JO, shpërndarjes së detyruar të azilkërkuesve. BE-ja është diçka më shumë se Franca dhe Gjermania
Strategjia e re e Bashkimit Europian për vendosjen e kuotave të detyruara për pranimin e azilkërkuesve nga vendet anëtare, nuk është mirëpritur. Kundërshtitë e para kanë ardhur nga Austria, kancelari i saj konservator, Sebastian Kurz, sipas të cilit kjo ide dështoi në vitte 2015-2016 dhe do të dështojë sërish.
Ne konsiderojmë se shpërndarja në Europë e azilkërkuesve ka dështuar dhe shumë shtete e kundërshtojnë një gjë të tillë. Nuk ka për të funksionuar
është shprehur Kurz në një intervistë për agjencinë franceze, AFP.
Propozimi në fjalë u promovua nga kryetarja e Komisionit Europian, Von Der Leyen e cila në një fjalim të vetin para Parlamentit Europian e quajti emigrimin si “një fakt të jetës”. Strategjia e re që duhet të marrë votën e të gjithëve parashikon që barra e azilkërkuesve të ndahet mes 27 shteteve anëtare, një shenjë kjo solidariteti por edhe politike ekonomike me një fluks të ardhurish që kryesisht hyjnë në BE nga Spanja, Italia dhe Greqia. Kurz nga ana e vet ka përsëritur idetë e tij të njohura të vitit 2016, kur ai propozoi madje ndërtimin e kampeve të pritjes në vendet jashtë BE-së, por në kufij me të, e mes të cilëve u përfol edhe Shqipëria.
Ne mund ta zgjidhim këtë çështje të gjithë së bashku…Mbrojtja më e mirë e kufijve të jashtëm të BE-së, një forcë e përbashkët kundër trafikantëve, por edhe një ndihmë e përbashkët për vendet e origjinës, kjo është rruga që na duhet…BE-ja është diçka më shumë se Franca dhe Gjermania
ka thënë kancelari austriak.
Ai ka lënë të kuptohet se Austria, që hyn te vendet e mesme të Europës për nga madhësia dhe popullsia do të kërkojë aleancë me vendet e Europës Lindore dhe Qendrore, që kundërshtojnë politika të tilla migratore, duke paralajmëruar një ndarje të thellë në kontinent.
Gjermania duket se udhëhiqet nga nevojat ekonomike në hapjen relative ndaj emigrantëve, por edhe nga ambiciet për të rritur ndikimin në zona që duket se po braktisen nga Fuqi të tjera të Mëdha. Problemi është se në këtë qasje tani që ajo kontrollon Komisionin, i duhet të marrë dhe kultivojë përherë konsensusin me anëtarë të tjerë. Sa e vërtetë është kjo mund ta kuptojmë nëse sjellim ndërmend qëndrimin e presidentit francez Emmanuel Macron ndaj zgjerimit të bllokut me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Serbinë, kundër të cilave ai ndër të tjera solli edhe argumentin e azilkërkuesve.
Dhe nga ecuria e debatit të tanishëm, nuk është çudi që të përcaktohet e ardhmja e BE-së, por edhe e qëndrimeve të tij ndaj vendeve si Shqipëria që ka shënuar rekorde si vend origjine për azilkërkues.
Add new comment