Politizimi i narrativës mbi pandeminë e CoVid-19

Postuar në 12 Tetor, 2020 00:54

Diçka e pazakontë po ndodh me raportimin mbi ecurinë e pandemisë së shkaktuar nga CoVid-19. Në muajt e verës ne pamë një rënie të ndjeshme të rasteve në Europë, ulje të tyre në SHBA, thuajse zerim në Azi dhe probleme që gjithësesi u menaxhuan deri diku në Brazil. Ndonëse parashikimi se virusi do të ikte me vapën rezultoi i pasaktë, njerëzit u lanë relativisht të lirë gjatë muajve të verës duke u vendosur për sa i përket pandemisë përballë dy tipesh kryesore të lajmeve:

Lajmi i parë dhe më dominuesi ishte gara globale për zhvillimin e një vaksine, aq sa u kalua në raportim për testime etj., derisa erdhëm te vaksina ruse e miratuar edhe nga revista “Lancet”

Dhe lajmi i dytë ishte debati mbi modelin suedez të menaxhimit të pandemisë.

Të gjitha dështimet spektakolare të mjekësisë u lanë mënjanë: klasifikimi i virusit, trahtimet në barna, lajmi për respiratorët dhe karantina masive u dukën si eksperiment global i paprecedentë.

Megjithatë me të ardhur tetori, lajmet ogurzeza mbinë si me magji ngado. Shtim rastes në Francë, Itali, Spanjë dhe Gjermani. Mundësi për kufizime masive, mbajtje e detyrueshme e maskës në mjedise të hapura duke zhvendosur fokusin e raportimit nga numri i vdekjeve që ishte në muajt mars-prill-maj te numri i infektimeve. Madje edhe shtrimet mbeten jashtë vëmendjes. Paralel me këtë intensifikim të raportimit të anës së errët të pandemisë, kemi angazhimin e shumë shkencëtarëve që kërkojnë që njerëzimi të lihet të përballë virusin pa ndërmjetësinë e autoriteteve shëndetësore, por patjetër me ndihmën e tyre. Problemi është shumë serioz dhe këtu po duket se nëse në fillim kishim të bënim me teori konspiracioni për pandeminë, tani kemi qartë një vendosje të tij në axhendat politike të aktorëve të ndryshëm.

P.sh dje BBC-ja raportonte se në Britaninë e Madhe ka nisur testimi i efekteve që mund të ketë vaksina BCG - e prodhuar më 1921 dhe përdorur kundër tuberkulozit – për shpëtimin e jetës së pacientëve të prekur nga CoVid-19. Lajmi në fjalë shoqërohej me disa statistika dhe prononcime ekspertësh, ndërkohë që raportimet për ecurinë e vaksinës së testuar ngha Oxford, sa vijnë e kalojnë në plan të fundit.

Nuk e mendojmë atë si mbrojtje specifike ndaj CoVid-19, ka potencialin që të na japë disa vite kohë derisa të vijë vaksina kundër CoVid-19 apo derisa të zhvillohen trajtime të tjera

citohet prof. John Campbell nga universiteti i Exeter që po kryen testimet.

Si vallë u kalua nga muaj në vite për zhvillimin e një vaksine? Si vallë u shuan shpresat në këtë mënyrë për gjetjen e një vaksine që duhet të mbyllë një emergjencë globale, e cila po duket tanimë e tillë më tepër si nevojë politike? Përgjigja është e thjeshtë: Ka të bëjë me raportimin.

Ky është një mesazh shumë çorientues që duket sikur përpiqet të justifikojë ashpërsimin e masave për arsye që tashmë nuk kuptohen më. Trajtimet kundër CoVid-19 janë tanimë thuajse universale kudor, ose më saktë: të gjitha barnat që thuhet se kanë efekt kundër tij gjenden në çdo vend që vuan pandeminë. Numri i vdekjeve në përgjithësi ka rënë ndjeshëm ndonëse infektimet janë shtuar ndjeshëm. Kësaj i duhet shtuar edhe fakti se numërimi i të vdekurve nga koronavirusi ka nisur të rishikohet duke pranuar “disa gabime” në klasifikim. Ai sistem perëndimor shëndetësor që shitej si perfekt po rezulton shumë deficitar jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në seriozitet.

Nuk ka sesi të mos bëjë përshtypje këtu qasja e njëanshme e SHBA në garën për vaksinën, por edhe show i presidentit amerikan me ”shërimin rekord” pas përdorimit të kurës me antitrupa. Sikundër nuk mundet të mos ketë dyshime mbi heshtjen e plotë që mbahet ndaj vaksinës ruse, e cila të paktën duhet klasifikuar nëse është apo jo e sigurtë, pasi është e pashmangshme që ajo të vërshojë në tregun e zi.

Kujdesi në këtë pikë është i domosdoshëm për shkak të pasojave të mëdha që mund të ketë një vaksinë e patestuar mirë, dhe shembujt nga SHBA flasin në favor të kësaj ideje. Çështja është në mungesë të një alternative përfundimtare, dikush po zgjedh sërish alarmin dhe panikun si politikë, për të shmangur përsëritjen e skenarit italian të mars-prillit 2020. Përndryshe nuk shpjegohen këto lajme pa kuptim që mbingarkojnë psikologjinë e të gjithëve dhe që në vend se të vendosin pak qetësi, në emër të rregullit aplikojnë terror psikologjik.

Nuk do ishte çudi që nëse ky raportim që po na shërbehet dështon, të shohim lajmin se virusi ka pësuar një mutacion të tmerrshëm që vret më shumë se më parë. Gjithçka po ngjan përherë e më tepër politike, përpara sesa të jetë logjike. Ose dikush nuk po na thotë të gjithë të vërtetën, për të na ruajtur nga vetja, siç kanë bërë përherë xhanëm.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.