Të llogarisësh vdekjet nga CoVid-19, debatet dhe praktika amerikane

Postuar në 24 Nëntor, 2020 23:51

Debati që ka hapur në Shqipëri pretendimi i kreut të opozitës për fshehjen e vdekjeve nga Covid-19, në SHBA ka nisur disa muaj më parë. Në Colorado, një deputet republikan ka akuzuar departamentin e shëndetit publik të shtetit për manipulimin e shifrave të vdekjeve nga COVID-19; në Florida, mediat lokale kanë kundërshtuar refuzimin e Departamentit të Shëndetësisë për të publikuar të dhënat mjekësore të ekzaminuesve, duke pretenduar se shteti po raportonte më pak vdekje sesa ishin në të vërtetë.

Stephanie Papas në një artikull të botuar më 20 maj 2020 në “Scientific American” shpjegon si përcaktohet shkaku i vdekjes në SHBA.

Certifikatat e vdekjes

Certifikatat e vdekjes mund të firmosen nga një mjek, i cili ka ndjekur pacientin që ka ndërruar jetë në spital. Ato gjithashtu mund të nënshkruhen nga ekspertë mjekësorë, të cilët janë zyrtarë të pavarur që punojnë për qarqe ose qytete individuale. Dr. Sally Aiken, presidente e Shoqatës Kombëtare të Ekzaminuesve Mjekësorë thotë se në disa juridiksione, përfshirë qytete të tilla si Çikago dhe Milwaukee, ekzaminuesit mjekësorë përfshihen në përcaktimin e shkakut të vdekjes për çdo rast të dyshuar COVID-19. Në ato juridiksione, këta ekspertë rishikojnë regjistrat mjekësorë edhe të pacientëve që vdesin në spitale për t’u siguruar që simptomat dhe çdo test të çojnë në përfundimin se pacienti ka vdekur me të vërtetë nga COVID-19.

Këta ekzaminues mjekësorë, që konfirmojnë vdekjet e COVID-19, mund të krijojnë më shumë uniformitet dhe dokumentacion më të qartë. Në një certifikatë vdekjeje, ka hapësira për të renditur një shkak të menjëhershëm të vdekjes, si dhe zinxhirin e eventeve që çuan në sëmundje ose vdekje. Ka edhe hapësira ku shtohen faktorë që kanë kontribuuar.

Për COVID-19, shkaku i menjëhershëm i vdekjes mund të renditet si problem i frymëmarrjes, ndërsa në rreshtin e dytë shtohet "për shkak të COVID-19". Faktorët kontribuues të tillë si sëmundja e zemrës, diabeti ose presioni i lartë i gjakut renditen më poshtë. Kjo ka shkaktuar te njerëzit konfuzionin se shkaku "i vërtetë" i vdekjes ka qenë sëmundja e zemrës ose diabeti, por sipas Aiken, nuk është kështu.

"Pa COVID19 si goditja e fundit ose faktori që nxiti një zinxhir eventesh që çuan në vdekje, ata ndoshta nuk do të kishin vdekur", thotë ajo.

Të gjurmosh Covid-19

Sa e vështirë është të përcaktohet saktë nëse COVID-19 ishte me të vërtetë “goditja” e fundit, kjo varet nga situata. Shumica e vdekjeve nga COVID-19 që kanë ndodhur në Sistemin Shëndetësor të Mount Sinai në New York janë njerëz që kanë pasur sëmundje bashkëshoqëruese  të tilla si sëmundja e arterieve koronare ose sëmundja e veshkave-, tha Dr. Mary Fowkes, shefe e shërbimeve të autopsisë në Mount Sinai. 

Por nuk është zakonisht e vështirë të thuash se çfarë ua shkaktoi vdekjen.

Mushkëritë zakonisht preke  aq shumë nga kjo patologji, saqë arrijnë dy deri në trefishin e peshës së një mushkërie normale.

(Pesha e tepërt vjen për shkak të lëngjeve dhe detritit qelizor nga indet e dëmtuara të mushkërive.)

Në disa raste, veçanërisht ato kur dikush vdes në shtëpi ose menjëherë pasi mbërrin në terapi intensive, përcaktimi i shkakut mund të jetë pak më i paqartë-, thotë Dr. Jeremy Faust, mjek i urgjencës në Spitalin Brigham dhe Grave në Massachusetts.

"Sfida është të dish kush vdiq nga COVID-19 dhe kush vdiq me virusin që shkakton COVID-19"-, tha Faust për Live Science.

Autopsitë mund të ndihmojnë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, por normat e autopsisë kanë qenë të ulëta edhe para pandemisë-,thotë Fowkes.

Edhe në Mount Sinai, një sistem i rrallë mjekësor që i ofron çdo familjeje mundësinë t’ua bëjë të dashurve të tyre autopsinë falas, para pandemisë norma ishte vetëm 20%. Autopsitë për COVID-19 mund të jenë edhe të rrezikshme për shkak të natyrës infektive të sëmundjes dhe mungesave të vazhdueshme të pajisjeve mbrojtëse personale për patologët.

Një faktor tjetër që e bën më të komplikuar caktimin e shkakut të vdekjes për COVID-19 është se disa të rinj kanë vdekur nga goditje në tru dhe atak në zemër dhe më pas kanë rezultuar pozitivë në testin për COVID-19, pa pasur simptoma që lidhen me frymëmarrjen. Dihet se virusi shkakton mpiksje të gjakut, çka sugjeron që COVID-19 ishte vrasësi edhe në këto raste. Fowkes dhe kolegët e saj kryen një inspektim mikroskopik të trurit të 20 viktimave të COVID-19 në sistemin spitalor dhe zbuluan se gjashtë prej tyre kishin mpiksje gjaku që kishin shkaktuar goditje të vogla para vdekjes.

"Ne po e shohim këtë në pacientë më të rinj sesa do të prisnit dhe në një shkallë që nuk do ta mendonit, kështu që ne besojmë se ka lidhje me COVID", thotë Fowkes.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë lëshuar udhëzime se si t'i atribuohet një vdekje infeksionit COVID-19. Udhëzimet nxisin përdorimin e informacionit nga testimi COVID-19, kur është e mundur, por gjithashtu lejojnë që vdekjet të renditen si "të supozuara" ose "të mundshme" nga COVID-19 bazuar në simptomat dhe gjykimin më të mirë klinik të personit që plotëson certifikatën e vdekjes.

Një ekzaminues mjekësor që përpiqet të përcaktojë shkakun e vdekjes në mungesë të testimit duhet të mbledhë të dhënat mjekësore dhe të pyesë familjen dhe të dashurit e viktimës për simptomat para se të vdiste.

TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.