Pandemia dhe demokracia: disa pikëpyetje

Postuar në 20 Qershor, 2020 12:37
Jordan Jorgji - Pedagog i studimeve evropiane dhe ndërkombëtare në Universitetin Fan S. Noli, Korçë

 

Në momentin që Shqipëria ishte në pikun e pandemisë së COVID-19, një ish-studenti im me origjinë një fshat i Korçës më shprehu besimin e tij të plotë se të gjitha sa dëgjohen nuk janë veçse gënjeshtra dhe se shkaktarët kryesorë janë Masonët. Kur i kërkova të më sqaronte se kush ishin masonët, ai e drejtoi gishtin e fjalës nga Bill Gates dhe George Soros. Disa ditë më vonë, një ish- student tjetër dhe shok me të parin, nuk nguroi të shfajësonte presidentin Amerikan, Donald Trump, për protestat që shpërthyen këtë muaj në Amerikë, dhe identifikoi si shkaktarë të protestave në fjalë Sorosin dhe majtistët. Për problemin racial dhe demokracinë, asnjë fjalë!

Të dy këta ish-studentë, njëkohësisht miqtë e mi sot, nuk janë të vetmit që besojnë në interpretimin konspirativ të zhvillimeve ndërkombëtare dhe kombëtare. Debatet mbi Kinën, si shkaktarja e koronavirusit, apo ato që lidhen me Sorosin, si armik i demokracisë, nuk u kufizuan vetëm në skenën shqiptare, por mbërthyen një pjesë të mirë të opinionit publik në vende të ndryshme të botës. Kjo më bëri të procedoj në një analizë të shkurtër, duke u fokusuar në veçanti në problematikat që lidhen me demokracinë dhe zhvillimet globale, problematika të cilat u vunë në dukje me pandeminë, ndonëse nuk lindën ekskluzivisht nga ajo.

Së pari, dëshiroj të theksoj se konspiracioni nuk është gjithmonë i dënueshëm, përkundrazi ai hyn tek ato përpjekje, të cilat vënë në dyshim të vërtetën që serviret nga pjesa e establishmentit të politikës dhe të formimit të opinionit publik. Megjithatë, konsumi i konspiracionit në nivele bajate të jetës së përditshme përbën një rrezik serioz për ‘publiken’, sepse çon në mbylljen e syve përballë fenomeneve konkrete politike dhe përballë autoritarizmit. Madje, dikush mund të nxitohet të etiketojë personazhe të ndryshme si populistë, duke vënë kështu shenjën e barazisë ndërmjet populizmit dhe shtrembërimit të demokracisë. Pse jo – mund të pyesë dikush?

Së fundmi lexova një libër të pedagogut greko-britanik të teorisë politike, Janis Stavrakakis, mbi fenomenin e populizmit, tek i cili autori thekson nevojën e diferencimit të konceptit të populizmit nga ai i nativizmit. Jo gjithmonë populizmi është kërcënim për demokracinë, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që ai të përdoret në një drejtim të tillë. Nga ana tjetër, ai i nevojitet përditësimit të demokracisë, sepse nga vetë fjala, populizmi përbën një përpjekje të qytetarëve dhe të shtresave të marxhinalizuara për të përmirësuar përfaqësimin e tyre politik. Në këtë prizëm, të jesh populist do të thotë të kërkosh politikisht dhe publikisht korrigjimin e problemeve të makinerisë së demokracisë, kur ingranazhet e kësaj të fundit ngecen dhe duhen vajosur.

Një populist kërkon korrigjimin e problemeve që lidhen me përfaqësimin politik të të varfërve, të minoriteteve të ndryshme, respektimin e opozitës, e kështu me radhë. Natyrisht, nuk përjashtohet që në gamën e stërgjerë të pakënaqësisë që lidhet me mosfunksionimin apo keqfunksionimin e demokracisë të dalin forca antidemokratike, euro-skeptike apo raciste, të cilat aplikojnë, mes të tjerash, retorikën populiste. Për Stavrakakis, personazhe të tilla janë: presidenti Tramp, politikania franceze LePen apo ai italian Salvini.

