Po na manipulojnë, apo po vetë - manipulohemi?
Bota tanimë duket se është ndarë thellësisht për mënyrën sesi duhet menaxhuar epidemia e tanishme. Nga njëra anë janë mjekët dhe politikëbërësit bashkë me ata që i mbijetojnë sëmundjes, nga ana tjetër pjesa më e madhe e njerëzve që nuk arrijnë të kuptojnë përsenë e të gjitha masave, dobinë e tyre dhe të perceptojnë në fund fare rëndësinë e protokolleve. Një valë e madhe mosbesimi duket se karakterizon një marrëdhënie që është qysh tani e vështirë dhe kjo mund të shihet edhe në Shqipëri. Në SHBA, një vend shumë i goditur nga pandemia, jashtë klinikave duket se jeta vazhdon njësoj, ndërkohë që dallimi mes administratës dhe ekspertëve është bërë i lexueshëm për të gjithë. Assoicated Press sjell shembuj nga kjo shkujdesje që nuk po dihet si të lexohet dhe që sfidon çdo politikë parandalimi dhe është kjo klimë që duket se ka përcaktuar nevojnë që maska në disa shtete të bëhet e detyrueshme. Në lojë ka hyrë keqbesimi dhe infektimi i mendjes që e shpjegon pandeminë në mënyrë individuale.
Njerëzit vazhdojnë ta quajnë virusin si një skemë politike apo teori konspiracioni. Ata vazhdojnë të injorojnë udhëzimet, ankohen për maskën
citon AP një mjek në Misisipi.
Kjo situatë evidentoi se besimi te përparimi i shkencës në Perëndim është i ndërmjetësuar nga besimet politike dhe ajo arsyeja. Mes njeriut dhe shkencës qëndron në mes mosbesimi dhe dyshimi se ka një lojë, se ajo që ndodhi me skandalet e njëpasnjëshme të të dhënave, po aplikohet në shkallë botërore. Dhe ky besim apo ky interpretim nuk sfidohet as nga numri i të vdekurve, të sëmurëve dhe nga ata që tregojnë përvojën e tyre. As mjekët nuk po besohen më duke krijuar kështu një nga situatat më të paprecedenta kur njëra palë dyshon se në skemën e manipulimit është gjysma tjetër brenda së cilës ka nga ata që nuk e dinë se po manipulohen.
Nga qarqet akademike dhe shkencore po vijnë sugjerime të reja për menaxhimin e pandemisë, por që kanë kuptim në krye të 6 muajve përvojë masive dhe nuk ka sesi të jenë dëshmi e shtuar e konspiracionit. P.sh testimet dhe vlera e tyre po vihet në diskutim edhe nga një aspekt tjetër përveç atij menaxherial.
Ne duhet të pranojmë se regjimi ynë i testimit ka alarmuar planetin pa kontribuuar në përfitime të shëndeti tonë
shkruan Neil A. Kurtzman në “The Mises Institute”.
Sipas tij treguesi më i mirë i statusit të një pacienti është hospitalizimi, ku edhe aty ka probleme serioze, pasi çdo njeri me pneumoni virale trajtohet si i prekur nga CoVid-19. Tamponët vetë kanë një marzh saktësie prej 70% ndërkohë që vetëm sot njoftohet se në Australi ia kanë dalë të identifikojnë praninë e koronavitrusit në trup përmes një analize gjakë brenda 20 minutave.
Është një hap përpara që ndoshta do të qetësojë një marrëdhënie kaq të madhe mosbesimi. Dhe pandemia nuk e ka nxjerrë ende kokën në kuptimin e pasojave që do të ndihen më pas. Ekonomia është e para që po jep sinjalet e një ndryshimi, i cili është i dobishëm vetëm nëse realizohet për shkaqet dhe arsyet e duhura. Një nga detyrimet e establishmentit të tanishëm është që të bindë njerëzit se u bë më e mira për të trajtuar sëmundjen, se ajo është diçka reale, natyrale dhe brenda ligjësive të pandemive të mëparëshme. Përndryshe çdo kalim politik që injoron të vërtetën në këtë shkallë, do të na jepte provën se njerëzimi iu nënshtrua nga mosbesimi dhe padija një eksperimenti social masiv vetëmanipulimi që nuk dihet se çfarë do të gjenerojë.
Add new comment