Pandemia/Para së gjithash duhet të shmangim cunamin
Pandemitë prekin një përqindje të madhe të popullsisë dhe reagimi që kërkojnë duhet të jetë multisektorial për disa muaj, apo edhe vite. Lufta ndaj një virusi që transmetohet në rrugët respiratore, pra shumë ngjitës, mund të fitohet vetëm me vendime të shpejta dhe në kohën e duhur, të bazuara në prova shkencore, të koordinuara në nivel ndërkombëtar ose, minimumi, kombëtar.
Kjo është ajo që bëmë në Itali për të përballuar fazën e parë të Covid-19, nga shkurti deri në maj, të ndërgjegjësuar - gjithashtu dhe mbi të gjitha falë mesazheve të qarta të qeverisë kombëtare dhe Ministrit të Shëndetësisë - se nuk mund të ketë "normalitet" pa ulur fillimisht kurbën e epidemisë.
Në këtë valë të dytë, më të kujdesshëm se disa vende fqinje, të cilat shpejt u futën më shpejt në të, ne kishim hartuar një plan të ndarë në 5 pika për të shmangur rikthimin e situatës dramatike të marsit.
E gjithë kjo është nënvlerësuar kryesisht dhe, në shumë rajone, është injoruar plotësisht. Koronavirusi ka evoluar sa i përket përhapjes, ai është ende virulent dhe patogjen, është i njëjtë (me disa ndryshime të vogla) me atë që ishte fillim: ndryshimi në dëmin që sjell varet ekskluzivisht nga aftësia e qeverive, institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave shëndetësore për të përfshirë provat e prodhuara nga një komunitet shkencor, që shpesh portretizohet si i ndarë për shkak të disa emrave, por në realitet është shumë i bashkuar në propozimin e zgjidhjeve rigoroze dhe efektive.
Ajo që ka ndodhur në Izrael, Spanjë, Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Francë dhe ajo që po ndodh në Belgjikë, Holandë, Poloni dhe Republikën Çeke, duhet të na kishin mësuar se ulja e vigjilencës shumë shpejt bën dëm të tmerrshëm.
Këto vende kanë provuar një valë të dytë epidemike para nesh, që mund të bëhet më serioze se ajo e mëparshme: ka pasur mijëra infeksione të reja ditore në dy javët e fundit, dhe pavarësisht nga fakti që mosha e të infektuarve është ulur, njësitë Covid të spitaleve kryesore po mbushen.
Kjo është ajo çfarë po na ndodh në mënyrë dramatike tani. Të ballafaquar me këtë kërcënim epokal, pothuajse të gjitha autoritetet politike - në Itali dhe gjetkë - po ndjekin një strategji joproduktive, duke hezituar për masa më të rrepta.
Ata ende i druhen dëmit në ekonomi, por nuk e kuptojnë që po shkaktojnë dëme të dyfishta: duke shtyrë kufizimet, qeveritë do të detyrohen të marrin vendime totale për mbylljen, që do të jenë edhe më të dëmshme në të gjitha aspektet, përfshirë atë ekonomik.
Dy javë më parë, pata "parashikuar" që do të kishim 16 000 raste të reja në ditë deri për Krishtlindje nëse nuk do të vepronim me vendosmëri. Nuk e bëmë dhe e arritëm këtë shifër të enjten.
Nuk është e vështirë të kuptohet se rritja eksponenciale me këtë ritëm është absolutisht e paqëndrueshme dhe se, nëse më parë do të ishte e mundur të merreshin masa "proporcionale" që do të ndalonin para "mbylljes" kombëtare, çdo moment që kalon në një fazë të dytë epidemie, potencialisht më e rrezikshme se ajo që tashmë ka shkatërruar Italinë, kjo bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Ka dy arsye: virusi nuk është më i përqendruar në zonat veriore, të cilat janë më të pasura dhe me sisteme më të mira shëndetësore; dhe vala e dytë po ndodh në vjeshtë dhe jo në pranverë.
Ne po shkojmë drejt dimrit, kur viruset e gripit shtohen. Pra, ne rrezikojmë dy epidemi të mbivendosura, në një kohë kur sistemet shëndetësore janë vënë në provë të vështirë. Pas muajsh vuajtje, të gjithë do të dëshironim t'i ktheheshim "normalitetit": të mos ketë kufizime në lëvizje, të frekuentojmë çdo mjedis, të përqafohemi, të mblidhemi së bashku dhe të argëtohemi.
Të gjithë do të dëshironim të rifillonim aktivitetet që kemi bërë "më parë", pa ndonjë kushtëzim apo veshje shtesë (maskat). Por është mirë që politika të ketë guximin të thotë se kjo nuk do të jetë e mundur për një kohë të gjatë dhe të marrë masat e nevojshme shëndetësore dhe ekonomike, gjithashtu për të parandaluar trazirat shoqërore, të cilave po u shihen shenjat e para.
Nuk do të ketë rimëkëmbje ekonomike pa sigurinë shëndetësore, shembulli i Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Brazilit, ku provat shkencore janë injoruar në favor të atyre ekonomike, është i mrekullueshëm: kurrë më parë në histori këto vende nuk kishin një kolaps shëndetësor dhe ekonomik. të këtyre përmasave.
Për këtë arsye, Italia duhet të vazhdojë në rrugën e rigorozitetit, por gjithashtu të aktivizojë një strategji të re të mbështetur nga planet operacionale në nivel kombëtar dhe rajonal, të përshtatur në fazën e re të pandemisë. Konkretisht:
1) Ne duhet të ngremë një sistem të mbikëqyrjes shëndetësore, i cili të ketë aftësinë për të kapur dhe për këtë arsye të aktivizojë herët ndërhyrjet më të përshtatshme për të frenuar krizat shëndetësore si kjo që po përjetojmë. Për ta bërë këtë, ne duhet të vazhdojmë me shpejtësi me dixhitalizimin e informacionit, një proces shumë i dëshirueshëm jo vetëm për sektorin e shëndetësisë, por për të gjithë vendin dhe në këtë pikë jemi të vonuar shumë.
2) Duhet të intensifikojmë kapacitetin e testimit dhe gjurmimit të shpejtë për kufizimin në kohë të shpërthimeve të infeksionit: në këtë kontekst, forcimi i departamenteve të parandalimit dhe fillimi i një fushate agresive informacioni dhe promovimi i gjurmimit teknologjik është thelbësore.
3) Duhet të forcojmë shërbimet shëndetësore, spitalore por mbi të gjitha territoriale, për të shmangur përqendrimin e rasteve në spital, me rrezikun e një përhapjeje spitalore të infeksionit, dhe për të lejuar një shtrim të shpejtë, efektiv dhe të sigurt për pacientët që kanë nevojë për kujdes intensiv.
Kjo duhej bërë që në muajt e verës. Nuk u bë kjo dhe do të ishte me vend të hetohej pse. Por nëse nuk reagojmë menjëherë, do të përballemi me një cunami, i cili që do të “përmbytë” urgjencat shëndetësore, ekonomike, financiare dhe politike që mund të tronditin shtyllat e demokracisë sonë. Duhet ta shmangim këtë në mënyrë absolute.
Burimi: Avvenire
Përkthimi për ResPublica: Gazmira Sokoli
Add new comment