Opinion: Trump do të japë dorëheqjen, Pence do ta falë
Më poshtë është ajo që unë e shoh si përfundimin më të mundshëm të presidencës Trump. Dhe besoj shumë se do të ndodhë.
Së pari, Presidenti Trump u mposht në garën për rizgjedhje. Fushata ka mbaruar. Rezultatet janë vendimtare. Donald Trump ka humbur. Shansi i tij për të shkuar me sukses në rizgjedhje përmes ndonjë strategjie apo taktike është matematikisht zero.
Së dyti, Trump do t’u japë faljen* familjarëve të tij të ngushtë dhe kujtdo që ai mendon se i ka mbetur besnik.
Së treti, avokatët e tij do t’i thonë Trumpit se nuk ka mundësi të falë veten. Atij ndoshta i është thënë kjo gjë tashmë. Rasti më i keq për Trump, si juridikisht dhe politikisht, është se, nëse ai përpiqet të falë veten, krijon një valë zemërimi kombëtar dhe falja e tij për veten e tij anulohet nga gjykatat.
Së katërti, Trump do të japë dorëheqjen nga presidenca para se mandati i tij të përfundojë zyrtarisht dhe ai do të falet nga zëvendëspresidenti Pence, kur Pence të bëhet president.
Falja presidenciale nga Pence nuk do ta mbronte atë nga çështjet gjyqësore që nisin në shtete, por ato raste do të jenë shumë më të menaxhueshme nëse nuk kthehen në një “moçal” çështjesh federale nga të cilat vetëm një falje federale mund ta shpëtojë.
Së pesti, ndërsa unë dyshoj se do të mësojmë se ai nuk është gati aq i pasur sa pretendon, Trump mund të marrë shpërblime ekstravagante financiare nga marrëveshja më e madhe e biznesit, që ai mund të mbyllë pak pasi të lërë detyrën.
Ndërsa Trump do të hyjë në histori si një president tmerrësisht i keq, trashëgimia kryesore e të cilit do të jetë përgjegjësia për përhapjen masive të virusit COVID-19 dhe bashkëpunimi i tij me liderin e shumicës së senatit Mitch McConnell (R-Ky.) për të “futur në dorë” Gjykatën e Lartë, Trump ka një pasuri të jashtëzakonshme që është e pamohueshme: Ai nuk ka asnjë kufi të fitimit potencial nëse ekzekuton largimin e tij nga presidenca dhe strategjinë e tij të biznesit pas presidencës.
Së gjashti, çfarëdo që të mendohet për Trump, ai është një gjeni në marketingun e markës, manipulimin e medias, ndërtimin e audiencës dhe kthimin e saj në burim parash si në televizion, radio, shtyp dhe media sociale, duke u shitur produkte që mbajnë emrin e tij masës së klientëve në të gjithë perandorinë që arrin të krijojë.
Së shtati, megjithëse është zbuluar se Trump mund të kandidojë për president në 2024, ai ndoshta nuk do të bëjë një hap të tillë. Trump do të argëtohej shumë më shumë dhe do të fitonte pafundësisht më shumë para, duke u bërë kryemanjati i medias - një Qytetar Trumpian Kane. Trump do të negociojë një mega-marrëveshje me Fox, Newsmax ose një kompani tjetër televizive. Ai do të sinkronizojë audiencën e tij televizive me marrëveshje për suksese të mëdha, një shou të mundshëm në radio kombëtare dhe një audiencë në mediat sociale që do të ishte gjigante në çdo platformë që ai zgjedh. Nëse Trump merr kursin që unë parashikoj dhe e trajton pjesën e mbetur të presidencës së tij me më shumë diskrecion se sa po tregon sot, ai do të dalë me miliarda dollarë pasuri të shtuar dhe do të ishte, deri tani, zëri më i fuqishëm në Partinë Republikane.
Çfarë mund ta bëjë të pagjasë këtë skenar?
Çështja më e madhe është se Trump duhet të marrë një falje për shkeljet federale, gjë që ai mund ta arrijë vetëm nëse jep dorëheqjen nga presidenca herët dhe i jepet falja nga Pence. Pa një falje federale, është pothuajse e garantuar që Trump do t’i kalojë shumë nga vitet e ardhshme i ngatërruar në çështje federale që mund të paraqesin rreziqe të mëdha ligjore për të dhe t’i krijojnë probleme për ekzekutimin e çdo marrëveshje biznesi miliarda dollarësh.
Është gjithashtu e mundur që Trump të përfundojë presidencën e tij me një fund politikisht katastrofik, duke ndjekur një strategji shkatërruese sulmesh dhe spastrimesh që shihen gjerësisht si rrezik për sigurinë tonë kombëtare. Kjo do të krijojë zemërim të përhershëm në të gjitha demokracitë kryesore që do të sabotojnë përpjekjen e tij për të fituar para përmes marrëveshjeve me miliarda dollarë me një audiencë masive dhe bazë klientësh në ato kombe.
*Falja federale në Shtetet e Bashkuara është vendimi i presidentit me të cilin shmang dënimin për një krim federal. Autoriteti për të ndërmarrë një veprim të tillë i jepet presidentit nga Kushtetuta amerikane.
**Brent Budowsky ka qenë ndihmës i ish-senatorit Lloyd Bentsen (D-Texas) dhe ish-Rep. Bill Alexander (D-Ark.), i cili ishte shefi i nënkryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve. Ai mban një gradë shkencore në të drejtën ndërkombëtare financiare nga London School of Economics.
Burimi: The Hill
Solli shqip për ResPublica: Gazmira Sokoli
Add new comment