Ka edhe Shqipëria ngjarje pa zbardhur...
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2020/11/Edi-Rama_2020_11_09_14.jpg?itok=yrGvqezf)
Kryeministri Edi Rama ka vijuar sot me teatrin hetimor dhe gjykues ndaj Lulzim Bashës për akuzat që janë ngritur ndaj UÇK-së dhe liderëve të saj. Për kryeministrin argëtimi me insinuata nga më të ndryshmet duket të jetë një mënyrë edhe për të fituar kapital politik.
Lulëzim sa më shumë i shmangesh përgjigjes për kontributin tënd në raportin e Dick Marty, aq më shumë e pranon faktin e tmerrshëm se je pjesë e asaj loje të ulët për njollosjen e UÇK, ndërkohë që unë nuk dua ta besoj këtë dhe të bëj thirrje të dalësh e ta sqarosh popullin shqiptar!
Sharjet e akuzat qesharake për mua si fajtor pse në Shqipëri numrat e të infektuarve po rriten si kudo, s’të mbrojnë dot nga kjo hije e të kaluarës që këto ditë të rënda për Kosovën, vetëm zmadhohet e rëndohet nga bishtnimi yt!
shkruan Edi Rama.
Ky është një njeri, një shqiptar, një politikan shumë i shqetësuar për fatin e liderëve politikë të Kosovës dhe ka kapur fajtorin dhe tradhëtarin për fyti e nuk po i lë kusur. Në të vërtetë ky hetues publik ka disa detyrime të tjera përpara sesa të bëjë diversione të tilla që implikojnë Shqipërinë në ngjarje që nuk janë provuar.
Zoti Rama duhet të sqarojë për përgjegjësitë ligjore për Gërdecin me të cilin ndryshoi Kushtetutën dhe rrëzoi Berishën, duke u pajtuar në kodin e heshtjes, duhet të sqarojë se kush është përgjegjës ligjor, jo zhurmues për 21 janarin, nga i cili përfitoi kaq shumë. Duhet ndoshta të sqarojë si njeri i preokupuar me drejtësinë vrasjet e deputetëve, apo vrasje të tjera të bujshme, në mënyrë që çdo shqiptar të ketë sadopak shpresë se jeton në një vend normal. Më pas, pasi të ketë vënë në vend gjërat këtu, mund të luajë me copëza nga dosjet që ka parë e prej të cilave manipulon dhe përfiton politikisht. Zotëria harron këtu tërësisht faktin se është kryeministër dhe duke u rrekur në dukje të mbrojë partnerët e vet në Kosovë, në të vërtetë po bën politikë me goditje poshtë brezit pa pyetur për pasojat.
Add new comment