Rotacion i parimit: Një hyn një del, një Spiro një Vangjel
Rama ka vetëm një rrugë, për të shmangur një përplasje, të japë dorëheqjen
Kështu ka deklaruar sot ish-kryeminstri Sali Berisha në një intervistë televizive. Sa herë e kemi dëgjuar këtë gjë? Kush do përplaset me kë? Berishistët e mbetur me pushtetin në bulevard? Punë e madhe. Ai bulevard fundja është bërë prej kohësh si vendngjarje e krimit dhe dhunës politike. Një brez paralel me të, në kafenetë e Bllokut jeta ka vazhduar si pa të keq edhe kur vriteshin njerëz.
Por megjithëkëtë, Berisha ka një trashëgimi politike dhune dhe në një pikëpamje ai arrin të dramatizojë një situatë.
Puna është se oferta e tij, edhe në mëtoftë mobilizimin nuk kthehet më në alternativë. Sepse i zgjedhuri i tij nuk arrin të dalë nga suaza e gonxhes e të lulëzojë siç duhet.
Puna është se opozitës që ka lënë rrugëve çdo kauzë nuk i ndahen komedianët. Për nevojën për rotacion politik ka folur sot edhe Shpëtim Idrizi. E mbani mend? Është kryetar i PDIU-së. Po këtë të fundit e mbani mend? Ka një dy vjet pushime e ka dalë sërish në tv tani që po afron fushata.
Tani ne jemi dakord të gjithë që Edi Rama duhet të ikë. Me këtë është dakord edhe Lulzim Basha, ashtu thotë të paktën. Ne mendojmë se Rama me Gjiknurët që e qarkojnë duhet të këndojnë me byzylykë në duar para drejtësisë, por për këtë Basha nuk është dakord. Liderë si ay ia lënë historisë gjykimin e rivalëve sepse në këtë vend mentalitet shteformimi është ai i qoftexhiut: ka për të gjithë.
Jemi dakord pra për këto, por kush vallë është aq i pacipë me veten dhe botën sa të quajë rotacion ikjen e Ramës – me pushime kuptohet- dhe ardhjen e Metës, Vasilit, Idrizit, Bashës, Kryemadhit?
Ky mund të quhet çdo gjë, rotacion jo. Por xhanëm karrigia dhe paraja janë kaq të ëmbla sa njeriu ndoshta edhe bind veten se nuk është ai që ka qenë, se edhe kur ka qenë ashtu siç e njohin të gjithë, e kanë detyruar rrethanat dhe se tani atdheu e thërret në angazhime të reja. Dhe po flasim për Idrizin që tundjen e flamurit(jve) e ka zanat.
Add new comment