Ekskluzive/Biseda Merkel-Rama: BE mbështet bashkëqeverisjen PS-PD

Postuar në 13 Tetor, 2020 01:00

Dje u raportua se kryeministri Edi Rama zhvilloi një bisedë me kancelaren gjermane Angela Merkel që u tha se kishte të bëntë me Planin e Investimit. Redaksia e “Të Kripura” ka arritur të zbardhë një pjesë të bisedës që në të vërtetë lidhet me variantin e bashkëqeverisjes PS-PD pas zgjedhjeve të 25 prillit, një zgjidhje që shihet si më e mira edhe në sytë e BE-së, apo një pjese të saj. Më poshtë një pjesë nga biseda që ka interes për të kuptuar se çfarë po ndodh:

...

Merkel: Përshëndetje z. Rama! Pa maskë?

Rama: Qesh. Zgjat dorën mbi maskën mbi tavolinë:

I bëmë me detyrim edhe në rrugë zonja kancelare! Njësoj si Europa!

Merkel: Njësoj si Europa duhet të jetë Shqipëria, padyshim. Për këtë besoj se jemi të gjithë dakord.

Rama: Padyshim.

Merkel: Gjermania ka investuar shumë besim në Ballkanin Perëndimor, pra edhe në Shqipëri të bindur se kjo është në të mirë të Europës dhe vendeve tuaja. Unë mendoj se me Planin e Investimit kemi dhënë një shenjë të qartë se Europa vepron përtej fjalëve, edhe pse Fjala në familjen tonë ka shumë vlerë.

Rama: Ne si shqiptarë kemi arsye të besojmë më shumë se kushdo tjetër në fjalët tuaja, zonja kancelare. Tërmeti i 26 nëntorit hoqi çdo dyshim edhe te me skeptikët për këtë gjë.

Merkel: Pikërisht këtu duhet të synojmë z. Rama. Në Ballkan nuk është mirë të ketë euroskeptikë, ose më qartë një debat për Europën, sepse procesi I integrimit nuk është mirë të cenohet apo filtrohet nga interpretime kritike, negacioniste. Sigurisht kjo është demokracia dhe ne do ta mbështesim atë pa rezerva, por integrimi është strategjik. Unë shpresoj se ideja e Europës thjesht ka triumfuar përfundimisht në Shqipëri.

Rama: Unë e kam përsëritur prej vitesh që Europa duhet të jetë strategjike.

Merkel: E di. Por edhe Ballkani, Shqipëria duhet të jetë e tillë. Nuk jeni dakord?

Rama: Pa diskutim dhe është mirë që ndonëse në distancë pandemike ne po biem dakord për këtë gjë.

...

Merkel: Të jem e drejtpërdrejtë. Qëndrimet tuaja dhe mënyra e qasjes publike për Kosovën nuk duket se ndihmon në këtë drejtim. Në Europë ka ndjeshmëri për këto çështje.

Rama: Ideja ime është në planin ekonomik, por ju e dini që disa ide nuk ecin pa manovrimin politik. Nuk besoj se ka diçka për t’u shqetësuar.

Merkel: Edhe Shqipëria brenda nuk jep shumë garanci. Kjo nuk duket shenjë e mirë...

Rama: Unë jam ende i gatshëm të mbështes dhe çoj përpara idenë e bashkëqeverisjes me opozitën si mënyra më e mirë për të eliminuar çdo spekullim, për të mos shpenzuar energji të kota, por edhe për të mbajtur në kontroll segmente të caktuara të opozitës. Të paktën derisa të mbyllet formalisht procesi që kemi rënë dakord dhe mandej zgjedhje.

Merkel: Po kjo do të ishte zgjidhja më e mirë. Kuptohet, sepse përkon me interesin demokratik të Shqipërisë dhe me Europën. Besoj këtu ne flasim me të njëjtën gjuhë me shqiptarët.

Rama: Për këtë nuk ka dyshim…

...

Përgatiti: Shaptilografisti

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.