Erdogan hedh në gjyq për fyerje liderin holandez të ekstremit të djathtë

Postuar në 27 Tetor, 2020 16:33

Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka vendosur të hedhë në gjyq politikanin holandez të ekstremit të djathtë, Geert Wilders, për postimin e një karikature të tij në Tuiter.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, avokati i Erdoğanit i është drejtuar prokurorit të Ankarasë me padinë për "fyerjen e presidentit", gjë që ligji turk e ndalon.

Fjala është për një karikaturë që e paraqet Erdoganin me një kapele në formë bombe me logon e partisë së tij, AKP dhe me titullin "terrorist".

Erdogan ka pasur një përplasje virtuale me Wilders. Pas karikaturës, ai është shprehur se “ky i ashtuquajtur deputet holandez flet keq për ne. Ndryshe nga ai, ne nuk e pranojmë racizmin dhe fashistët nuk kanë vend në Turqi”.

Wilders vjen nga Partia e Lirisë, një parti e ekstremit të djathtë që është aktualisht forca më e madhe opozitare në parlamentin holandez.

"Pra, njeriu që më quan fashist dhe më parë e ka cilësuar të gjithë Holandën një vend fashist dhe mbetje e nazizmit, tani do të ngrejë akuza kundër meje? Bota është përmbysur”, është kundërpërgjigjur ai.

Kjo përplasje e re vjen pasi Erdoğan shkaktoi reagim të ashpër te liderët evropianë këtë fundjavë, kur ai vuri në dyshim shëndetin mendor të Presidentit francez Emmanuel Macron lidhur me qëndrimin e tij ndaj islamit.

Që kur Erdoğan mori detyrën si president në 2014, mijëra njerëz janë paditur dhe dënuar për "fyerje ndaj presidentit". Muajin e kaluar, media turke BirGün raportonte se numri i njerëzve të gjykuar për "fyerje" ndaj Erdoganit deri tani i ka kaluar 29 000.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.