Prapë duhet të intubohemi me "të keqen më të vogël"?
Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani citohet sot nga disa media të jetë shprehur ndër të tjera se:
Respektoj të gjithë ata që kritikojnë Lulin dhe opozitën, aq sa ç’respektoj dhe veten time që e bëj këtë gjë. Por e keqja më e madhe nuk është te opozita.
Shigjetimi ndaj opozitës është justifikimi për të bërë lojën e Ramës
E has njeriu shqiptar bezdisshmërisht shpesh këtë lloj filozofie që të akuzon se çdo mënyrë të menduari ka nga pas një motiv të një pale të tretë. P.sh dikur je në shërbim të turqve, grekëve, je filorus, filosllav, islamik e katolik. Por në asnjë mënyrë ti nuk je i pavarur në mendimet e tua. Pra që mund të admirosh kulturën, apo arritjet e një shoqërie si pjesë e një analize vetjake, qoftë edhe e njëanshme. Jo. Je i shitur, i blerë, i manipuluar. Të vërtetën e dinë vetëm të tjerët, ata që gjenden përherë në klane e parti, që drejtojnë media, që afirmohen me dashamirësi grupi. Etj.
Opozita sot është e KEQJA. Sepse ajo ka vënë në pikëpyetje dëshirën për ndryshim pasi ka asgjësuar mundësinë për një ndryshim real dhe e fsheh këtë dështim pas alibisë se po vidhen zgjedhjet. Të shigjetosh sot opozitën siç shprehet z. Manjani, është në fakt të shigjetosh atë që NUK ËSHTË, sepse dihet fare mirë që ky diskutim as që do të lindtte nëse opozita nuk do të kishte lulëzuar në dështime. Ndaj ajo që hiqet si Opozitë duhet INJORUAR. Dhe këtë z. Manjani padyshim që e di mirë, por siç e dimë ai vjen nga një parti që në 2013-ën quajti të keqe më të vogël Edi Ramën. Sigurisht si forcë e re, LSI-së i tolerohej asokohe naiviteti – karakteristik për këtë forcë - ndaj edhe populli ia fali gabimet që bëri për hir të progresit. Por si ta hash tani karamelen për së dyti? Se mirë të akuzojnë se bën lojën e Ramës, qameti do dukesh si lebroz. Por të të thonë që ike me Lulin, është njësoj sikur të të japin njoftimin se je për intubim.
Add new comment