Kundër modelit të Akademisë. A po përgatitet fundi i Universitetit?
Një rrugë e rrezikshme. Pyetja mund të ngjajë retorike, por më besoni nuk është. Ia bëj këtë pyetje vetes, teksa eci në galerinë e rektoratit të Universitetit të Peruxhias dhe shoh i shkujdesur mbishkrimet e shkëlqyera etruske inkorporuar në mure. Institutcione si ky në Itali dhe në Europë kanë qenë shtylla të qytetërimit në 700 vitet e fundit, duke formuar klasat drejtuee dhe orientuar politikat e zhvillimit të planetit.
A do të jetë kështu edhe në të ardhmen? Nuk është e qartë. Sapo kam lexuar për nismën e Google për kurset e formimit online me kohëzgjatje 3-6 muaj në përfundim të të cilëve merret një certifikatë, që konsiderohet nga rekrutuesit e Google i barazvlefshëm me një kurs universitar 4-vjeçar tradicional(Google Career Certificates). Nisma e Google pason njoftimin e Microsoft(Global skills initiative) se do të ofrojë brenda këtij viti mësimin e “aftësive të reja dixhitale” për 25 milionë amerikanë, duke u mundësuar atyre që të tejkalojnë krizën e krijuar nga CoVid-19.
Në pamje të parë të dyja nismat mund të duken një gjë shumë e mirë: të mëdhenjtë e teknologjisë ecin përpara për të ndihmuar atë që ka humbur punën dhe të ofrojnë “aftësi të reja dixhitale” që janë të domosdoshme për t’u rikthyer në punë. Në realitet, siç vëren me kthjelltësi David Leibowitz në faqet e medium.com, ku ka publikuar një copëz të titulluar: Google thotë se nuk ju duhet më universiteti, është fjala për goditjen vdekjeprurëse që mund të përmbytë një sistem universitar tanimë në krizë.
Sipas National Student Clearinghouse Research Center, në SHBA flitet për një rënie të pandërprerë në 8 vitet e fundit, me 11% studentë më pak. Edhe në Europë, sidomos me krizën e CoVid-19, gjërat nuk janë shumë mirë dhe përmbledhja e “Economist” e 8 gushtit të shkuar, është një kambanë alarmi për universitetet angleze që duhet të përballen me largimin e studentëve të huaj për shkak të kufizimeve në udhëtim: deri në 50 mijë dollarë të humbur për çdo student.
Nëse pjesa tjetër e botës po qan, në Itali nuk mund të qeshim. Pritmëria mbi të dhënat e regjistrimeve karakterizohet nga një pesimizëm i përgjithshëm që parashikon një rënie që mund të shkojë deri në 20%. Thuajse të gjitha universitetet po përshtasin infrastrukturat e komunikimit për të mundur të ofrojnë kurse online.
Megjithëse kjo është një masë e arsyeshme, unë mendoj se investimi shumë mbi këtë lloj formimi është një lëvizje e gabuar. Sado të pajisen, nuk do të mund të arrihet profesionalizmi i kurseve online të MIT apo atyre të sipërcituar Coursera. E shumta, si universitet tradicional, mund të ofrojmë një produkt që është imitim i zbehtë i tyre.
Së dyti, që është edhe motivi i dytë më i rëndëishëm për të cilin kjo do të ishte lëvizje e gabuar, është sepse në këtë mënyrë ushqehet ideja se universiteti është thjesht një mënyrë për të ofruar përmbajtje informative ndaj klientëve që paguajnë.
E kujtoj ende debatin interesant të 15 vjetëve më parë në Upsala, ku edhe isha ftuar. Kolegu amerikan, sot rektor në një universitet me emër ku studentët paguajnë tarifa më të larta sesa të ardhurat mesatare të një familjeje italiane, mbështeste me entuziazëm modelin e tij: supermarketin. Studenti/klient është zot dhe padron, zgjedh atë që i pëlqen, paguan dhe ikën në botën e punës për të vjelë atë që pagoi. Unë dhe pak kolegë të tjerë europianë paradoksalisht mbronim, një model të kundërt: Akademinë. Studenti nuk di dhe nuk zgjedh asgjë.
Duhet vetëm të ndjekë profesorin që e udhëheq të mësojë ata që i duket e drejtë dhe e përshtatshme për të. Janë dy modele krejt të papërputhshëm dhe kriza e dukshme e njërit rrezikon të marrë me vete edhe tjetrin, shumë më i konsoliduar dhe prestigjoz.
Sipas Google, kurset universitare tradicionale janë të tejkaluar pasi nuk përputhen më me ndryshimin e ekonomisë. Në një situatë që evoluon, ndryshon, kurset duhet të zgjasin e shumta 6 muaj. Epo të sqarojmë një gjë: qëllimi i universitetit nuk është ofrimi i kompetencave të përditësuara(digital skills), por krijimi i njohurive të reja. Për të dhënë një shembull: detyra e universitetit nuk është edhe aq ajo e mësimdhënies për përdorimin e kompjuterëve në qarkullim sesa për projektimin e kompjuterit të së ardhmes.
Krijimi i njohurive të reja ndodh përmes një procesi komunitar që përfshin profesorët, studentët dhe të gjithë personelin universitar. Njohuritë e reja krijohen përmes kërkimit, mësimit dhe kontaktit me botën prodhuese. Për këtë shërben universiteti dhe jo për kurse aftësimi online. Nëse ky është funksioni i universitetit, atëherë duhet vënë dorë sa më shpejt në mbështetjen dhe rikualifikimin e tij, duke punësuar profesorë të rinj, financuar botën e kërkimit, mbështetur mësimin në auditore të sigurtë, të përshtatshëm, pa harruar motivin për të cilin universiteti ekziston.
Përkthimi nga Avvenire: Skerdilajd Zaimi
Comments
Renia e Universiteteve nuk
Renia e Universiteteve nuk mund te ndalet, sic nuk mund te ndalen per momentin renia e arsimimit ne te gjitha ciklet dhe vendet! Keto kurse interneti dhe gjithe interneti, per fat vetem sa e frenojne sadopak kete ritem renie! Makuteria materialiste e kamuflluar me idera shoujane ambientaliste e te tjera eshte shtuar ne kurriz te arsimimit dhe mesimit shkencor! Por teknollogjia e robotizmit ndikon deri diku qe kjo mangesi e madhe te mos na coje ne kollaps total!
Add new comment