Një ligj i ri synon të ndalojë shmangien fiskale te koncesionet e naftës

Postuar në 06 Korrik, 2020 13:07
Gjergj Erebara

 

Një projektligj i ri i propozuar nga qeveria në parlament synon të luftojë atë që qeveria e quan “shmangie fiskale” në fushën e hidrokarbureve nga operatorët koncesionarë me synimin e rritjes së përfitimeve të vendit nga nxjerrja e naftës. Projektligji u publikua që fundmi në faqen e internetit të Kuvendit të Shqipërisë dhe sipas relacionit synon “të reduktojë shmangien e taksave/tatimeve nga regjimi fiskal me normë tatimfitimi më të lartë (50%) tek regjimi i zakonshëm më i ulët (15%), nëpërmjet përfshirjes në këtë ligj të nënkontraktorëve.”

Disa kompani koncesionare nxjerrin naftë bruto në Shqipëri për ta shitur te dy rafineritë vendëse apo në eksport në bazë të kontratave koncesionare të nënshkruara dekada më parë. Shqipëria aktualisht përfiton rentë minerare në masën 10% të vlerës së naftës së nxjerrë ndërsa kontratat koncesionare sanksionojnë që kompanitë të paguajnë tatim fitimi në masën 50%. Por kompanitë koncesionare kanë rezultuar në vijimësi me humbje të akumuluara shumëvjeçare duke shmangur tatimin në masën 50%.

Një investigim i mëparshëm i BIRN në vitin 2016 zbuloi se disa nënkontraktorë të Bankers Petroleum, koncesionari më i madh i naftës në vend, kishin norma fitimi deri në 40% mbi të ardhurat ndërkohë që vetë Bankers rezulton me humbje shumëvjeçare të akumuluara dhe për rrjedhojë, nuk paguan tatim fitimi. Diferenca është që Bankers i nënshtrohet një norme tatimi mbi fitimi në masën 50 për qind në rast se realizon fitime, ndërsa kompanitë nënkontraktore i nënshtrohen normave të tatimit mbi fitimin në masën 10 për qind, (për periudhën deri në vitin 2014) dhe në masën 15 për qind pas vitit 2015.

Lexo më shumë:

Gjigandi i varfër i naftës me kontraktorë të pasur: prapaskenat e betejës së qeverisë me Bankers Petroleum

Qeveria thotë se ka marrë asistencën teknike të Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2018 për të vlerësuar mënyrat se si mund të luftohet shmangia fiskale në sektorin e hidrokarbureve.

Shqipëria është përballur me fenomenin global të shmangies fiskale të korporatave të mëdha, të cilat, duke pasur aktivitet në shumë shtete, janë në gjendje të zhvendosin fitimet e tyre nga vendet ku i realizojnë këto fitime drejt vendeve ku tatimi mbi fitimin është më i ulët ose ku dega përkatëse e korporatës ka pësuar humbje, rrjedhimisht duke reduktuar faturën e vet të tatimit mbi fitimin në pothuajse zero. Shmangia e tatimit mbi fitimin realizohet në përgjithësi përmes blerjeve fiktive nga kompanitë që kanë fitime te kompanitë e regjistruara në parajsa fiskale por kompanitë i përkasin të njëjtës korporatë.

Në vitin 2016, qeveria ndërmori një ligj të veçantë për të luftuar shmangiet fiskale të kësaj natyre. Në bazë të këtij ligji, tatimet janë në gjendje të mbajnë përgjegjës kompanitë nëse bëjnë transaksione me subjekte të lidhur duke i ndryshuar për efekt fiskal çmimin e transaksionit kur shohin se transaksioni mban një çmim të fryrë për efekt të transferimit të fitimit. Por projektligji në fjalë duket se nuk ka dhënë ndonjë efekt në drejtim të luftës kundër shmangies fiskale.

Burimi: Reporter.al

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.