Okazioni 2400 euro/m2 dhe një mundësi e re për gazetarinë
Njoftimi i mësipërm që të del sponsored në Facebook na njofton për një okazion blerjeje në Tiranë.
Apartament 151 m2 për 363 mijë euro – ky quhet okazion në Tiranë. Ndoshta edhe është i tillë, sidomos kur sheh adresën relative me të cilën identifikohet vendndodhja: Ngjitur me ETC-në.
Pra okazioni është 151 m2, me ndriçim natyral, por edhe ngjitur me ETC-në, çka i mbush mendjen blerësit potencial se ka të bëjë me një okazion. Le të imagjinojmë nëse në adresarin e shitësit dhe ndërmjetësit të shtohej ta zëmë referenca: Përballë PD-së. Me siguri kuptimi i okazionit do të shtohej edhe më, nisur nga fakti se te ky njoftim çdokush ka rastin të kuptojë hapat galopantë të pasurimit që ka sjellë kapitalizmi i tipit shqiptar.
2400 euro/m2 ngjan disi e tepruar për qytetarin mesatar shqiptar dhe çdo të punësuar me rrogë që quhet e mirë. Ky okazion ngjan të shkojë vetëm për botën e biznesit dhe botën e parave që nuk dihet nga vijnë, pasi nga të gjitha përllogaritjet dhe parashikimet, tregu i imobilareve në Tiranë duhet të pësonte ulje për rrethanat e pandemisë. Ky çmim okazional na njofton të gjithëve se për kë është ndërtimi në Tiranë, kullat që po mbijnë ngado me çmime që pak kanë mundësinë t’i përballojnë. Dhe është padiskutim një epokë e re për median që duhet të verifikojë se kush blen, jo për zilinë ndaj parasë, por për të parë nëse mes këtyre zengjinëve të rinj figuron ndonjë specialist KVO-sh, ndonjë sekretar dikasteri a ministrie apo edhe ndonjë tjetër që zyrtarisht ka rrogë modeste. Në fund të fundit kjo është magjia e parasë: të detyron ta shpenzosh, pra ta zbulosh bythën.
Add new comment