Na thuaj ndonjë emër të sëmuri se ti ke informacion!

Postuar në 21 Qershor, 2020 14:09

Sot kishte 71 raste të konfirmuara ma CoVid-19 në 24 orët  e fundit. Ka shtrime të mëdha në spital, ndërkohë që java që po lëmë pas duket se e pati mesataren e të infektuarve 60/ditë.

Jemi pra në një situatë të re me epideminë, ndërkohë që ka dalë në dritë fakti se vatra infeksioni janë kthyer QSUT, administrata qendrore dhe kompani të ndryshme private, mes të cilave sipas burimeve që ka RePublica figurojnë edhe disa që janë shumë afër qeverisë, apo edhe kryeministrit. Administratorët e tyre d.m.th.

E megjithatë kjo javë që iku dëshmoi se kryeministri i vendit, Edi Rama u kujdes që të zbulonte emrat e vetëm dy të prekurve nga CoVid-19, të cilëve u uroi shërim përmes një mesazhi. Është fjala për Edmond dhe Robert Budinën, të cilët nuk deklaruan vetë se ishin të sëmurë ndaj edhe lakimi i emrit të tyre në këtë formë është një shkelje që meriton përgjigje shqiptarçe.

Më tej akoma, mediat pranë z. Rama, i bënë thuajse gjyqin publik aktorit të Portokallisë, Florian Binaj që u akuzua se kishte infektuar Përmetin. Ndonëse që ta thuash këtë gjë duhet një konfirmim që është thuajse i pamundur.

Mjaftojnë këta dy shembuj për të kuptuar se me shifrat e epidemisë që po zgjerohet po bëhet politikë. Pushteti dhe ekspertët e tij nuk kanë një përgjigje të kënaqshme për atë që po ndodh dhe për pasojë çdo masë që do të mund të propozohej do të ishte kundërproduktive. Në mënyrë shumë tinzare, z. Rama është përpjekur ta largojë përgjegjësinë nga vetja dhe nga institucionet që ai drejton e që janë bërë vatër infeksioni, për të propaganduar idenë se koronavirusin e përhapin njerëz si Budinat që protestojnë publikisht, apo Binaj që lëviz lirshëm. E zëmë se është kështu: nga lind e drejta e këtij njeriu të publikojë kartelën shëndetësore të dikujt? Sidomos kur kemi të bëjmë me një sëmundje që çon në stigmën ndaj tjetrit?

Ne mund të dimë shumë gjëra për shëndetin e z. Rama dhe familjarëve të tij, vendin ku kryejnë vizita etj., por nuk është e lejueshme të publikosh gjëra të tilla. Nga ana tjetër z. Rama që e ka pasion fletërrufenë duhet ta bëjë këtë me njerëz të biznesit me të cilët ha dreka e darka, me kompani të suksesshme me paratë publike, në mënyrë që të shohim se në këtë çështje është i paanshëm dhe t’ia pranojmë llapademinë shëndetësore si një ves të pranueshëm. Përndryshe ky njeri jo vetëm po bën shkelje, por po tejkalon çdo normë të pranueshme njerëzore kur flet për sëmundjet e njerëzve që janë edhe prindër përpara se të jenë kundërshtarë të tij politikë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.