Vesiç, Veliaj, Vuçiç, Rama - lehjet e ngjashme "patriotike" në Ballkan
Në Serbi ka lindur një debat mbi vendosjen në Beograd të monumentit të Stefan Nemanjës, thmelues i dinastisë së Nemanjiçëve që sunduan tokat serbe gjatë dy shekujve në Mesjetë. Monumenti është porositur në Rusi dhe ka për autor skulptorin Alesander Rukavishnikov që siç thuhet do të jetë i pranishëm personalisht në vendosjen e monumentit.
Nëkryetari i Bashkisë së Beogradit, Goran Vesiç ka komentuar me këtë rast edhe sulmet e asaj që i quajti “elita e rreme e Serbisë”.
Ata nuk e kanë me lartësinë e monumentit, as me dukjen e tij. Ata bezdisen thjesht nga fakti i vendosjes së monumentit të Stefan Nemanjës, sepse Serbia është e fortë dhe krenare dhe ideologjia e tyre është që Serbia të jetë e dobët dhe që t’i kërkojë falje kujtdo. Kështu që urrejtja e tyre ndaj monumentit është ideologjike
citohet ai.
I duhet shtuar kësaj kujdesi për të theksuar se “shumica e serbëve e mbështesin vendosjen e monumentit të Setafn Nemanjës”, një aspekt ky formal retorik i legjitimitetit të çdo marrëzie. Vendosja e një monumenti nuk celebron vlerat e historisë, sepse ai i invokon ato në një diskutim aktual të shoqërisë. Nemanjiçët përfaqësojnë apogjeun e serbëve në Mesjetë dhe për të sot kujdeset Serbia e Vuçiçit që mendon se është aq e fortë sa të manovrojë si fuqia e madhe e Ballkanit.
Problemi këtu është se delire të tilla që u panë edhe në Maqedoninë e Gruevskit, përveçse krijojnë kontekste toksike për të folur mbi historinë, i përdorin monumente apo simbole të tilla si haljmali të një ligjërimi që përndryshe nuk ka asgjë të vërtetë. Serbia nuk është as e fortë sot dhe nuk ka ndonjë gjë për t’u krenuar. Ajo është një vend normal që ka problemet e veta dhe që po del nga bataku i një narrative të sëmurë. Nuk e bën atë më të fortë një monument të cilit I mvishen nota ideologjike dhe jo vetëm historike.
Këtë problem, pra të refuzimit për ta parë kontestimin si një mundësi për dialog me ata që mendojnë ndryshe e shohim edhe në Shqipëri, në Tiranë. Një vend ku absurdi është ku e ku më i madh se në Serbi, ku të paktën po vendoset një monument me autor një skulptor dhe që përfaqëson një figurë reale historike.
Në Tiranë, në Shqipëri madje, po ndërtohen rrugë, lyhen bulevarde dhe prishen objekte historike për gustot e një njeriu të vetëm. Që dështimin e vet si artist e shndërroi në hakmarrje personale, në trill të sëmurë mbi trupin e një qyteti që po e mbjell me kulla dhe po e lyen e zhgërryen si kravatat e veta.
Ngjashmëria ecën më tej kur shesh sesi Vesiçi i Beogradit është po aq klloun sa Veliaj i Tiranës kur pohojnë me sy mbyllur dhe mendjen në gjumë akuzat për “elitat false” apo pakicat e zhurmshme që duan të pengojnë zhvillimin. Autizmi në pushtet është provuar fatal dhe herët apo vonë ne do të dëshmojmë se madhështia dixhitale e liderëve si Vuçic dhe ky piktori në Tiranë do të shkërmoqen për të nxjerrë në pah në ndonjë rast edhe pasuritë e pazakonshme të njërit apo tjetrit. Një shans për ta kuptuar mirë të ashtuquajturën “elitë liberale” apo “nacionaliste” në Ballkan, ku Plaçka duhet të jetë Flamuri i vetëm i Federatës së vetme që mund të gjallojë këtu: ajo e hajdutëve.
Add new comment