Toyota Yaris, mbyllin gojën dy zhurmuesit e 3.4 milionë eurove
Hetimi për të famshmen Toyota Yaris është mbyllur me komiken akuzë: Mosdeklarim të ardhurash në kufi.
Pra gjashtë persona do të ndiqen dhe hetohen se pse nuk deklaruan burimin apo se kishin me vete 3.4 milionë euro.
Që nga momenti i djeshëm kur prokuroria vendosi të reduktonte dosjen në këtë akuzë, politika ka heshtur.
Ka heshtur zhurmuesi Lulzim Basha që akuzonte Taulant Ballën se ishte garanti i parave dhe se po pastrote para të pista. Ka heshtur edhe Taulant Balla që rrëmoi e gjeti një lidhje të Bashës me një nga të akuzuarit.
3.4 milionë euro nuk dihet si do të administrohen, por akuzë nuk ka. Ndërkohë që OFL-ja po bën namin në zbulimin e parave të pista dhe po çona bazmatanë derë më derë, ky proces hetimor, i ashtuquajtur i tillë, na ilustron se në çfarë konsiston drejtësia e re.
E kujtoni Orest Sotën e 800 mijë eurove? Pak a shumë e njëjta gjë edhe tani: shtyjmë hetimet se çështja do harrohet. Versioni i prokurorisë për mosdeklarim të ardhurash është në fakt më konvenienti për të dyja palët e politikës shqiptare që po pastrojnë në letra atë që shkruajnë vetë kur bëjnë sikur zbulojnë skandale.
Add new comment