Kthimi në epokën e Kisingerit

Postuar në 14 Qershor, 2020 12:41
Michael Hirsh

 

Mund ta urresh Henry Kissingerin dhe të mendosh se ishte djallëzor. Por ajo që nuk mund të bësh është ta injorosh - sidomos tani. Kështu argumenton Barry Gewen në librin “Pamundësia për të shmangur tragjedinë”. Në të vërtetë, jo vetëm që nuk mund ta injorojmë atë burrë të vjetër shteti, i cili mbushi 97 vjeç në maj, por tani kemi nevojë për të më shumë se kurrë. Për të qenë të saktë, na duhen dëshpërimisht idetë dhe instinktet e Kissinger-it se si të gjejmë rrugën në një botë që, tani e kemi kuptuar, nuk po funksionon shumë mirë - dhe ndoshta nuk do të funksionojë kurrë.

Bota, nga pikëpamja e Uashingtonit, është bërë sërish kisingeriane. Kryqëzatat e Amerikës kanë mbaruar ose në rastin më të mirë janë gërryer dhe shkatërruar deri në themel. Kryqëzata uillsoniane që e shndërroi kontrollin e ndjeshëm të Luftës së Ftohtë në një betejë të kotë dhe zhgënjyese kundër mitit të komunizmit monolit, duke përfunduar në mënyrë të tmerrshme në Vietnam; dhe më pas u rivarros në epokën e pas Luftës së Ftohtë si një thirrje neo-reganiane për t'u dhënë fund regjimeve "të këqija", duke përfunduar në mënyrë tragjike në Irak, është ezauruar. Askush nuk dëshiron të ketë të bëjë me transformimin e botës - aq sa edhe amerikanët çuan në Shtëpinë e Bardhë një neoizolacionist të shpallur, Donald Trump, në mënyrë që ai të mbyllte vendin nga dhe për botën.

Kriza e koronavirusit e ka përshpejtuar axhendën e Trumpit, duke frymëzuar një valë të re izolacioniste të motos së tij "Amerika e Para", pasi përfaqësuesi i tij i tregtisë, Robert Lighthizer, argumentoi në një ese të kohëve të fundit duke bërë thirrje për një rikthim të ndërmarrjeve ekonomike amerikane jashtëvendit në përgjigje të politikave "tregtare grabitqare dhe ekonomike të Kinës” dhe mashtrimet mbi origjinën e pandemisë. Administrata Trump madje po evokon pushtetin e epokës së mëparshme, duke përmendur krijimin e një "Rrjeti të prosperitetit ekonomik" të vendeve që bien në një mendje për t’u shkëputur nga Kina. Me garën presidenciale të vitit 2020, kandidati demokrat  Joe Biden, e goditi Trump për lavdërimet e tij të herëpashershme për Presidentin Kinez Xi Jinping. Dhe si parti, demokratët po vënë në pikëpyetje si asnjëherë më parë institucionet liberale internacionaliste të krijuara nga tradita e tyre, siç është Organizata Botërore e Tregtisë (OBT) — kjo kryesisht për shkak të një bindjeje se Kina i ka shfrytëzuar dhe shkelur rregullat e OBT për t’u grabitur punën amerikanëve të klasës së mesme.

Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme për këto gjëra. Sigurisht, diplomatët amerikanë nuk kanë zbuluar ndonjë rrugëdalje. Për të qenë të sigurt, rendi ndërkombëtar liberal dhe sistemi i aleancave që dolën nga Lufta e Dytë Botërore para treçerek shekulli ekzistojnë ende, për fat të mirë, dhe ne do të vazhdojmë t'i përdorim ato. Por mosbesimi midis aleatëve është i lartë, bashkëpunimi gjithçka tjetër përveçse joekzistent, dhe secili vend duket i prirë të ndjekë rrugën e vet nacionaliste. Institucionet globale si Kombet e Bashkuara dhe OBT kanë ndërtuar marrëdhënie të dobëta në tryezë, duke u lutur për ndalim të politikave, ndërsa Uashingtoni, Pekini dhe Moskës luajnë për një vend në krye të tyre. Midis kombeve, betejat e mëdha ideologjike kanë mbaruar - ose të paktën janë në letargji të thellë. Gjatë shekullit të kaluar apo më shumë, ne kemi qenë dëshmitarë të zhbërjes së monarkisë, autoritarizmit, fashizmit, komunizmit dhe totalitarizmit, secila prej tyre të provuara dhe të testuara deri në shkatërrim. Dhe tani, në një farë mase, ne po përjetojmë edhe dështimet e demokracisë, e cila në shumë vende duket e polarizuar në paralizë, si në Uashington, duke u mbytur në meme dezinformuese dhe e hakuar nga forcat malinje të jashtme si Rusia. Ne kemi parë gjithashtu se si kapitalizmi - megjithëse ka fituar mbi komunizmin e Luftës së Ftohtë në drejtim të pronësisë së mjeteve të prodhimit - është provuar jashtëzakonisht i pabarabartë në testin e prodhimit të kapitalit shoqëror. Sistemi i zgjedhur në botë është i prirur drejt kolapsit të vazhdueshëm.

