Vala e dytë e Covid-19, qeveria izraelite vendos bllokimin e dytë
Qeveria izraelite miratoi një bllokim të dytë akoma më të rreptë se ai i vendosur dy javë më parë, për shkak të numrit të madh të rasteve të reja. Vendimi do të hyjë në fuqi nesër (e premte) dhe do të qëndrojë në fuqi deri më 11 tetor, në fund të festave hebreje. Ndër masat që parashikohen janë mbyllja e shërbimeve jo-thelbësore, shmangia e grumbullimeve mbi 20 persona dhe ndalimi i largimit përtej një kilometri nga shtëpia. Sinagogat do të jenë të hapura vetëm për ceremonitë e Kippur-it.
Vendimi erdhi pas një takimi të gjatë në të cilin kishte mosmarrëveshje të thella midis ministrave të kabinetit qeveritar për luftën kundër koronavirusit, veçanërisht në pikën e diskutueshme të mbylljes së vendeve të adhurimit dhe kufizimet e demonstratave.
Tani i takon Knesset-it të miratojë paketën e masave. Sipas ndryshimeve të reja - të cilat do të detajohen në mëngjes - vetëm supermarkete, farmaci, si dhe disa industri thelbësore do të qëndrojnë të hapura. Për demonstratat dhe kufizimin e tyre si në hapësirë edhe në numër ka ngulur këmbë në mënyrë të veçantë Likud, partia e Kryeministrit.
Dy javë më parë, me një vendim të qeverisë së Netanjahut, Izraeli u bë vendi i parë në botë që iu rikthye karantinës për së dyti.
Por gjatë javës së kaluar, numri i rasteve të reja arriti gati 7 000 në vendin me popullsi 9 milionë banorë, çka ka rënduar mbis sistemin shëndetësor.
"Morëm vendimin për të tërhequr frenat e dorës", tha zëvendësministri i Shëndetësisë, Yoav Kisch.
Add new comment