Sfida e CoVid-19, dyshimet mbi vaksinën dhe të panjohurat e imunitetit të njeriut

Postuar në 17 Gusht, 2020 04:35

Përgjigja ndaj koronavirusit të tanishëm është zhvendosur drejt imunologjisë. 6-7 muaj pandemi me 20 milionë të prekur zyrtarisht dhe qindra mijëra të vdekur, kanë prodhuar të paktën një përvojë klinike të mjaftueshme dhe një bazë statistikore që mund të ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi. Megjithës perspektiva imunologjike kufizon shqyrtimin duke vendosur një relacion të veprimit të virusit me njeriun në funksion të fitores mbi të, ajo mbetet së paku një qasje më racionale sesa kundërveprimi reaktiv i fazës së parë.

Dhe në këtë kuadër skenarët nuk janë shumë optimistë, ndonëse zhurma për një vaksinë ka kapur titujt kryesorë të mediave botërore. Mungesën e optimizmit e sjell fakti se në komunitetin shkencor nuk ka konsensus për këtë që po ndodh dhe atë që pritet të ndodhë. Nuk ka deri më sot dakordësi mbi imunitetin e fituar të atyre që rikuperohen, antitrupat e tyre, kohëzgjatjen dhe efektivitetin, sikundër nuk ka ende një përgjigje se përse disa preken e disa jo. Nuk ka dakordësi as për pasojat e virusit në përgjithësi mbi shëndetin ndërkohë që kurat e përdorura janë sugjerime studimesh statistikore që kërkojnë njohuri praktike për t’I përdorur me efektivitet.

E sigurtë duket se është se virusi po ndryshon, ai nuk i shpëton ligjësisë së viruseve. Kërkues të universitetit Rockefeller thonë se mutacioni i pritshëm i virusit mund të zhvlerësojë përballjen imunitare të fillimit duke qenë se sistemi ynë sërish mund të gjendet i papërgatitur ndaj elementëve riprodhues të virusit. Kjo u provua në fazë eksperimentale kur goditjes me antitrupa i shpëtuan disa viruse që u konstatua se kishin mutacione që anashkalonin antitrupat e sulmit. Kërkuesit sugjerojnë përdorimin e një kokteili antitrupash për të bllokuar proteinat lidhëse të virusit ndonëse për ta shndërruar këtë në kurë apo vaksinë efektive kërkohet ende shumë punë.

Prekja nga CoVid-19 dhe graviteti i sëmundjes në disa persona duket se ka arsye më komplekse nga sa mendohej. Në një studim me 76 pacientë dhe 69 persona të shëndetshëm, kërkuesit nga universiteti i Stanford konstatuan nivele të larta të molekulave që provokojnë inflamacionin e gjakut te të sëmurët rëndë. Tri prej këtyre molekulave asociohen me inflamim mushkërish në sëmundje të tjera dhe këto mundet të jenë pikënisje për një kurë efektive. Në të njëjtën kategori, pra pacientë të sëmurë rëndë u gjetën mbetje bakteresh, që sugjeron mbivendosje ose katalizim infeksioni të rëndë, ndërkohë që një nga gjetjet më të rëndësishme është fakti se te të sëmurët rëndë sistemi i lindur imunitar paralizohej me përkeqësimin e sëmundjes. Kërkuesit mendojnë se molekulat që nxisin inflamacionin në gjak bëjnë dallimin mes një rasti të rëndë dhe mesatar, kur nuk prodhohen nga qelizat e gjakut, vijnë me gjasë nga mushkëritë, vendi i infeksionit, duke hedhur dritë deri diku mbi hipotetizimin se pse disa preken rëndë dhe disa jo.

