Ata që ikën mblodhën mendjen
Shqipëria mund të jetë ndoshta i vetmi vend që përkujton si ditë lirie, momentin e një eksodi. Eksodet nuk para kanë data të shënuara pasi janë procese që shtrihen në kohë.
Mirëpo 2 korriku shënon për Shqipërinë një çast historik të ç’prangosjes nga burgu psikologjik dhe fizik i një diktature të gjatë. Një arratisje publike nga një vend që e ka pjesë të kujtesës dhe konstitucionit të vet ikjen e njerëzve.
Në një kuptim 2 korriku është vazhdim i një tradite, e një itinerari të ngulitur, por në një kuptim tjetër ai është edhe akt rebelimi, sikurse një metaforë.
Metaforë fatkeqe e një Shqipërie që ka zgjedhur t’i kurojë kështu plagët e veta: duke ikur.
“Lum ata që ikën”, ose “ç’bëra që nuk ika atëherë”, janë fjali që i has shpesh në këtë vend. 2 korriku ndau në mes jetën e shumëkujt, ai ishte atak kardiak për sistemin dhe kujton sot forcën e ikjes si mjet kundërvënieje. Si një lloj refuzimi përmes dorëzimit të cilin e shohim ende te paaftësia jonë për të kundërshtuar politikën dhe pushtetin. Ikja është ende një alternativë, që edhe pse rrjedh nga nevoja kryesisht ekonomike e brendashkruan lirinë si objektiv.
Ikja në 2 korrik ishte triumf për shumëkënd dhe dështim për pak të tjerë. Sot ajo kumbon si një ngjarje e largët dhe pak e kuptueshme për të rinjtë, të cilët sërish duan të ikin, par arsye që duken të ndryshme, por në thelb janë të njëjtat.
s.zaimi
Add new comment