Debati i deformuar për shkollën është një shaka idiote që duhet shmangur
Në mediet pranë opozitës dhe nga vetë partia kryesore e saj, ajo Demokratike, ka nisur një presion i madh, gati i përditshëm ndaj qeverisë, për situatën e krijuar në shkolla. Raportohet shifra të mësuesve të prekur nga CoVid-19, raste të reja të infektimeve etj., duke krijuar kushtet e një debati si ai që dëshmuam në muajt e parë të pandemisë. Nëse kthehesh pas në kohë sheh se PD-ja ka qenë asgjë më shumë sesa një tellall i apokalipsit që nuk erdhi kurrë duke bërë thirrje për mbyllje, pastaj duke folur për të drejtat e shkelura nga mbyllja, pastaj për mungesë shtretërish e respiratorësh, për të vazhduar mandej me ngritjen në kupë të qiellit të problemeve të ngritura në kronika të ndryshme televizve.
Sigurisht që këto të gjitha qëndrojnë, vetëm se një parti politike nuk është media që raporton dhe denoncon, ajo jep edhe alternativë. Një të tillë ajo nuk e ka dhe nuk e ka as për çështjen e shkollës. Është shumë e thjeshtë që sot të shkosh nëpër shkolla e të shikosh sesi shkelen rregullat e distancimit, sesi as mësuesit vetë nuk mbajën maskë në disa raste. Por puna është si ta zgjidhësh këtë? Si të organizosh disiplinimin e një shoqërie që në përgjithësi i jep shpjegime origjinale dhe të vetat edhe historisë së kozmosit?
Sepse në fund të kjo na duhet sot, një variant për të konkuruar zgjidhjet e qeverisë dhe qeverive që janë dorëzuar para skenarit tradicional: distancim – vaksinim.
Debati aktual i ushqyer nga PD-ja dhe mediat e saj nuk është i pavërtetë. Ai është tinzar dhe gati i papërgjegjshëm në aspektin se mundet që të çojë apo shtyjë qeverinë drejt përsëritjes së mësimit online për fëmijët dhe kjo do të ishte një goditje shumë e madhe. Të gjithë ne provuam se çfarë do të thotë mësim online, se çraë do të thotë të mbash fëmijët larg ambienteve të shkollës dhe kontakteve me bashkëmoshatarët. Sesa e dëmshme është një gjë e tillë. Dhe përmbi të gjitha a llogarit kush faturën e kësaj “zgjidhjeje”?
Mësimi online do të thotë regjim shtëpie për fëmijët dhe qëndrim i detyruar i një pjese të prindërve me ta. Si do të zgjidhet një gjë e tillë për ata prindër që janë në sektorin privat dhe nuk e lënë dot punën? Me besimin te fjalët e një kryeministri karagjoz që të thotë denonco atë që nuk të paguan sigurimet, ndërkohë që vetë gënjen në mes të ditës për të ashtuquajturën pagesë të tretë, apo vjen vërdallë duke luajtur me fjalë me ministra çerra që i rendin nga pas për t’i bërë hosana?
Është një shaka nga ato të cilat nuk harrohen lehtë sepse po çon në rrënim të plotë familje të tëra. Në vend se të ofrohet një alternativë, një sugjerim, kemi denoncime për të cilat ç’është e vërteta nuk duhet PD-ja e cila thjesht sa bën pazarin me qeverinë. Për ilustrim kemi rastin e fundit kur postimit të z. Rama të djalit të vet që shkonte në shkollë i shtrohej pyetja: në çfarë shkolle shkon?
Dhe pamjet flasin se nuk bëhet fjalë për shkollë publike. Në këtë vend jetojmë, në këtë kazan llozhrash që quhet Shqipëri: ku një kryeministër shpallet shërbëtor i popullit, shpall reforma ekzemplare në shëndetësi dhe arsim, por të afërmit i kuron në spitale private dhe fëmijën e çon në shkollë private. Kështu janë edhe këta zengjinët e PD-së që vodhën 8-vite rresht. Ndaj teksa flasin për Ne të tjerët, në fakt luajnë teatër dhe nuk kanë probleme të veta dhe për sorollopin e tyre. Problemet na i krijojnë neve. Është mirë të na i kursejnë, qoftë edhe kur janë pasojë e idiotizmit të tyre kronik.
Add new comment