Po aq domethënëse, prestigji dhe fuqia amerikane janë tani aq poshtë sa nuk mbahen mend ndonjëherë, veçanërisht pas mandatit të parë përçarës, polarizues të Trump, i cili kulmoi së fundmi me dënimin ndërkombëtar të qasjes së tij brutale ndaj protestave që pasuan vrasjen e një njeriu me ngjyrë gjatë arrestimit në Minneapolis. Përtej kësaj, shovinizmi i egër i presidentit dhe menaxhimi i koronavirusit nuk kanë bërë gjë tjetër veçse e kanë përfunduar rrugën drejt shkatërrimit të reputacionit të filluar nën Presidentin George W. Bush. Është e vështirë tani të kujtosh sesa lart ishte prestigji amerikan më pak se dy dekada më parë, më 10 shtator 2001 - ai moment unipolar i Luftës së Ftohtë, kur historiani i Universitetit Yale, Paul Kennedy, vëzhgoi se superfuqia e vetme kishte tejkaluar madje edhe Romën e lashtë në mbizotërimin ekonomik dhe ushtarak - dhe sa shpejt nisi rënia e kursit. Në atë që ishte ndoshta gabimi më i madh strategjik në historinë e SHBA, Bush dhe përkrahësit e tij neokonservatorë (të cilët po fshihen të gjithë tani, nëse flasim në mënyrë konceptuale) e shndërruan atë që duhej të ishte një luftë unifikuese globale kundër fortesave të mbetura kriminale të bashkësisë ndërkombëtare, terroristëve islamikë, në një lojë imperialiste pushtimi, duke ekspozuar në këtë proces dobësitë më të mëdha të Amerikës në tokë dhe ajër.

Atëherë Bush i bëri dëme të njëpasnjëshme ekonomisë së ShBA, duke përfunduar në rënien e Wall Street-it dhe Recesionin e Madh. Ndërkohë, Kina u ngrit dhe përhapi ndikimin e saj në të gjithë botën, Vladimir Putin nisi komplotet dhe Viktor Orbanët, Narendra Modët dhe Jair Bolsonarot ndoqën rrugën e tyre. Dhe amerikanët, të neveritur mënyra e keqe e drejtimit, u përgjigjën së pari duke zgjedhur një senator të ri (Barack Obama) fama e të cilit u rrit duke e quajtur Irakun një "luftë memece" dhe më pas ngurroi për tetë vjet për përfshirjen e SHBA në luftërat jashtë saj duke përfunduar në përqafimin e populizmit të “Amerika e para”.

E gjithë kjo na rikthen drejtpërdrejt te Kissinger, realisti i madh Hans Morgenthau (i cili ishte mentori i tij) dhe urgjenca e ashpër gjeopolitike e ditëve tona. Bëhet fjalë për anarkinë globale dhe përhapjen e rivalitetit të fuqive të mëdha që kërkon një diplomaci të fortë strategjike të llojit që Morgenthau konceptoi në teori dhe Kissinger e vuri në praktikë mjeshtërisht. Kjo duket se është porosia kryesore e librit të Gewen, i cili duhet studiuar veçanërisht në një moment kur kinofobia po rritet dhe Pekini po kthen po aq mirë sa merr. Sepse Kina sot, shkruan Gewen, është "apatosauri në dhomë".

