Dossier/Jamil Mardam, një ish-kryeministër (me të vërtetë) poliagjent
Në shërbim të britanikëve, francezëve, irakenëve dhe tani së fundmi zbulohet edhe të liderëve Sionistë. Fjala është për ish-kryeministrin e Sirisë, Jamil Mardam, i cili dha dorëheqjen në gusht të vitit 1945. Meir Zamir, profesor në Universitetin “Ben-Gurion” në Negev shkruan në gazetën izraelite “Haaretz” se fakteve të njohura se Mardam ishte rekrutuar nga anglezët ndërkohë që qeveriste Sirinë nën Mandatin francez, nga kryeministri iraken, Nuri Sa’id dhe se aderonte në një plan që e shihte Sirinë post-koloniale të bashkuar me Transjoradinë nën familjen Hashemite, i shtohet edhe lidhja e tij me liderët sionistë që më vonë morën drejtimin e shtetit të Izraelit.
Lëvizjet politike të Mardam në këtë kuadër u lexuan nga francezët përmes informacioneve që morën në verën e vitit 1945 se ai ishte rekrutuar nga britanikët, duke provokuar kështu një sërë zhvillimesh që sipas autorit në fjalë përcaktuan Lindjen e Mesme siç e shohim sot.
Ajo që ndodhi ishte se francezët vendosën të shfrytëzojnë situatën për qëllimet e tyre dhe nisën të shantazhojnë Mardamin. Ata e kërcënuan se do të publikonin dokumentet që posedonin dhe të nxirrnin informacionin te kundërshtarët e tij politikë. Më në fund Mardam dha dorëheqjen në gusht të viti 1945 pasi u këshillua me operativët britanikë, por këta të fundit nuk e dinin se ai ishte dorëzuar para shantazhit dhe ishte kthyer në agjent të dyfishtë. Në atë perudhë, kur e ardhmja e rajonit varej në fije të perit, Mardam u dha francezëve informacione të dobishme për synimet e ushtrisë britanike dhe shërbimeve të tyre sekrete në Lindjen e Mesme
shkruan gazeta.
Por Mardam duket se ishte një lloj Kim Filbi i Lindjes së Mesme për të cilin edhe sovjetikët deklaronin se nuk e kuptuan dot ndonjëherë me të vërtëtë. Sipas kërkimeve në arkivat franceze dhe izraelite, por edhe siriane, tani rezulton se kryeministri sirian drejtohej nga një operativ sionist së bashku me francezët. Ky informacion thuhet se i shërbeu shumë kryeministrit izraelit David Ben - Gurion në strategjinë e ndërtimit të shtetit.
Çdo gjë nisi në tetor të vitit 1945 kur francezët hasën në një problem të ri. Mardam ishte caktuar ambasadori i Sirisë në Egjipt dhe I dërguari i saj në Shtabin e LIgës Arabe në Kajro, por francezët e patën të vështirë ta përdornin atë në këtë mjedis pa krijuar dyshime. Zgjidhja ishte rekrutimi i Eliahu Sasson të cilit iu caktua misioni i transmetimit të informacionit të siguruar nga Mardam. Sasson, që asokohe ishte kreu i Divizionit Arab në Departamentin Politik të Agjencisë hebraike, u caktua në shkurt të vitit 1945 nga kreu i Agjencisë, David Ben Gurion si koordinator me shërbimet franceze. Sasson, i cili ishte lindur në Siri e njihte Mardamin dhe ishte takuar me të në vitin 1937, kur ky i fundit shërbente një mandat të hershëm si kryeministër. Francezët, që e njihnin mirë Sasson dhe kishin vlerësime të larta për kapacitetet e tij operacionale, nisën të bashkonin me të për të drejtuar Mardamin.
Dokumentet tregojnë se më 12 nëntor 1945, Sasson u takua me Mardamin në Kajro; sërish gjashtë ditë më vonë kur Mardam vizitoi Jeruzalemin si kreu I delegacionit të Ligës Arabe që do të siguronte përfaqësimin palestinez në Ligë. Pas këtyre takimeve, Ben Gurion u takua me Sasso dhe në një faqe ditari të 22 nëntorit, zbulon hollësi të bisedave të zyrtarit të Agjencisë Hebraike me Mardamin. Ky është një ndër rastet e pakta kur Mardam idetifikohet drejtpërdrejt si një burim informacioni për Ben-Gurionin. Në vitet që pasuan, si shërbimet franceze ashtu edhe Sasson e fshehën informacionin se Mardam ishte burimi i informacionit me synim që të mos e ekspozonin
shkruan gazeta.
