Italianët, në shesh kundër masave anti-Covid
Qindra qytetarë italianë kanë protestuar në qytetet kryesore kundër masave të reja të qeverisë për Covid-19. Ajo që nisi si demonstrim është kthyer në një protestë në disa raste të dhunshme, që ka përfunduar me thyerjen e xhamave të dritareve dhe hedhjen e tymueseve dhe fishekzjarreve. Protesta të tilla ka pasur në Torino, Milano dhe qytete të tjera.
Në sheshin kryesor të Torinos, rreth 300 taksi u rreshtuan në mënyrë paqësore për të tërhequr vëmendjen për humbjet ekonomike që u shkakton rënia e turizmit dhe zhvendosja e punës nga zyrat në shtëpi.
Shkak për kthesën e dhunshme që mori protesta u bë një grup "ultras", siç njihen tifozët e dhunshëm të futbollit.
Në kryeqytetin italian të biznesit, Milano, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit të hënën në mbrëmje, ndërsa të paktën dy persona u arrestuan.
Edhe në qytete më të vogla, përfshirë Katanian në Siçili, u mbajtën protesta të ngjashme. Në Kremona, një qytet në Lombardinë veriore, pronarët e restoranteve dolën përpara zyrës së ministrisë lokale të brendshme. Ata protestuan kundër mbylljes që po u shkakton dëm ekonomik.
Masat e reja u njoftuan nga kryeministri Conte të dielën. Ato parashikojnë mbylljen e bareve, restoranteve, palestrave dhe mjediseve të tjera pas orës 18:00.
Add new comment