Ingels tregon teatrin për Teatrin: 2016 porosia, 2017 kontrata me Fushën, 2018 prezantimi, 2019 PPP-ja
Arkitekti danez Bjarke Ingels, i përfolur në aferën e Teatrit Kombëtar ka dhënë një përgjigje për akuzat që i janë bërë përmes një opinioni publikuar në gazetën “Politiken” në Danimarkë. Shkrimi është përkthyer në shqip në disa media online dhe aty Ingels, përveç se bën avokatinë e vetes, deklaron se është shumë i ndershëm, zbulon ndër të tjera edhe një hollësi:
Fillimisht vizituam godinën ekzistuese të teatrit. Aty mungonte një nën skenë dhe një kullë skenike, skena anësore dhe në përgjithësi gjithë infrastruktura e përshtatshme për funksionet e teatrit sepse në fakt nuk ishte projektuar kurrë si i tillë. I ndërtuar për argëtimin e ushtarëve fashistë në kohën kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia e Musolinit mes viteve 1939 – 1943, godina nuk ishte kualifikuar kurrë si e mbrojtur.
Duke qenë se as unë dhe as kolegët nuk ishim ekspertë të arkitekturës fashiste dhe sidomos kur s’mund të jesh asnjëherë tepër i sigurt me ndërtesat historike, përgatitëm dy skica të ndryshme për një teatër të ri: njëra që ruante ndërtesën ekzistuese dhe një tjetër që fillonte nga zero.
Ndërtesa ekzistuese ishte tej mase e ngushtë, vetëm 12 metra gjerësi, thuajse e pamundur për të akomoduar një skenë teatri e cila me standardet e stome duhet të jetë së paku 3 herë më e gjerë. Zgjidhja ishte ngritja e skenës mbi barakat e vjetra të ushtarëve për të vendosur teatrin si një kryq tre dimensional të ngulur në strukturën ekzistuese. Një sistem koordinativ Kartezian me teknikë skene të konfiguruar. Duket e egër, brutale por mbase mund të ishte e shkëlqyer.
Për propozimin e dytë, zgjodhëm një teatër që shtrihet përgjatë truallit në mënyrë të tillë që të krijojë hapësirë maksimale për funksionet e teatrit. Ndarja e mesit hapet nga veriu, kështu që kalimtarët mund të shohin shfaqjet qe pregatiten – është sikur të hapim kapakun e motorrit të teatrit dhe ta shohim gjatë punës. Në jug, holli dhe dy skenat eksperimentale hapen drejt parkut të Muzeut Kombëtar.
Në fillim të pranverës së vitit 2018, u ftuam në Tiranë për të prezantuar idenë. Aty morëm përgjigjet që kërkonim për të harruar variantin mbi barrakat e vjetra të cilat nuk kishin asnjë vlerë historike apo arkitektonike. Kështu përqendruam të gjitha energjitë tona në krjimin e një skene kombëtare të denjë për artin shqiptar.
Drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Culi dhe regjisori Altin Basha na ndihmuan me detaje specifike dhe në dy vitet në vazhdim, zhvilluam një koncept të plotë i cili rezultoi në aprovimin e 101 nga 103 artistëve të Teatrit Kombëtar. Një skenë e re kombëtare po merrte formë
Siç shihet Ingel na thotë se ka prezantuar edhe një variant tjetër për Teatrin, atë që ruante strukturën ekzistuese duke vepruar mbi të me zgjidhje për zgjerim dhe modifikim për të dhënë një strukturë të themi sinkretike. Ingels thotë se ajo “mund të ishte e shkëqlyer”, por atë ja hodhën poshtë në Tiranë. Kush? I vetmi njeri që ka në dorë një gjë të tillë dhe e ka urryer godinën ekzzistuese sikur aty ta kenë rrahur çdo pushim të madh në 8-vjeçare.
Ingels na jep edhe një lloj kalendari për ideimin, porositjen dhe realizmin e projektit.
