Kur do i mblidhni gjithë këto gjoba mor aman?
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar sot aplikimin e një gjobe të re. Kësaj radhe bëhet fjaë për lokalet që nuk respektojnë regjimin e kufizimeve.
Ndërsa vihet re në javën e fundit, një rritje e ndërgjegjësimit të qytetarëve, e respektimit më të mirë të masave të distancimit social, si dhe përdorimit të maskave, pas miratimit të Aktit Normativ nga qeveria shqiptare, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për klubet e natës, diskot apo mjedise të tjera si këto.
Kemi konstatuar që në këtë periudhë, ato janë kthyer në vendgrumbullime të rinjsh, ku injorohet dhe sfidohet totalisht zbatimi i masave të domosdoshme, për parandalimin e përhapjes së Covid-19, duke i hndërruar në vatra potenciale infeksioni.
Qeveria Shqiptare ka vendosur që nga sot, t’i thotë stop kësaj sfide që u bëhet rregullave të vendosura për të frenuar pandeminë, me qëllim uljen e numrit të infeksioneve, mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe jetën e më të dobtëve mes nesh.
E kemi thënë dhe nuk do të lodhemi së përsërituri: Prioriteti ynë Nr.1 është mbrojtja e jetës së qytetarëve. Me vetëm këtë prioritet në mendje, do të marrim të gjitha masat e nevojshme.
Me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili:
– Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge bareve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare.
– Ndalon muzikën pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore
tha Manastirliu.
Gjoba të kësaj natyre janë tërësisht joproporcionale dhe përmbi të gjitha të pazbatueshme. Është pak e vështirë të mendohet se një biznes që merr një gjobë të tillë në një mjedis ku ushtron aktivititet të përkohshëm dhe sezonal, të paguajë. Ky shtrëngim është disi kundërthënës edhe me politikën e paketës së luftës siç quhet ndihma për biznesin që po vuan më shumë se kushdo pasojat e kufizimeve.
Vetë qeveria është e ndërgjegjshme se nuk ka mbledhje të lartë të të ardhurave dhe se asnjë politikë penalizuese e saj nuk ka dhënë efektin e parashikuar. Vetëm dje u njoftua lehtësim i sanksioneve për moslëshim kuponi tatimor, ndërkohë që u bë gjithë ai aksion për luftën kundër informalitetit. Ky nuk është më një problem sporadik për ngjarje të posaçme, por shprehje e një mentaliteti ku ata që drejtojnë e shohin rolin rregullator të shtetit vetëm kur ka pamjen e xhandarit.
Dhe kemi të bëjmë me një shtet që nuk arrin objektivat as për mbledhjen e detyrimeve. Falimenton OSHEE-ja, falen gjobat, nuk mblidhen detyrimet e institucioneve. KESH shet energjinë poshtë çmimit. Ku të çon kjo politikë? Taksë për qarkullimin që nuk shkon kurrë për rrugët. Sigurimet mbulojnë borxhet e qeverisë apo të institucioneve, ndërkohë që të këqinjtë në këtë situatë janë subjektet apo qytetarët. Gjobë majtas e gjobë djathtas, pa parë se falimenti është përherë e më afër.
Add new comment