Është mëkat të paguash gjoba në këtë "shtet"

Postuar në 08 Tetor, 2020 14:08

Qeveria ka nxjerrë së fundmi një akt normativ përmes të cilit fal të gjitha gjobat e vëna gjatë periudhës “së infeksionit të shkaktuar nga covid-19 dhe familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore”. Për pjesën e pandemisë, masat administrative që fallen, e madje kthehen përfshijnë kohën mes 17.4.2020 deri në datën 7.10.2020, ndërkohë që për shkeljet në procesin e rindërtimit “falen të gjitha masat administrative të vendosura nga strukturat e njësive të vetëqeverisjes vendore”.

Akti në fjalë mundet të ketë vlerë elektorale, por në parim ai dëshmon natyrën e qeverisjes në këtë vend. Qeevria aktuale nuk bën dallim nga paraardhëset e veta, që veprojnë mbi mendësinë e të fortit.

Të gjitha qeveritë kanë shpallur se janë të angazhuar në procesin e shtetndërtimit, madje bërtasin me të madhe në këtë drejtim dhe në këtë kuadër lexojnë si mjet për ta realizuar këtë ndryshimin e sistemit fiskal dhe shtimin e sanksioneve.

Të cilat asnjëherë, ose thuajse asnjeherë nuk arrijnë t’i ekzekutojnë konkretisht përveçse në letra. Dhe këto letra që njollosin biografinë nuk janë dëshmi e mënyrës spontane dhe improvizuese sesi vepron një administratë. Ato janë pengu mbi biznesin dhe individin, të cilit nuk i ndahet barra e një detyrimi të shpikur arbitrarisht.

Gjoba në vetvete është masë arbitrare dhe aq më tepër bëhet e tillë në një shtet ku detyrimet asnjëherë nuk shkojnë për përmrësim shërbimesh, por për vjedhej dhe shlyerje borxhesh që krijohen nga korrupsioni.

Ky element i brendashkruar në fibrën e qeverive shqiptare merr më shumë kuptim negativ te qeveria aktuale që e nisi me zulmë të madhe bastisjen e vendit, duke folur për burg e gjoba të atyre që pinin kos dy herë me një gotë, për të ardhur sot te falja e gjobave.

Është mirë që një shtet të nxjerrë ligje që kanë kuptim dhe që mund t’i zbatojë. Gjoba për shkelje karantine është 700 000 lekë për personat dhe 1000 000 për bizneset. Po kush është ai që paguan një gjobë të tillë në një vend që sundohet nga hajdutët? Ndaj edhe kemi këto faljet, ndërkohë që mësimi që duhet të marrim dhe të mos e harrojmë është: Është mëkat të paguash gjoba në këtë shtet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.