Përgjigja për të ardhmen e marrëdhënieve SHBA-Kinë - dhe paqen e stabilitetin global që kryesisht varen nga mbarëvajtja e tyre - mund të gjendet në të kaluarën, sugjeron Gewen. Nuk është rastësi e vogël që Kissinger dhe filozofia e tij e patën momentin e tyre në një kohë të dobësisë së SHBA-ve, gjatë Luftës së Vietnamit, trazirave civile, Watergate dhe stagflacionit të viteve 1970, kur diplomatët duhej të gjenin terren të përbashkët dhe ekuilibër midis fuqive kryesore. Për shkak se një Uashington i dobësuar dhe i çrregulluar mund të jetë në një pozicion të ngjashëm sot përballë Kinës, tema e preferuar e Kissinger dhe fokusi i triumfeve të tij më të mëdha diplomatike. Në veçanti, Uashingtonit i duhet një përmbysje për të provuar dhe testuar realpolitikën që do të jetë mjaft e aftë për ta shndërruar rivalitetin e fuqive të mëdha në një modus vivendi të qëndrueshëm dhe paqësor. Ish-kryeministri australian Kevin Rudd, një studiues i Kinës që e ka parë ngritjen e Pekinit nga afër, shkroi në një ese të fundit për pandeminë e koronavirusit në “Foreign Policy”:

E vërteta e pakëndshme është se Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë të ngjarë të dalin nga kjo krizë të zvogëluara në mënyrë të ndjeshme. As një Pax Sinica e re dhe një Pax Americana e përtërirë nuk do të ngrihen nga rrënojat. Përkundrazi, të dy fuqitë do të dobësohen, brenda dhe jashtë vendit. Dhe rezultati do të jetë një lëvizje e vazhdueshme e ngadaltë, por e qëndrueshme drejt anarkisë ndërkombëtare

Megjithatë, pikërisht dhe vetëm kjo dobësi e ndërsjellë midis dy fuqive të mëdha botërore mund të sigurojnë një rrugëdalje. Përgjigja fillon duke njohur dhe pranuar atë me të cilën përballemi sot - e cila është një botë e përhershme gri. Kjo është e vështirë për t’u pranuar për amerikanët, të cilët për disa breza që nga Lufta e Dytë Botërore dhe në triumfin e pas Luftës së Ftohtë janë mësuar me mbizotërimin e padiskutueshëm të botës. Është kryesisht kjo botë kaotike e shekullit XXI që Morgenthau, megjithëse tashmë i harruar jashtë botës akademike, e përshkruam me paramendim në tekstin bazë të realizmit modern më shumë se 70 vjet më parë, “Politika midis kombeve”, dhe të cilën Kissinger e zgjeroi në karrierën e tij diplomatike, që Gewen e dokumenton shkëlqyeshëm në librin e tij. Morgenthau parashikoi thyerjen e tanishme të besimit në lidhje me përparimin e shoqërisë njerëzore, kur tha se racionalistët që kërkonin përsosmëri në qeverisjen njerëzore dhe shoqëri mohuan "pashmangshmërinë e tragjedisë", për të zgjedhur temën kryesore të Gewen. Kjo është ajo që ka mësuar çdo burrë shteti — se "zgjedhjet me të cilat u përballën nuk ishin midis së mirës dhe të keqes ... por midis së keqes dhe më pak të keqes", shkruan Gewen, redaktor për shumë vite në New York Times Book Review. Kjo përshkruan pjesën më të madhe të karrierës së Kissinger, përfshirë hapjen ndaj Kinës, armëpushimin e vitit 1973 në Lindjen e Mesme, madje edhe fundin kaotik dhe të përgjakshëm të Luftës së Vietnamit dhe mijëra jetë të humbura që Kissinger duhet t’i ketë në ndërgjegje.

