"Vdekjet e fshehura" dhe presioni për një mbyllje të dytë
Partia Demokratike po këmbëngul në temën e fshehjes së vdekjeve nga CoVid-19 duke sjellë madje dëshmi konkrete qytetarësh. Sipas këtyre dëshmive spitali ka fshehur shkakun e vdekjes duke ngritur dyshime mbi certifikatat e vdekjes. PD-ja është një parti që ka burime të mjaftueshme për të sqaruar konkretisht se çfarë mund të ketë ndodhur, por në vend të kësaj ajo preferon të luajë politikisht me një skandal që nuk duket shumë i tillë. P.sh çdo qytetar që pretendon një manipulim me certifikatën e vdekjes, mund të kërkojë autopsinë. Dhe që aty sqarohet çdo gjë. Pra nuk ka arsye që denoncimi për probleme të tilla private të bëhet përmes selive partiake. Kjo nuk është edhe shumë etike përmbi të gjitha.
Nga ana tjetër, dje në mediat televizive doli në sipërfaqe fakti se numri i vdekjeve nga CoVid-19 ka një mënyrë të vetën sesi raportohet, mënyrë e cila krijon statistikë minimale, por nuk është detyrismisht fshehje. Këtu çështja shndërrohet në politike, sepse turravrapi i PD-së për këtë temë mundet të lidhet vërtet me një shqetësim qytetar dhe njerëzor, mundet po ashtu të ketë të bëjë me kompensimin publik të një kauze dëmtuese për Lulzim Bashën siç është ajo e kasetave me raportin e Dick Marty. Dhe nëse nuk shohim një interes për të zbardhur një të vërtetë shqetësuese, atëherë mendja të shkon tek axhenda politike pas kësaj lëvizjeje. Po të pranojmë se PD-ja ka të drejtë, pra se autoritetet kanë fshehur me manovra teknike numrin e vërtetë të vdekjeve nga CoVid-19, i bie se në Shqipëri këto javët e fundit ka patur mesatarisht 15 -20 vdekje në ditë, çka nëse do të raportohej, do të detyronte qeverinë të konsideronte mbylljen e plotë.
Një mbyllje e plotë para zgjedhjeve do të riciklonte një krizë besimi, krizë psikologjike dhe nevojë për disbursim fondesh që do të rëndonin buxhetin. Eventualisht ngjarje të tilla kanalizojnë ndryshime dhe ndoshta këtu PD-ja ka të drejtë të bëjë politikë, por çështja është nëse intereson një mbyllje e dytë. Dhe kujt i intereson? Kjo është një pyetje që duhet të ketë një përgjigje reale sepse ne e dimë në përvojën tonë se çfarë do të thotë mbyllje e shkollave.
Add new comment