Tregëtia me Vijat e kuqe në Egje
Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis ka deklaruar dje gjatë një konference për shtyp në Bruksel se Greqia ruan të drejtën të mbrojë sovranitetin e vet kombëtar që sipas tij shkon në 12 milje detare. Qëndrimi i tij duket se ka më shumë vlerë retorike pasi ai korrigjon një qëndrim të një dite më parë të ministrit të Shtetit, Girgios Gerapetrits sipas të cilit ujërat territoriale të Greqisë shtrihen në 6 milje detare.
Greqia rezervon të drejtën e pandryshueshme të zgjerojë ujërat territorial në 12 milje detare kurdoherë dhe si ta shohë ajo të përshtatshme. Vija e kuqe për aktivitetin detar turk në Egje janë 12 milje
tha Mitsotakis.
Një ditë më parë, Gerapetritis deklaroi një gjë krejt të ndry shme që duket se nuk mund të merret si konfuzion strategjik i Greqisë, më shumë sesa probleme në komunikimin e strategjisë së saj.
Ne kemi dhënë prova për gatishmërinë tonë. Vija e kuqe është sovraniteti kombëtar dhe kur themi sovraniteti kombëtar ne kuptojmë ujërat territorial që sot janë 6 milje detare…Zgjerimi i njëanshëm ujërave territorial në 12 milje, që është një e drejtë e shtetit grek të cilën do ta ushtrojë kur ta mendojë, nuk është një çështje që mund të shtrohet në momente tensioni
citohet ai.
Duket si një lapsus që është korrigjuar me nxitim nga kryeministri, por e vërteta është në Greqi ka njerëz që mendojnë se lufta nuk është opsion dhe se çdo negociatë e vërtetë nis nga ruajtja e kushteve minimale për kundërshtarin që nuk duhet izoluar apo provokuar deri në atë pikë sa të mbetet pa opsione. Nga kjo pikëpamje kjo “lajthitje”, nëse është e tillë, duket se provon se në Athinë nuk e kanë humbur mendjen për situatën në Mesdheun Lindor dhe se miljet që shpallen në media janë më shumë aspekti tregëtar i asaj që ende nuk po e shohim mirë.
Add new comment