Gwen thotë se nuk është e lehtë që Kissingeri të ketë imazh të mirë tek opinioni publik. Kissinger dhe Richard Nixon vëzhguan fushatën brutale për të detyruar Hanoin të ulet në tryezë, duke hedhur më shumë bomba në Kamboxhia se të gjitha bombat që aleatët lëshuan në Luftën e Dytë Botërore, duke çuar përfundimisht në qindra mijëra vdekje të pafajshme; ajo politikë, së bashku me indiferencën e tyre ndaj gjenocidit të vitit 1971 në Bangladesh dhe mbështetjes së dukshme të grushtit të shtetit në Kili, ndihmuan në provokimin e një brezi liberalësh të spikatur nga Seymour Hersh tek Christopher Hitchens që e etiketuan Kissingerin një paranojak dhe një kriminel lufte. Gjithmonë ka pasur një dyshim në lidhje me bindjet e tij dhe përvetësimin e motiveve - ai e dinte që amerikanët nuk do të luftonin, kjo duket në fjalët e tij, "të ruajmë ekuilibrin e pushtetit". (Gewen vëren se Kissinger që në vitin 1965, pas një vizite, kishte arritur në përfundimin se Vietnami ishte i pamundur për t’u fituar, por prapë e mbështeti luftën.) Gewen përpiqet ta vendosë Kissingerin në linjën e mendimtarëve hebrenj gjermanë që i shpëtuan holokaustit dhe përndiqeshin nga dështimet e Demokracisë së Vajmarit, së bashku me Leo Strauss dhe Hannah Arendt — megjithëse ai nuk është plotësisht bindës këtu, duke pasur parasysh që disa nga idetë shpesh të paqarta të Strauss-it frymëzuan më vonë neokonët dhe Madeleine Albright.

Por idetë e Kissingerit kanë më shumë rezonancë tani sepse ne jemi qartazi në një situatë të ngjashme me dobësinë amerikane në vitet '70, kur elitat e politikës së jashtme nuk mendonin për triumf por thjesht për mbijetesë, siç duhet të bëjnë tani, veçanërisht kur problemet e brendshme të Amerikës janë aq dobësuese sa ishin në atë kohë. Ndoshta zhgënjimi më i madh i librit të Gewen është se pasi lexoi qindra faqe nga burime biografike dhe historike të realizmit të Kissingerit, plot nuanca përndjekjeje hitleriane,  autori nuk e zbaton atë shumë për të tashmen - dhe vetëm në mënyrë të përciptë te Kina.

Sepse nuk ka përligjje më të madhe të realizmit kisingerian sesa ajo që ka ndodhur në Kinë gjatë dekadave të para të shekullit XXI. Pas një çerek shekulli, në të cilën u bë modë në Uashington të mendosh se bashkëpjesëmarrja e Kinës në sistemin e tregjeve globale të pas Luftës së Ftohtë të dhe demokracive në zhvillim do të ngrinte gradualisht atë vend drejt normave të Iluminizmit – ajo që Kisingeri dikur e quajti "epoka e vjetër e ëndrrës amerikane për një paqe të arritur nga shndërrimi i kundërshtarit "- iluzione të tilla janë zhdukur. E gjithë ajo që na mbetet është një superfuqi në zhvillim e cila i përshtatet pikëpamjes që kishte Kissinger për një vend që ai e vizitoi rreth 100 herë, që daton nga takimet e para me Mao ce Dunin. Dhe nëse analiza e Kissinger është e saktë - siç ka gjasa të jetë - Shtetet e Bashkuara dhe Kina mund t’i bëjnë vend nëse punojnë në të, duke i mbajtur predikimet në minimum.

Ajo që nuk e kuptuan triumfalistët e pas Luftës së Ftohtë, shkruan Gewen, është se pas rënies së Bashkimit Sovjetik ne u përballëm me "një botë pa ideologji, në të cilën recetat transhendente për demokracinë nuk ishin zgjidhje për problemet që dolën".