Por në vitin 2013, mora përsëri një ftesë nga Edi Rama, tashmë kryeministër. Së bashku me kuratorin Ulrich Obrist, na ftonte në një simpozium ku përkrah artistësh, kineastësh, shkrimtarësh, arkitektësh e urbanistësh do të hidhnim ide për zhvillimin Shqipërisë.
Tre vite më vonë u ftova sërish në Tiranë. Këtë herë, me ftesë të një Kryetari Bashkie tëri socialist - Erion Veliaj. Ai ndau me ne planet e shumta që kishte për qytetin dhe na inkurajoi për të parë disa mundësi zhvillimi si pjesë e procesit të rigjallërimit të qendrës tanimë të vjetëruar të qytetit. Veliaj dhe skuadra e tij kishte plane për tëndërtuar një stadium; një Pazar; hapësira të reja për biznes dhe strehim dhe pranë sheshit "Skënderbej" një teatër të ri kombëtar. Projekti planifikohej të zhvillohej në formë PPP-je, një partneritet publik privat, ku një zhvillues privat merr përsipë të bëjë një projekt për publikun kundrejt një tarife fikse, pagese apo qeraje, për të cilën është rënë dakord paraprakisht…
Gjatë vizitës sonë u takuam gjithashtu me përfaqësues të Fusha sh.p.k – kontraktori vendor i Sheshit Skënderbej dhe ramë dakord që të bashkëpunojmë për një nga projektet publike të qytetit - atë të teatrit. Në vjeshtë të vitit 2017, nënshkruam një kontratë për të projektuar teatrin kombëtar si pjesë e një zone zhvillimi me disa funksione urbane
Pra kontakti i parë ka qenë në vitin 2016 kur Ingelsit i është kërkuar një projekt për teatrin, ndërkohë që në skenë del fimra “Fusha” e cila madje nënshkruan kontratë për një projekt konkret. Ligji për Teatrin u bë në vitin 2018 dhe ai përcaktonte fituese Fushën dhe projektin e saj duke zbuluar kështu një skemë të paracaktuar në çdo aspekt. Zoti Ingels nuk konkuroi me askën, siç ndodhi formalisht me sheshin “Skënderbej” apo projekte të tjerë. Është fare e qartë se kjo skemë e mbyllur lidhet vetëm me nevojën për të zhvilluar kullat ngjitur, ku teatri shërben si rrufepritës. Ingels thotë se e prezantoi projektin në fillim të vitit 2018 dhe mori dakordësinë e plotë për të.
Në fund të vitit 2019, Fusha sh.p.k fitoi thirrjen publike për PPP. Për të siguruar rendimentin e projektit, Fusha rishikoi përmasat e projektit në tërësi. Ne u dakordësuam që BIG do të përqëndrohej në çuarjen përpara të projektit të Teatrit dhe një arkitekt lokal do të vijonte me projektimin e ndërtesave të tjera
shkruan arkitekti danez.
Për të vazhduar më pas:
Në shkurt 2020, Fusha doli në përfundimin se nuk mund ta realizonte projektin e Teatrit sipas specifikimeve të kërkuara dhe bashkia vendosi të zbatojë projektin tonë ku në vend të palës private kontraktori do të ishte Bashkia Tiranë dhe shteti Shqiptar
Pra në harkun e tri viteve, Fusha porosit një projëekt për teatër, e paguan atë, e miraton dhe pastaj deklaron se nuk përmbush dot kërkesat.
Zoti Ingels duhet t’i bëjë disa pyetje vetes nëse me të vërtetë beson se është në rrugën e drejtë. Duhet të këshillohet nëse është i parakohshëm në këtë botë, apo thjesht ka ngatërruar profesion. Avokatia e tij është mjerane dhe nuk mund të gënjejë dot njeri edhe në danisht. Sepse është e qartë si drita e diellit se mbi atë godinë u luajt një aferë interesash që dështoi për arsye të një proteste, jo për arsye të gabimeve në kontabilitet nga kompania “Fusha”. Të paktën z. Ingels na sqaroi se si ecën pazari në këtë vend, edhe pse është kujdesur të mos aludojë për ndokënd dhe e mbyll shkrimin me ca mesazhe morale groteske për pozitën ku është.
Add new comment