Tomorri: Bankat që u mashtruan nga Kurumi janë Raiffaisen, ABI, OTP dhe BKT
Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, thotë se raportimet në mediat turke, sipas të cilave kompania “Kurum” ka marrë 210 milionë euro kredi nga bankat shqiptare përmes bilanceve fiktive, duhet të shërbejnë si nxitje për nisjen e hetimeve. Në një analizë në studion e lajmeve në TvT, Tomorri tha se kompania "Kurum" ka detyrime ndaj disa prej bankave më të mëdha të vendit.
“Shifra e saktë e detyrimeve që Kurum dhe kompanitë e lidhura me të kanë ndaj bankave është 179 milionë euro. Janë një sërë bankash që kanë rënë pre e kësaj loje. Në krye të tyre qëndron një institucion financiar, IFC, që i ka dhënë rreth 47 milionë euro kompanisë Kurum. Është një kredi e pashlyer, edhe pse është riskeduluar. Në krye të bankave qëndron Raifaisen me mbi 11 milionë euro, ish-banka NBG që sot është ABI, Societe General që është kthyer në OTP, BKT etj. Edhe autoritetet në Shqipëri duhet të fillojnë hetimin. Dyshimet janë për një mashtrim pasi janë dhënë 115 milionë euro nga bankat shqiptare, një pjesë ka qenë e pasiguruar. Më pas, dihet se Kurum iu nënshtrua falimentit, u ristrukturua”, tha Tomorri.
Para një rasti të tillë, Tomorri tha se koha ka treguar se hetimet dhe ndëshkimet janë kryer për të pafuqishmit.
“Në Shqipëri duket sikur nuk nisin hetimet për asgjë dhe atëherë kur nisin, përfundojnë me asgjë. Këtu nuk ndëshkohet asnjeri. Ata që bëjnë mashtrime dhe abuzime nuk dënohen. Ata që dënohen, janë ata që nuk paguajnë energjinë elektrike. Në burg shkojnë të varfrit, peshkaqenët e mëdhenj nuk hetohen”, tha Tomorri.
Add new comment