Teatri i demokratizimit
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2020/11/123751522_10157810283455838_2295850898796654193_o_2020_11_04_14.jpg?itok=7o7lOL20)
Nuk ka në memorien e brezit tonë një moment ku politika të kuptohet pa prezencën e amerikanëve. Të SHBA dhe mesazhit gati dogmatik të tyre për të drejtën e fjalës, zgjedhjet e lira dhe demokratike. Në 30 vjet hapje të Shqipërisë ky ka qenë objektivi i papërmbushur, por që ruante mundësitë objektive për shkak se modeli prej nga frymëzohej ishte real dhe në fuqi. Sot ky model ka pësuar goditjen e vet pas një erozioni të gjatë të krijuar nga mosbesimi i përgjithshëm dhe nga dominimi “demokratik” i demokracisë. Ne mundet të shohim në kohë reale, sulmet, akuzat, dyshimet, predikimet joreale për manipulim elektoral etj., ndaj me këtë situatë që po fermentohet në SHBA vjen dhe bie edhe autoriteti i zëdhënësve të SHBA në botë. Teksa demokracia amerikane ka pësuar kontraktim të fortë, politika e saj e jashtme vijon me të njëjtën muzikë duke krjuar dyshime serioze nëse aftësia për të qenë realist ekziston apo jo. Sot njoftohet se ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka organizuar një:
diskutim virtual mbi zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara mbrëmjen e djeshme me pjesmarrjen e udhëheqësve, përfaqësuesve të organizatave joqeveritare dhe aktivistëve të forumeve rinore politike nga Shqipëria. Grupi diskutoi rolin e rëndësishëm që zgjedhjet e lira dhe të drejta luajnë në një demokraci dhe Ambasadorja Kim nënvizoi rëndësinë që kanë të qenurit i informuar dhe pjesmarrja në proceset demokratike
Aktiviteti, apo biseda nuk ka kurrfarë vlere reale, jo vetëm pse këto organizata janë pa ndikim në jetën shoqërore, por as kanë ndonjë ndikim dhe rol në opinion. Nga ana tjetër zgjedhjet që vazhdojnë nuk janë qysh tani model për t’u ndjekur edhe pse pretendohet se janë demokratike pse zhvillohen në SHBA. Fatkeqësia e kësi aktivitetesh – nëse mund të quhet e tillë – është se mediat apo organizatat janë fasadë e një predikimi politik që nuk përputhet me realitetin. E mira e tyre është se përmes tyre mund të kuptohet kompleksi që shoqëron njerëzit e “jetës publike” në Shqipëri.
Add new comment