Koronavirusi të punon 100-in... Por shqiptarët po i informon vetëm Interneti

Postuar në 29 Korrik, 2020 15:46

Nga 125 skanime në ditë, 25 rezultuan me pneumoninë tipike të CoVid-19. Kjo është një e dhënë ditore e një spitali në një nga qytetet e Shqipërisë. E dhënë që na jep të kuptojmë se aktualisht epidemia është realitet i përgjithshëm në jetën tonë. Sipas të dhënave të fundit, shtama që po qarkullon jep simptoma edhe te 14-15 vjeçarë, ndërkohë që edhe persona që e kalojnë sëmundjen në këmbë, pra pa nevojë shtrimi, kanë probleme serioze në mushkëri që duhen ndjekur gjatë.

Trajtimi i kësaj sëmundjeje në Shqipëri po kryhet në mënyrë të thjeshtë dhe mesa duket jo përfundimtare. Kemi raportimin e ISHP-së për të infektuarit, të shtruarit, intubuarit, të vdekurit dhje të shëruarit. Por në asnjë rast të vetëm nuk kemi dëgjuar apo parë një mjek, apo përfaqësues të flasë për fazën e rehabilitimit dhe pasojat e virusit. Në këto kushte jemi të gjithë pre e internetit dhe studimeve të publikuara nga qendra të huaja, popullsia e të cilave mund të ketë karakteristika të ndryshme.

Koronavirusi prek trurin, enët e gjakut, veshkat. Ai prek zemrën, sidomos miokardin, ndërkohë që nga Britania e Madhe na vjen haberi se të prekurit nga CoVid-19, ata që janë shtruar në spital, mund të preken nga sepsi brenda një viti. Kush do na informojë për të gjitha këto? Kush do ta njoftojë popullsinë, pacientin për komplikimet e mundshme? Interneti? Frika e vet, apo shëndetësia?

Kanë kaluar 6 muaj nga nisja e epidemisë dhe është koha që të flitet për personat që sot konsiderohen të shëruar, sepse ky term në kuptim të pastrimi nga virusi i gjurmuar me tampon, nuk nënkupton një status normal shëndetësor.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.