Ministrja e Kulturës: Për Butrintin janë disa që nuk duan të kuptojnë
Plani i ri i menaxhimit të parkut të Butrintit nuk parashikon menaxhim të tij nga të huajt, por partneritet të shtetit shqiptar me partnerë strategjikë, për një menaxhim më të mirë. Kështu u shpreh përmes skype për TvT, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndërsa flet për planin e ri të menaxhimit të Butrintit.
“Ky plan është miratuar tashmë me vendim të Këshillit të Ministrave, një bashkëkoordinim i Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit. Për të gjithë ata që nuk duan të kuptojnë, ky plan nuk është në menaxhim nga të huajt, por ky plan rekomandon linja të reja bashkëkpunimi nëpërmjet partnerëve strategjikë. Menaxhimi kryhet gjithmonë vetëm nga shteti shqiptar, i cili është gjithmonë pjesë e këtyre formave të reja të menaxhimit dhe patjetër që ka të gjitha detyrimet dhe aktualisht të gjitha format e kontrollit që ka, dhe vetëm hap mënyra të reja bashkëpunimi me partnerë strategjikë, për sa kohë fiton nëpërmjet këtyre partnerëve më shumë benefite dhe duke thithur më shumë të ardhura për Butrintin".
Sipas Margaritit, në shumë vende të botës menaxhimi i siteve kryhet nëpërmjet fondacioneve.
“Në shumë vende të botës, menaxhimi i siteve kryhet nëpërmjet fondacioneve. Ajo çfarë po arrijmë të bëjmë nëpërmjet planit të menaxhimit të integruar të Butrintit është të kemi linja giudë, jo vetëm për pjesën e trashëgimisë kulturore, jo vetëm për bërthamën arkeologjike, por plani është një plan më i gjerë, një fondacion, që lind për menaxhimin e pjesës së bërthamës arkeologjike, në kuadrin e planit do të sjellim më shumë benefite edhe në pjesët e tjera të parqeve të mbrojtura, më tepër benefite edhe për komunitetin, më tepër benefite për kërkimin shkencor, për edukimin, për çdo element si kulturor, edhe atë natyror”.
Ndërkohë, përsa i përket atyre që kundërshtojnë planin e ri të menaxhimit të Butrintit, Margariti vëren se pika e përbashkët është që të kemi në fokus të mirën e Butrintit dhe të shohim Butrintin që do kemi pas tre apo shtatë vitesh.
Sipas Margaritit, synohet që nëpërmjet këtij partneriteti dhe plani të ri të menaxhimi, të katërfishohen për katër vitet e para injektimet me të ardhura në Butrint.
Add new comment