Në Tiranë po të jetë nevoja e shpallin edhe shenjtor
Gjatë një replike sot në Parlamentin e Shqipërisë, kryetari i tij, Gramoz Ruçi iu kthye deputetesh Rudina Hajdari me këtë fjalë:
Me keqardhje mund të them Zonja Hajdari se bërë ndërhyrjen më të gabuar, në kohën më të gabuar dhe me përmbajtjen më të gabuar. Unë personalisht janë dëshmitar okular i të gjithë kryeministrave në këto 30 vite dhe të gjithë në mbështetje të çështjes së Kosovës dhe asnjë krahasim mes Kosovës dhe Shqipërisë është i papranueshëm veçanërisht në këtë ditë të sotme
Zonja Hajdari ishte shprehur se përpara se Shqipëria të flasë për krimet e Serbisë në Kosovë duhet të dënojë krimet e komunizmit ndaj shqiptarëve. Pak rëndësi ka konteksti këtu dhe objektiviteti. Të veçojmë frazën “në këtë ditë të sotme” që ka thënë z. Ruçi.
Çfarë dite është sot? Ditë e zezë për shqiptarinë se akuzohet Hashim Thaçi me Kadri Veselin? Po pse vallë qenka e këtillë? Përkundrazi është ditë e mirë sepse ai imunitet që politikanë si Thaçi dhe Rama dhe Ruçi kanë përdorur në vendin e tyre për të mbulur të gjitha të pabërat, nuk vlen përtej sinorit shtetëror. E mbani mend sesi e mbrojtën Sajmir Tahirin, ministrin e drogës? Me imunitet dhe vendim partie, pas shantazheve publike të tij. Mos vallë sot edhe Thaçin do të duhet ta mbrojmë në emër të shqiptarisë siç na sugjeroi kryeministri që në fakt përfaqëson solidaritetin e të korruptuarve?
Nëse kjo është Shqiptaria atëherë nuk i përket shumëkujt. I përket këtyre qe po vjedhin dhe plaçkisin pa din e pa iman këtë vend. Jo njerëzve të zakonshëm. Xhanëm Ruçi dhe Rama mundet edhe të protestojnë duke bërë shqiponjën para ambasadës së BE-së, por asgjë nuk e ndryshon faktin se Hashim Thaçi duhet gjykuar, sikurse Edi Rama, Ilir Meta dhe ndonjë tjetër. Sepse janë njerëz që e kanë dosjen e zullumeve si enciklopedi.
Truku banal i barazvlerësimit të luftës me një njeri nuk ecën. Thaçi ishte produkt i luftës, jo simbol i saj. Ndaj të mos e shenjtërojmë sepse jemi boll të nginjur me heronj banditë dhe emra rrugësh e përmendore njerëzish me rekorde kriminale. Dhe të mos harrojmë se përgjathtë gjithë kësaj periudhe është përfolur se dakordësia e tij për planin e shkëmbimit të territoreve është dhënë në këmbim të mbylljes së hesapeve me Gjykatën, për të cilën i shkruante kështu në mars 2020, sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo:
Është zhgënjyese të vësh re që Zyra e Prokurorit të Specializuar ka investuar resurse domethënëse në hetimin e vetëm një grupi etnik, shqiptarëve të Kosovës, gjë që e minon besueshmërinë dhe legjitimitetin e procesit. Është më se e papërshtatshme që personat që janë përmendur në raportet publike, sikurse që është ai i senatorit zviceran Dick Marty në vitin 2010, kanë qenë të ekspozuar ndaj kërcënimit të hetimit dhe ndjekjes së mundshme për gati dhjetë vjet
Add new comment