Në Itali hidhet një ide e re për karantinën pa efekte në ekonomi
Italia po përballet me një valë të dytë agresive të koronavirusit. Ndërsa qeveria ka vendosur disa masa që janë cilësuar si “karantinë e butë”, autoritetet janë në dilemë për strategjinë që duhet ndjekur për të mos çuar në kolaps sistemin shëndetësor duke mbajtur njëkohësisht hapur bizneset dhe aktivitetet e tjera. Një ide e re është hedhur nga Instituti për Studime Politike Ndërkombëtare, i cili propozon karantinë të plotë për të moshuarit. Sipas ISSP, izolimi i mbi 80-vjeçarëve do të zvogëlonte vdekshmërinë direkte të virusit me 50%. Dhe nëse ky izolim do të niste që nga moshat mbi 60, në mënyrë efektive, vdekshmëria do të binte në 0,07%, rreth dhjetë herë më e ulët sesa është aktualisht.
Në analizën e Institutit për Studime Politike Ndërkombëtare thuhet se "vdekshmëria totale gjatë një viti kalendarik në Itali do të rritet me 71% pa izolim, por vetëm me 18% nëse izolohen moshat mbi 70, dhe vetëm 7% me izolimin e moshës mbi 60”.
“Çdo bllokim i ri - thotë studiuesi Matteo Villa - rrezikon stabilitetin financiar dhe, me pak fjalë, të ardhmen e vendit tonë. Në të njëjtën mënyrë, është e sigurt se nuk mund të mbështetemi as në të ashtuquajturën "strategji e imunitetit të tufës", domethënë ta lësh virusin të lirë të qarkullojë derisa të gjithë ta kenë kaluar”.
Skenari i fundit, sipas Villa-s, do të kishte një kosto shumë të lartë. Në Itali, kjo do të nënkuptonte rreth 42 milionë të infektuar dhe midis 430 000 dhe 700 000 vdekje më shumë. Për të mos përmendur presionin mbi sistemin tonë shëndetësor, që përllogaritet se, në një skenar të tillë, do t’i duhej të përballonte në kujdesin intensiv rreth 110 000 njerëz.
Add new comment