Rilindje...e status quosë
Top-Channel raportonte sot se komisioni hetimor për shkarkimin e Ilir Metës nuk do të propozojë shkarkimin e këtij të fundit. Në raportimin e vet, ky televizion ndër të tjera njofton se:
Kuvendit nuk do t’i propozohet shkarkimi i presidentit Ilir Meta, por disa rekomandime dhe sugjerime se si presidenti duhet të veprojë në situata të ngjashme në të ardhmen, bazuar kjo në rekomandimin e Komisionit të Venecias. Se si do të përkthehet kjo në bazën socialiste askush nuk e jep një përgjigje të prerë. Duhen pritur zgjedhjet e ardhme për të mësuar koston politike të Edi Ramës për rehabilitimin e Ilir Metës përmes komisionit të ish- prokurorit Ulsi Manja
Pra përveç faktit se presidenti ia hodhi pa u lagur dhe bëri ça deshi, është edhe halli I bazës socialiste sepse sipas TCh ka gjasë të jetë ndjerë e prerë në besë nga komandanti. Është e pabesueshme sesi lajmet “me bazë socialiste” vazhdojnë të merren seriozisht, kur ajo nuk e ka tradhëtuar ndonjëherë siglën e vet, edhe kur pranoi të përfaqësohej nga kriminelë.
Por ajo që vlen të theksohet këtu është një tjetër aspekt politik: kryeministri aktual që është monarku i PS-së, është mbrojtur shpesh me alibinë se kur vjen puna te drejtësia i ka të lidhura duart nga parimi i pavarësisë që dikton sistemi. Mirëpo vetëm një vit më parë, ai deklaronte në Parlament se Ilir Meta e ka derdhur kupën dhe se ai duhet të shkarkohej.
Të neveritur politikisht, - cilësonte z. Rama.
Dhe ai pati rastin politik ta nxirrte nga skena e vendimmarrjes Ilir Metën dhe të mbronte kushtetuteshmërinë e zgjedhjeve. Zoti Rama zgjodhi atë që ka bërë përherë: ruajti status quonë. Shkeli syrin, hapi rrugën e kompromisit. Kompromis që i shërben nuk dihet se kujt, por që ja rrëzon atij jo vetëm alibinë e drejtësisë, por edhe pretendimin e ndryshimit. Edi Rama përfaqëson antitezën e çdo rilindjeje – përveç asaj të krimit – sepse me akte konkrete në një hark kohor thuajse 8-vjeçar, me shkatërrimin e Kushtetutës dhe propagandën e çdo marrëzie që e shet si vizion, në fakt legjitimoi klimën politike të tranzicionit, duke dëshmuar ndër të tjera një sens padrejtësie në shpërndarjen e pasurisë publike dhe goditjen ndaj përpjekjeve fillestare për stabilizimin e tregut dhe ekonomisë mbi të.
Add new comment