Një rregull absurd dhe me kosto

Postuar në 10 Shtator, 2020 23:19

Administrata shqiptare prodhon përherë situata absurde të cilave shpjegimin ua jep vetëm ajo si kategori groteske. 
Ja një rast që ngjan i çuditshëm: aplikimi për pasaportë biometrike. 

Ky dokument gjenerohet mbi bazën e të të njëjtave të dhëna personale si karta e identitetit, por në ndryshim prej kësaj të fundit ajo e mundon më shumë qytetarin. 
Ja çfarë ndodh: nëse aplikon për kartë identiteti mund të zgjedhësh nje nga sportelet e kompanisë aleat kudo që ajo ndodhet. 

Kjo nuk ndodh për pasaportën të cilën e kërkon si formë aplikimi në njësinë administrative ku banon. Aplikimi për pasaportë ka si dokumentacion shtesë një të ashtuquajtur formular vetëdeklarimi që siglohet nga inspektori I policisë së zonës. Kush aplikon e di shumë mirë se inspektori e ka angari atë punë dhe përgjithësisht I kalon firmat pa kontrolluar. Këtë formular mundësisht brenda ditës ia përcjell Gjendjes Civile ku qytetari duhet të paraqitet për ta tërhequr. Me atë letër në dorë dhe kuponin paraqitet te kompania.

Nëse pyet pse ndodh kjo, të përgjigjen se bën verifikim policia. Mirëpo çfarë verifikimi bëka policia mbi bazë rajonesh kur dihet se ajo vepron me një bazë të dhënash? 

Nga ana tjetër: çfarë verifikimi bën kjo polici për një emigrant që ka 20 vjet jashtë Shqipërisë dhe pse ka rol një inspektor policie ta zëmë në Përmet për një qytetar që ka vendbanimin aty por realisht ka 15 vjet në Pukë apo Durrës?

Kjo logjikë administrative i kërkon çdo aplikuesi minimalisht tri ditë kohë ndërkohë që emigrantët mund të aplikojnë dhe tërheqin pasaportën online duke u paraqitur në konsullatë. 
Dhe është një logjikë që nuk jep asnjë arsye pse duhet të jetë.

Këtu nuk po flasim për cilësinë e shërbimit nga kompania por vetëm për një rregull që nuk mund ta kërkosh te standardi i barkderrave.

Është ndoshta një mënyrë për t’i kujtuar qytetarit: nuk shpëton kaq kollaj edhe pse shyqyr që kanë afat 10 vjeçar e për një dekadë nuk ke fatkeqësinë të shijosh se sa mirë është të jesh shqiptar. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.