Ishujt me efekt të pjesshëm në marrëveshjen me Italinë. A vlen ky precedent për kufirin detar me Shqipërinë?

Postuar në 21 Qershor, 2020 15:29

Marrëveshja e re detare mes Greqisë dhe Italisë, duket se ka hapur një dritare të re negociimi për kufijtë në Egje dhe në Jon. Kjo lidhet me faktin se vendimi i Greqisë për të pranuar efekt të pjesssëm të ishujve të Diapontit dhe atyre Strofades po shihet si një precedent për vlerën e ishujve në negociimin në Egje.

Lidhur me këtë çështje, një studiues turk, Tefik Kadan shkruan se Greqia ka pranuar që ishujt e Diapontit të kenë efekt 70% në negociimin e kufirit detare me Italinë, kurse Strofades vetëm 32%.

Ky fakt ka rëndësi dhe nuk është rastësi që ish-ministri i Jashtëm Venizellos theksonte në një opinion të pak ditëve më parë se Greqia duhet të përfshijë në procesin e ratifikimit të marrëvesjes një deklaratë përmes të cilës sqarohet se miratimi nga Greqia i këtij efekti vjen për arsye se marrëveshja e vitit 1977, që është premisa e marrëveshjes së re, u nënshkrua përpara se të hynte në fuqi Konventa aktuale për ligjin e detit.

Mirëpo ky element është disi i sikletshëm, për shkak se në negociimin e kufijve nuk mund të përdoren dy standarde. Ishujt e Diapontit prekin kufirin me Shqipërinë dhe është fakt juridik tashmë se negociimi i vitit 2010 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese edhe mbi deklarimin antikushtetues të negociimit me vlerë të plotë të tyre në ndarjen e vijës kufitare. Konkretisht Gjykata deklaron se:  

Ndikimi i tyre në përcaktimin e kësaj vije, siç kemi evidentuar edhe më sipër nga praktika dhe jurisprudenca ndërkombëtare, duhej të ishte bërë individualisht, në funksion të arritjes së një rezultati përfundimtar sa më të drejtë e të ndershëm për të dy shtetet. Konkretisht, Gjykata çmon se procesi i delimitimit duhet të kishte kaluar përmes disa fazave të cilat çojnë në adoptimin e një vije kufitare provizore që më pas korigjohet në funksion të parimit të Ekitesë. Në këtë  kuptim,  duhej të ishte vlerësuar veçmas jo vetëm ndikimi i ishujve të banuar Lazareto, Erikuza dhe Othonoi, por edhe i vetë ishullit kryesor të Korfuzit. Marrëveshja u jep (padrejtësisht) që të gjithëve efekt të plotë në caktimin e vijës kufitare, duke i barazuar plotësisht me dheun kontinental të vendit tonë.

Nuk është rastësi që sipas marrëveshjes për ndarjen e Shelfit Kontinental ndërmjet Republikës Greke dhe Republikës Italiane dt. 24.05.1977, ishujve Othonoi dhe Erikuza u është dhënë efekt i pjesshëm. Nga ana tjetër, problem tjetër shumë i rëndësishëm i marrëveshjes objekt shqyrtimi është trajtimi i masës shkëmbore apo cekinës Barketa, të cilit rezulton t’i jetë dhënë gjithashtu efekt i plotë, duke e barazuar me dheun kontinental shqiptar, pavarësisht se kemi të bëjmë thjesht me një masë të vogël shkëmbore të pabanuar dhe pa jetë ekonomike. Për më tepër, për vetë pozicionin e tij, ai ka ndikuar ndjeshëm në spostimin e vijës kufitare që ndan Detin Territorial të të dy vendeve

Mirëpo nëse lexon Venizellosin, arsyet pse Greqia lëshoi në këtë drejtim në vitin 1977 janë krejt të tjera nga ato që referon Gjykata shqiptare. Megjithatë sot Shqipëria ka në dorë një mundësi që jo vetëm të ulet në tryezë me një arsyetim të Gjykatës për ishujt, por edhe me një precedent formal të vendosur dhe konfiormuar nga Greqia.

Problemi është se mundet që aktualisht të jetë Greqia që të shmangë arritjen e shpejtë të marrëveshjes që do të rikonfirmonte vlerën e pjesshme të ishujve në Jon, duke i dhënë argumente shtesë Turqisë që ka pretendimet e veta në Egje. Nga ana tjetër, studiuesi turk referon burime nga Flota Detare shqiptare sipas së cilës, marrëveshja e re mes Italisë dhe Greqisë, nuk ka prakur zonat e diskutueshme mes vendit tonë dhe Greqisë.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Eshte e verte qe marreveshja greko-italiane u jep efekt 70% ishujve Diaponte dhe 32% ishullit Strofades me ne jug. Por kjo balancohet sepse vija e mesit perballe ishujve Zakonthos & kefalonia eshte zhvendosur me ne perendim.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.