Jo rrallë herë denoncuesit e problemeve të demokracisë u akuzuan si populistë, dhe në këtë prizëm u mbyllën sytë përballë rrëshqitjeve autoritariste që po pëson demokracia sot, madje dhe në zemër të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, duke përfshirë në mënyrë të veçantë, shtetet aspirante. Ky fenomen vetë-mbyllje e syve është vazhdimi i problemeve te shtetet që karakterizohen si demokraci-liberale, probleme të cilat në vija të trasha janë: kufizimi i shtetit social, mungesa e shanseve të barabarta politike, zhvillimi skajor i ekonomisë, rritja e hendeqeve ekonomike-sociale, dhe si rrjedhojë marxhinalizimi i një pjese të qytetarëve, të cilët nuk përfaqësohen politikisht si më parë. E thënë me fjalë të tjera, në vend që elitat evropiane të merrnin masa konkrete me qëllim përditësimin e demokracisë empirike, por edhe të asaj teorike, ato akuzojnë denoncuesit si populistë. Në këtë prizëm lipset kujdes i veçantë.

Dikush do të pyeste me të drejtë nëse konspiracionistët, në sajë të dyshimit të tyre për procesin demokratik, kontribuojnë në përditësimin e demokracisë. Përgjigjja është negative, sepse përhapja e konspiracionit në nivele popullore nuk bën gjë tjetër veçse kultivon tendenca nihiliste ndaj proceseve politike në tërësi, duke përfshirë këtu (fatkeqësisht) edhe dimensionet pozitive të demokracisë, siç janë: sistemi i ndër-balancimit të pushteteve, prania e qytetarisë sociale, multikulturalizmi, lëvizja e lirë, e kështu me radhë. Madje, mund të thuhet se në shumë vende të botës konspiracioni zhvillohet sot në drejtimin e një skepticizmi ndaj establishmentit politik, në ngjashmëri me kritikën trampiste gjatë zgjedhjeve të kaluara në SHBA. Nëse atëherë Trampi premtoi largimin e Sorosit nga skena e influencës amerikano-globale, apo dhe fuqizimin e SHBA-ve në botë – premtime të cilat jo vetëm që nuk janë përmbushur, por madje janë bërë hapa prapa, kryesisht për sa i përket marrëdhënieve euroatlantike – sot zëra të tillë konspiracionistë, të cilët nuk mund të jenë populistë të mirëfilltë por populistë-nativistë, kritikojnë struktura ndërkombëtare, siç është Organizata Botërore e Shëndetësisë, apo shikojnë me dyshim aplikimin e një vaksine të mundshme kundër COVID-19.

Konspiracioni shkon akoma më tej dhe kalon kufijtë e logjikës, duke e lidhur vaksinën me sëmundje të ndryshme të lindshmërisë dhe deri me ardhjen e antiKrishtit në tokë!!! Nuk është e rastësishme që në Shqipëri konspiracionistët kryesorë aplikojnë në oratorinë e tyre elementë të nacionalizmit folklorik, duke kritikuar jo vetëm partinë qeverisëse, por të gjithë procesin politik në tërësi. Në këtë prizëm, konsipracioni që po shoqëron pandeminë e COVID-19 nuk shëron problemet që lidhen me rrëshqitjen e demokracisë, por përkundrazi kontribuon në forcimin e autoritarizmit, pikërisht sepse i bën qytetarët më apatikë në proceset politike.

Si rrjedhojë na lind e drejta të ngremë pyetjen se çfarë duhet bërë?

Pesha kryesore i bie Bashkimit Evropian, duke qenë se ai u krijua dhe evoluoi për shumë vite si një eksperiment dhe strukturë e qëndrueshme demokratike. Masat që do të ndërmerren nga elitat evropiane dhe shtetet-anëtare do të kenë rëndësi themelore, jo vetëm për procesin e evropianizimit, por edhe për delegjitimimin e konspiracionit dhe të populizmit-nativist. Por, në rast të kundërt, konkretisht në rastin e stanjacionit apo të rritjes së mëtejshme të mos-përfaqësimit politik dhe të pakënaqësisë ekonomike-sociale, atëherë probleme të tilla si ato që trajtuam më sipër nuk kanë pse të zhduken vetvetiu, dhe si pasojë të zgjasin edhe gjatë viteve në vazhdim.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Shkrim i sakte deri para paragrafit te fundit. Aty ku duhet te jepen disa udhezime se c'duhet bere, autori -nuk e di- pse mbet ne balte! Ndoshta nga mangesite ne jurisprudence, historine e juridiksionit dhe te Drejtave te ndryshme!?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.