4.1 mln$ me urgjencë për inceneratorin e Tiranës. Ferhati: Nevoja për menaxhim
4.1 milionë euro që iu kaluan me urgjencë Bashkisë së Tiranës me një amendament të propozuar 24 orë para seancës plenare të 14 nëntorit nuk mban vetëm autorësinë e deputetes Klotilda Ferhati, por edhe kolegut të saj, Ervin Bushati, i cili është nën hetim nga SPAK për pasuri të paligjshme. E pyetur nga TvT, Ferhati la të kuptohet përmes një lidhjeje telefonike se ndërhyrja e saj dhe drejtuesit politik të Partisë Socialiste për Tiranën vetëm sa korrigjoi një nevojë të Bashkisë së drejtuar nga zoti Veliaj që lidhet me menaxhimin e mbetjeve.
"E kanë kuptuar gabim, është një amandament që është kërkuar nga unë dhe deputeti Ervin Bushati. Ideja është që Bashkia e Tiranës ka detyrime për menaxhimin e mbetjes, i llogariten si shërbim funksioni Bashkisë dhe para që i vijnë nga buxheti i shtetit, dhe që duhen parashikuar në buxhet dhe nuk ishin parashikuar, dhe u futën në buxhet. Është çështje menaxhimi buxhetor, janë para që duhet të vijnë nga buxheti qendror për buxhetin e bashkive dhe që lidhet me menaxhimin e mbetjeve", thotë Ferhati.
Ferhati flet për një situatë të pafavorshme ekonomike të Bashkisë së Tiranës, e cila sipas saj nuk mund të përballojë e vetme pagesat për inceneratorin e Tiranës. Këtë propozim, ajo e sheh një mangësi teknike që nuk ishte pasqyruar në buxhet.
"E kanë bërë ekspertët, thjesht është funksion-shërbim i menaxhimit të mbetjeve nga bashkia që duhen llogaritur në buxhetin e shtetit dhe thjesht është futur, sepse vetë bashkia nisur dhe nga situata që kalojmë, ato mundësi monetare ka. Fondi është një fond i nevojshëm për shërbime për pastrim qyteti, është mëse normale", thotë ajo.
Për deputeten socialiste edhe kalimi me urgjencë 24 orë para votimit në seancë nuk është në shkelje të ligjit, pasi sipas saj, të gjitha diskutimet lidhur me buxhetin janë ezauruar në komisionet parlamentare, ndonëse ajo vetë nuk është anëtare e Komisionit përkatës që është ai i Ekonomisë.
"Sigurisht nëse është kjo mundësi nuk ka ndonjë gabim këtu apo ndonjë shkelje. Janë diskutuar në komisione të gjitha gjërat, është çështje buxheti, ndryshe nga çdo ligj tjetër është çështje teknike dhe ekspertësh. Dhe janë diskutuar sigurisht të gjitha, është qartësuar çdo gjë dhe nga ana tjetër vetë rregullorja e Kuvendit parashikon që amandamente mund të bëhen edhe një ditë para seancës, është një mundësi që ia jep deputetëve".
Amendamenti që i shton 500 milionë lekë bushetit të Ministrisë së Infrastrukturës për t'i kaluar me pas Bashkisë së Tiranës u dorëzua në Kuvend në datën 13 nëntor dhe mban pikërisht firmën e deputetes socialiste Klotilda Ferhati, deputete e Komisionit të Ligjeve.
Add new comment