Të dhënat e para për rolin e ish-kryeministrit sirian vijnë nga ditari i Maurise Fischer, një ish- operativ i shërbimeve inteligjente në shtabin e Forcave të Francës së Lirë në Bejrut, që kishte shërbyer më herët në milicinë parashtetërore Haganah dhe më vonë u bë ambasadori i parë i Izraelit në Francë.
Një tjetër e dhënë vjen nga Nahum Wilensky, oficer ndërlidhës mes Fischer dhe departamentit politik të Agjencisë që zbulon përmes një raporti të shtatorit 1945 se Mardam ishte rekrutuar nga anglezët. Rëndësia e këtij informatori për Izraelin erdhi më pas, për shkak se me të dhënat e tij ai ndikoi në qartësimin e strategjisë së Izraelit dhe David Ben Gurion. Madje mund të thuhet si u dha atyre një drejtim të qartë. Gazeta thekson se që nga korriku i vitit 1945, për Ben Gurion kërcënimi kryesor ishte një sulm i mundshëm nga shtetet arabe nëse Izraeli do të deklaronte pavarësinë.
Por informacioni nga Mardam kthehu prozhektorët gjetkë. Ben Gurion mësoi se kërcënimi imediat ndaj krijimit të një shteti hebre vinte jo nga një sulm i ushtrive arabe, por më tepër nga plani i komandantëve ushtarakë britanikë dhe shërbimeve të tyre sekrete për të penguar këtë zhvillim me mënyra të ndryshme. Kjo përfshinte deklarimin si organizatë terroriste të milicisë Haganah, çarmatosjen e saj, dhe zbatimi i i planit të Sirisë së Madhe, nën të cilin një entitet i kufizuar hebre do të krijohej në Mandatin e Palestinës, por jo një shtet i pavarur. Mesa duket ishte Mardam që zbuloi faktin se inteligjenca britanike kishte rekrutuar një agjent që vepronte në Agjencinë Hebraike dhe u jepte eprorëve të tij informacione mbi atë që diskutohej në ekipin drejtues të saj, përfshirë kopje të takimeve më sekrete
shkruan “Haaretz”.
Planet britanike u komplikuan më tej deri sa dështuan nga lëvizjet e monarkun saudit, Ibn Saud, i cili e shihte projektin e Sirisë së Madhe si kërcënim për monarkinë e tij. Ai mori mbështetjen e SHBA duke transferuar drejt Londrës një presion shumë të madh, aq sa në korrik 1946, Londra u detyrua të deklaronte se nuk e mbështeste projektin e Sirisë së Madhe, ndonëse vazhdoi përpjekjet e kamufluara për krijimin e Sirisë së Madhe Hashemite si pjesë një aleance mbrojtëse rajonale kundër kërcënimit sovjetik.
Kështu në vitin 1946, britanikët organizuan një takim të krerëve të shteteve arabe në Kajro prej nga ku u miratua një rezolutë që për herë të parë e deklaronte Sionizmin si kërcënim jo vetëm për palestinezët, por për të gjitha shtetet arabe. Një takim i dytë në Damask vinte në dukje detyrimin e angazhimit ushtarak të arabëve në ndihmë të palestinezëve. Të dyja takimet u referuan nga Mardam. Ish-kryeministri sirian, i zbuluar si agjent britanik nga francezët, po i dëmtonte më shumë se kushdo planet e operativëve që e drejtonin. Ai njoftoi që në muajin prill, Ben Gurionin për synimet e britanikëve për të çarmatosur milicinë Haganah, për të arrestuar vetë liderin sionist dhe për të zëvendësuar lidershipin e Agjencisë Hebraike. Operacioni “Agatha” siç u quajt dështoi.
Agjenti sirian dhe drejtuesit e tij franko-izraelitë kishin fshehur gjurmët. Pavarësisht këtyre dështimeve, britanikët imponuan në vitin 1946 kthimin në detyrën e kryeministrit të Sirisë të Jamil Mardamit që zëvendësoi Saadallah al-Jabiri. Plani i njëjti: Siria e Madhe. Mardam duhet të krijonte shumicë parlamentare për ta vënë në jetë atë. Si një agjent në krye të një qeverie, ai po manovronte me operativët e tij në funksion të axhendës së vet. Në cilësitë e reja politike ai vendosi kontakte të drejtpërdrejta me francezët përmes konsullatës së tyre në Damask. Me dështimin e planeve operacionale të tilla, britanikët nxitën ndërhyrjen e shteteve arabe në vitin 1948, që u mundën. Kjo solli rebelime në vendet arabe, viktimë politike e të cilave ishte edhe Mardam që u largua nga pushteti. Ai jetoi në Kajro deri në vitin 1960 kur edhe vdiq pa zbuluar deri sa jetoi këtë kapitull interesant të jetës së tij me siguri aspak të zakonshme.
Solli shqip me shkurtime: Skerdilajd Zaimi
Add new comment