Kjo larmi në përgjigjen imunitare ndaj koronavirusit shtron logjikisht pyetjen se si do të përgjigjet sistemi ynë edhe ndaj vaksinës që parimisht konsiston në një virus të holluar. Vaksina është aktualisht çështje kryesisht politike përpara sesa të jetë çështje shëndeti publik dhe me lajmet se ajo ka nisur të prodhohet ka afektuar qysh tani pritmëritë. Mirëpo edhe këtu qëndrimet variojnë. Në një diksutim me gazetën izraelite “Haaretz”, profesori i universitetit të TelAvivit, Jonathan Gershoni thotë se nuk do të ketë një vaksisë së afërmi.

Sipas mendimit tim do të ketë mjekim të mirë përpara sesa të ketë një vaksinë…Duhet të pranojmë se po përballemi me një forcë të natyrës. Nuk ka negociata me virusin. Ka sëmundje për të cilat nuk ka vaksina dhe ne kemi mësuar të përballemi me to si AIDS dhe është më e lehtë të mbash një maskë sesa një kondom

shprehet ai.

Gershoni ka një akuzë edhe për kolegët që deklarojnë se virusi ka ndryshuar dhe është bërë më agresiv.

Kjo më tërbon. Virusi nuk ka ndryshuar. Nuk është as më agresiv, as më i dobët

vijon ai.

Megjithatë pyetje qëndrore është nëse virusi gjeneron imunitet te njeriu. Dhe kjo pyetje mbetet në thelb, ose më saktë teknikisht pa përgjigje shteruese.

Ka katër lloje koronavirusesh që sulmojnë njeriun. Me dy prej tyre jemi familjarizuar që në vitet ’60 – pak ollë, temperaturë dhe rikuperojmë. Sëmuremi sërish sezonin pasues. Ky është fakt

shpjegon shkencëtari izraelit.

Fakti se pse infeksioni përsëritet nuk shpjegohet mirë vetçse me konstatimin se përgjigja imunitare nuk është aq e fortë sa duhet. Me CoVid-19 sipas Gershonit shihet prodhim antitrupash, por që asgjësohen me kalimin e kohës. Nisur nga graviteti I sëmundjes, imuniteti dhe kujtesa imunitare është shpresa kryesore. Por kjo nuk ndodh dhe konfirmohet gjerësisht. Një arsye është fakti se trupi pastrohet nga virusi përpara sesa sistemi imunitar të zhvillojë kujtesën e vet, por kjo është hipotezë. Megjithatë ai këmbëngul se është e pamundur që një njeri të infektohet dy herë, të paktën brenda një kohe të shkurtër. Këtu Gershoni vë në dukje një tjetër aspekt shumë delikat që ka implikime të mëdha. Sipas tij kapërcimi i fazave klinike të vaksinës kompromenton jo vetëm sigurinë e tyre dhe me gjasë shëndetin e njerëzve, por rrezikon t’i japë goditje besimit te vaksina, sidomos kur efektet anësore ta zëmë mund të shfaqen 12 muaj më pas.

Kur ne planifikojmë të vaksinojmë pjesë të mëdha të popullsisë së botës nuk mund të lëshojmë te siguria...Para pak vjetësh Sanofi tërhoqi një vaksinë që kishte zhvilluar kundër etheve tropikale. Me këto të fundit dhe me gjasë me koronavirusin ekziston një dukuri që quhet “përmirësimi nga varësia nga antitrupat”. Nëse infektohesh për së dyti, mund të ndodhë që antitrupat që ke zhvilluar nga infeksioni i parë ta rëndojnë sëmundjen. Imagjinoni pra se ka një vaksinë kundër CoVid-19 por del që ata që janë vaksinuar zhvillojnë sëmundje serioze

deklaron ai.

Kjo mund të imagjinohet fare lehtë sidomos kur e shumëzon me mënyrën sesi aspekte të tilla thjeshtohen në mediat sociale dhe përhapen si skenarë për asgjësimin e njeriut. Në këtë kuptim shumë informacion nga të gjitha drejtimet ngjan si një lloj mbidozimi ndaj të cilit pakkush në mos askush  ka zhvilluar antitrupa.

ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.