Konsultimi Publik, mision i pamundur. "Qytetarët" preferojnë llogjet në Facebook
Kryeministri Edi Rama ka postuar 7 orë më parë në faqen e tij në Facebook një postim të tillë:
Kjo është një adresë në dispozicionin e secilit e secilës prej jush për të çuar me video, nga celulari juaj, çdo pyetje që të dëshironi mbi çdo çështje të punës a të familjes suaj, komunitetit tuaj apo vendit tonë, që ka lidhje me qeverinë.
Ju mirëpres me kënaqësi dhe me kënaqësi do t'ju përgjigjem edhe unë, për gjithçka kam në dorë të them a të bëj për ju.
Janë të mirëpritura kritikat, ankesat, kërkesat (mundësisht pa sharje) dhe nuk refuzohen as shprehjet e kënaqësisë për ndonjë punë të mirë tonën, që ka ndikuar pozitivisht në punën tuaj a në mbarëvajtjen e punëve në familjen e në komunitetin tuaj.
Ky mesazh është një formë e komunikimit të drejtpërdrejtë që mundësohet nga mediat sociale dhe që në dukje përfshin një të drejtë demokratike dhe mundësi demokratizuese. Në fakt poshtë këtij statusi që nis avazin elektoral të këtij njeriu që zhduket pas zgjedhjeve si sëpata pa bisht, kanë mësyrë për pak orë rreth 600 komente. Një pjesë e mirë e të cilave konsiston në akuza, hamendësime, akuza, konstatime që marrin përgjigjen e rromuzexhiut që punon kryeministër.
Mirëpo z. Rama ka njërën anë të përgjegjësisë për këtë degradim të qëllimshëm të komonukimit. Pjesa tjetër u takon edhe njerëzve që për ironi në Shqipëri quhen qytetarë. Një shembull për ta kuptuar këtë është faqja e Konsultimit Publik ku që prej mesit të vitit 2017 publikohen projektligjet përpara se të kalojnë për shqyrtim në komisionet parlamentare.
Nga një vëzhgim I kryer që nga data 02.06.2017 deri më 10.09.2020, në atë faqe, në rubrikën e qytetarëve ka gjithësej 15 komente, kryesisht lavdëruese dhe asnjë për përmbajtjen e drafteve. Konkretisht komentet projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10433, datë 16.06.2011 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, postuar më 22.02.2019, në Plani Kombëtar për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Infrastrukturës Digjitale Broadband 2020-2025, postuar më 16.04.2020, dhe në projektligjin "Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”, postuar më: 10.06.2020.
Mes komenteve ka edhe disa përgjigje nga ministritë e linjës. Siç mund të shihet konsultimi publik ka dështuar qoftë edhe nëse e krahasojmë me një standard tjetër siç është e drejta e informimit, për të cilën ka shtim kërkesash.
Projektligji për llogaritë bankare p.sh u postua më 9 tetor dhe kishte të mbyllur rubrikën e komenteve nga qytetarët qysh atë ditë, duke ilustruar këtu situatën ku jemi.
Po flasim për një regjistër prej 198 projektligjesh në harkun kohor të 3 viteve e gjysmë duke na bërë të kuptojmë heshtje totale në drejtim të procesit legjislativ. Nëse shtojmë këtu se vendimmarrja as nuk është kontestuar ndonjëherë realisht, mundet të marrim me mend se ligjet në këtë vend propozohen, diskutohen formalisht dhe miratohen nën indiferencën e plotë të pjesës më të madhe të njerëzve, të cilët janë shumë të zhurmshëm që të shkruajnë ndonjë gjë te muri i kryeministrit në Facebook. Ndoshta kërkesa për lirinë e fjalës dhe të shtypit ngjan disi artificiale në një vend ku edhe gazetarët ndahen në lëpirës të njërit krah, apo tjetrit. Që këtej na duhet t’i japim të drejtë Erion Veliajt që shpik dëgjesa publike, por me publikun që ia ka ngenë të dëgjojë përralla të pavërteta, sepse publiku tjetër duke u dëshmuar indiferent, thjesht nuk ekziston. Mesa duket Diktatura është e mundishme, demokracia e lodhshme dhe ne nuk jemi as për njërën, as për tjetrën.
Add new comment