iu përgjigj. Ndoshta do të përgjigjej, por me shumë gjasa ka për ta shmangur sepse sot zonja Xhaçka ka patur fat. Në gazetën “Tema” është publikuar një promemorie për një akt skandaloz siç quhet të ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami që dikur vuri në dispozicion dy helikopterë të ushtrisë për këngëtaren Zajmina Vasjari.

Autori M. Nikaj shkruan ndër të tjera se për atë fluturim të vitit 2013 ka disa shkelje, të cilat autori i disponon me numër vendimesh dhe protokolli.

Shkelje tjetër e rëndë është fakti se nuk rezulton të ketë praktikë të nxjerrjes së urdhrit për realizmin e këtij aktiviteti. Nga ana e zbatimit formal të marrëveshjes së paligjshme, kemi një tejkalim disa orësh dhe ditësh të kohës së aktivitetit nga 2 misione, që nuk është e reflektuar dhe e justifikuar në raportin ditor të dokumentacionit e fluturimit.

Njëherësh janë shkelur rregullat e sigurisë së fluturimit sepse janë bërë filmime në zona të klasifikuara si sekret, që nga pista në Farkë e deri në reparte të sigurisë së veçantë dhe vetë ambientet e ministrisë së Mbrojtjes. Theksuam, ishim dhe atëherë vend anëtar i NATO-s.

Në fund, janë shkelur dhe procedurat për mosfaturimin e këtij shërbimi ndaj palëve të treta, ku të jetë përcaktuar kostoja financiare për këtë aktivitet që do të kryente kjo kompani private.

Nuk është shënuar në asnjë procesverbal sa ka qënë kostoja, që sipas burimeve nga Forca Ajrore nëse do të llogaritej në mënyrë linare lëvizja e dy helikopterëve, për ditët në dizpozicion të Zajminës, i bie që të kenë përshkuar distancën ajrore Vermosh-Konispol dy herë. Duke qënë dy helikopterë, imagjinojeni koston e lartë të këtij video-klipi për ushtrinë. Që ka harxhuar shumë!

I tejkalon shumë ato 10 mijë euro që pretendon PD, me dyshen Albana Vokshi-Xhemal Gjunkshi, se në atë udhëtim të rrallë pune në Dibër dhe në funksion të stërvitjes, ka kryer ministrja aktuale e mbrojtjes Olta Xhaçka.

Ironik në rastin e ish ministrit të PD Arben Imami është fakti se mijëra eurot u shpenzuan për një klip të një këngëtareje shqiptare, jashtë objektit të FA.

Sikur të kishte qënë këngëtarja pjesë e Qendrës së Kulturës në këtë ministri, dhe mund të “justifikohej” angazhimi i Forcës Ajrore me kapacitet të plotë aq sa tmerruan dhe zonën e “Freskut”, duke qëndruar dhe bërë karshillëk dhe mbi shtëpinë e ish Presidentit Bamir Topi, asokohe kundër qeverisë së Berishës

shkruan autori.

E zëmë se është kështu. Hajde po bëjmë edhe budallain e po themi se autori ka bërë kërkesë për informacion dhe për kaq pak ditë sa konsumohet akuza e PD-së, ia ka dalë të krijojë një panoramë të plotë të asaj që ka ndodhu asokohe. Po a justifikon kjo që ka bërë Imami këtë që bën zonja Xhaçka? Autori na thotë se ajo ka qenë aty për stërvitje, ndërkohë që në Facbeook e zonjës Xhaçka ajo shfaqet në Bulqizë për punë partie e bashkie më 21 nëntor.

Nuk do shumë mend të kuptohet se çfarë po ndodh. Parimi i kësaj lloj strategjie komunikimi është se PD-ja nuk ka fytyrë të flasë sepse shiko se çfarë ka bërë. Kështu edhe shefi shikon se ministrja ka lëvizur vendit, ka bërë reagim, edhe ministrja vazhdon e qetë në zanatin e vet duke parë te këto goditje kalitjen e nevojshme politike për të rritur profilin e vet. Zonja Xhaçka ka vetëm një akt publik që mbahet mend qëkurse PS-ja erdhi në pushtet: ajo doli - me një shenjë gjestikulative të Shefit – në foltoren e Parlamentit për të kërkuar nga Gent Strazimiri që të nxirrte emrat e personave që akuzonte se ishin deputetë me të shkuar kriminale. Pas asaj ndodhi sherri në korridore dhe më tej ligji për dekriminalizimin.

Kjo e helikopterit është dalja e dytë. Në mes është një heshtje e madhe që nuk para ndodh me ministra Mbrojtjeje. Por të tregohemi seriozë e të mos e marrim seriozisht se Olta Xhaçka është vërtet ministre Mbrojtjes. Më mirë të themi ministrja që fluturon…me helikopter.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

A duhet te merret me punet e partise ministri i mbrojtjes? Nuk e di. Do preferoja te mos merrej. Por nese ligji nuk e pengon (duhet ta pengoje) do ishte me e udhes meqe ndodhej diku te merrej edhe me punet e partise. Apo ndoshta do ishte me e udhes te kthehej ne Tirane dhe te shkonte me furgonin e radhes per Peshkopi?

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Noni, me mrekullon me inteligjencene tende, por sidomos me perspikasitetin tend, per te mos folur pastaj per ironine therrese, megjithese pak si te paprefur.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.