Cinizmi i Lajçak, provë se shtetet shqiptare në Ballkan janë krijesa artificiale

Postuar në 17 Tetor, 2020 15:33

Aktorët politikë të Kosovës kanë nxituar të sqarojnë sipas tyre komentet e të Dërguarit Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, që kërkoi ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës në mënyrë që të përmbushet detyrimi për krijimin e Asosacionit Serb. Isa Mustafa p.sh i ka quajtur “komentet” e Lajçak si të pamatura.

Vlerësoj se deklarata se Kushtetuta e Kosovës nuk është Bibël që s’mund të ndryshohet është e pamatur dhe e pavend. Nëse Kushtetuta nuk është Bibël sipas Lajçakut, atëherë shteti i Kosovës është Bibël për qytetarët e Kosovës. Asnjë zgjidhje që e bën jofunksional shtetin tonë nuk duhet të pranohet. Marrëveshjet për Asociacionin përcaktojnë se ai themelohet në bazë të ligjeve të Kosovës. Bile, Marrëveshja për parimet e vitit 2015 parashihte që akti i Qeverisë për themelimin e Asociacionit si dhe çdo ndryshim i Statutit i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo tani nuk vlen, sepse Gjykata ka thënë që Asociacioni themelohet vetëm sipas Marrëveshjes së parë të vitit 2013. E kemi edhe zotimin e Mogherinit në vitin 2015 se pikëpamja e BE-së është se Asociacioni nuk është pushtet i tretë dhe nuk ka kompetenca ekzekutive. Kosova nuk ka nevojë të ndryshojë qëndrimet, ashtu siç ndërrohen njerëzit në BE

ka thënë Mustafa.

Nuk dihet sa do t’i qëndrojë spektri politik kosovar kësaj që thotë kreu i LDK-së, por qëndrimi i Lajçak zbulon padashur se BE-ja po e kërkon suksesin e dialogut duke fituar simpati në Beograd dhe duke kënaqur më së shumti Serbinë. Të cilës ia toleron edhe të ashtuquajturin Neutralitet Ushtarak, sikundër bën çmos që të shmangë akuzat se ajo ndërhyn në proceset demokratike në Malin e Zi, apo edhe në Maqedoninë e Veriut.

Një sjellje e tillë është jo vetëm shprehi i një tradite në diplomacinë europiane, por edhe e një mbivlerësimi të rolit serb në rajon që vjen e përkufizohet si i tillë për shkak të dobësisë endemike të njësive politike të shqiptarëve. P.sh teksa z. Lajçak bën këto deklarata – që nuk dihet nëse janë qëndrime të BE-së apo komente siç thotë Isa Mustafa - Serbia e Aleksandër Vuçiç vazhdon të trajtojë Kosovën si provincë të vetën ndaj së cilës është e angazhuar t’i njohë autonominë.

Si të pajtosh këtë lloj politike dhe të mos konsiderosh se balanca e peshores anon nga Serbia? Dialogu nënkupton diskutimin e një zgjidhjeje kompromisi, jo të një ultimatumi që kënaq vetëm njërën palë. Asosacioni është asgjë më shumë sesa një levë e shtuar e Beogradit për të ndërtuar një Republika Srpska në Kosovë përmes së cilës do të forcojë pozitën e vet si aktor stabilizues në rajon, por jo përmes forcës së vet, por përmes ushtrimit metodik të idesë se çdo gjë shqiptare mund të sakrifikohet.

Kërkesa e Lajçak për ndryshimin e Kushtetutës ka në të vërtetë një bazë objektive. Shqipëria vetë që hiqet si mëmëdheu i Kosovës, pranoi të operonte Kushtetutën e vet në emër të një reforme në drejtësi që iu soll gati nga Jashtë dhe të cilën e votoi nën presionin e një sms-je diplomatësh. Ajo po vazhdon me operacionin e vettingut që ndjek preferencat e të huajve dhe asgjë më shumë, duke kënaqur sipas rastit pushtetin në Tiranë. Mund të duket si historike një gjë e tillë, të mbrohet me zell nga kryeministri dhe diplomatët, madje të duartrokitet nga qytetarët që presin drejtësinë nga “sorra Europë” sa për të perifrazuar Fishtën, por në të vërtetë lëshime të tilla asgjësojnë çdo autoritet në sferën ndërkombëtare.

Cili shtet do të merrte seriozisht një shtet të tillë që pranon të shkatërrojë hierarkitë e brendshme institucionale, që projekton lojërat politike mbi të gjithë arkitekturën shtetërore pas një kërkese që vjen nga disa burokratë? Cili shtet në Europë pranon sot ndarjen e territorit në funksion të zgjidhjes së disa problemeve personale të njërit politikan apo tjetrit?

Le të marrim një çështje në pamje të parë shumë më minore dhe shumë më pak destabilizuese sesa Kosova, konfliktin kroato –slloven për Gjirin e Piranjës. Për të negocioi BE-ja por pa iu imponuar ndonjë pale.

Në këto kushte ne kemi rastin të shohim se shtetet shqiptare në Ballkan trajtohen si fiksione dhe apandesite politike, si qoshe të krimit dhe trafikut, ku vlen vetëm gjuha e presionit, sepse ashtu edhe janë. Në asnjë vend normal ku të drejtat e njeriut shpallen bazë e Kushtetutës, nuk rrëmbehen njerëzit e deportohen në një vend tjetër, as edhe vriten njerëz dhe nuk ka përfundim hetimesh. Të kërkosh respekt nga ai që nuk ka respekt për veten është absurd dhe kjo e Lajçak është asgjë më shumë sesa një përsëritje e këtij mësimi. Por si mund të ketë respekt për veten ai që nuk ka bërë asgjë për të arritur aty ku është, por thjesht e kanë katapultuar? Po flasim për dy shtete si Shqipëria dhe Kosova, që janë koncesione ndërkombëtarësh, por për ta kuptuar mund të mbajmë parasysh Lulzim Bashën apo Erion Veliajn pasi e tipizojnë vendin me karrierat e tyre. Ka kush respekt për këta?

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Shkurt, qarte dhe haptas: Ksova do te kishte arrire docka me shume ne keta 12 vjet, nese Shqiperia nuk do te ishte kosovarizuar dhe nese Kosova do te ishte shqiptarizuar me shume!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.