Në të vërtetë, është bërë shumë më keq se kaq. Ne duhet të kundërshtojmë me sinqeritet realitetin postmodern që të gjitha shpresat për përsosmërinë e shoqërisë dhe qeverisjes kanë mbaruar; nuk ka më asnjë Kauzë të Madhe për të filluar një revolucion. "Topi i lirisë" i Thomas Jefferson, të cilin amerikanët dikur prisnin ta rrokullisnin pa u ndalur në të gjithë globin, ka përfunduar në hendek. Raporti i fundit i Kombeve në Tranzit nga Freedom House dokumenton një "ndarje të habitshme demokratike" - në mënyrë të veçantë duke treguar dështime në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe Azinë Qendrore, duke konstatuar se "ka më pak demokraci në rajon sot sesa në çdo moment tjetër që nga koha kur raporti vjetor u lançua në vitin 1995. "Historia do të ecë përpara, shtetet e dobëta si Afganistani do të vazhdojnë të dështojnë, dhe demokracitë dhe autokracitë si Shtetet e Bashkuara dhe Kina do të mbeten në “luftë” me njëra-tjetrën. Por askush nuk duhet ta mashtrojë më veten se kjo përplasje vullnetesh do të japë ndonjë rezultat të Madh Teleologjik - një rezolutë në favor të një forme të organizimit shoqëror dhe politik mbi një tjetër.

Si rezultat, siç shpjegoi një herë Kissinger, "Pothuajse çdo situatë është një rast i veçantë." Rritja e re e nacionalizmit, ka shkruar ai, mund të kërkojë "identitet kombëtar ose rajonal duke u përballur me Shtetet e Bashkuara". Kjo është ajo që ka bërë Kina e Xi-së. Në të vërtetë, shumë nga nacionalistët e sotëm po i përgjigjen Uashingtonit ashtu si dikur sovjetikët, duke konsoliduar kontrollin kombëtar duke luajtur me kërcënimin nga armiqtë e huaj. Dhe neonacionalizmi në të gjithë globin duhet të trajtohet në të njëjtën mënyrë si George Kennan rekomandoi kundër Bashkimit Sovjetik: Ulja e kërcënimit të perceptuar nga Shtetet e Bashkuara, dhe sistemet autoritare si Kina kanë më shumë gjasa të zhduken vetë. (Edhe tani Xi mund të përballet me një sfidë të brendshme serioze; Rudd, në esenë e tij për “Foreign Affairs” shkruan se mënyra si Xi iu përgjigj krizës së "ka hapur përçarje të mëdha politike brenda Partisë Komuniste Kineze, madje duke shkaktuar kritika të rrepta" të "udhëheqjes së tij shumë të centralizuar") Siç vëren Gewen, Kissinger shkruante në librin e tij të vitit 2011,"Mbi Kinën", që edhe Mao, revolucionari marksist përgjegjës për vdekjen e miliona kinezëve, nuk ishte ideolog si Lenini, por një nacionalist i tipit “Kina e para” dhe përfaqësoi një vend që kishte sensin e vet të izolimit - si Shtetet e Bashkuara - por ndryshe nga amerikanët, regjimi kinez nuk e pa të nevojshme ta eksportonte këtë zell jashtë vendit. Kina sot po blen ndikim kudo. Por krijimi i të ashtuquajturave koloni të borxhit në të gjithë globin është shumë më pak kërcënues sesa pushtimi i plotë.

Çelësi nuk është te reagimi i tepruar. Dhe zgjedhja është e ashpër për të dy vendet, shkruan Gewen. "Në një mënyrë ose në një tjetër, qoftë përmes një evolucioni intelektual që pranon kufijtë dhe kompromisin diplomatik, ose përmes derdhjes së gjakut me shumicë, ata do të duhet të heqin dorë nga ekskluziviteti i tyre i preferuar për një sistem Westfalian të diversitetit ndërkombëtar dhe një ekuilibër më modest. "Për më tepër, Uashingtoni dhe Pekini do të duhet të sjellin në lojë fuqi të tjera të mëdha botërore për të pranuar këtë ekuilibër të ri pushteti”.

Kissinger parashikoi shumë nga ky rezultat, shkruan Gewen. Dekada më parë, ai parashikoi që epoka e Reganit dhe mbarimi i Luftës së Ftohtë nuk do të dëshmonin një fillim të ri për kapitalizmin demokratik liberal të stilit amerikan, siç neokonët besonin dhe ndërkombëtaristët liberalë shpresonin, por ishte më shumë "në natyrën e një muzgu të shkëlqyer". Ndërsa Kissinger pranoi, si gjithmonë, se idealizmi uillsonian do të vazhdojë të përcaktojë zemrën e politikës së jashtme amerikane, ai shkroi se edhe në triumfin e Luftës së Ftohtë — të cilën ai e pranon se u fitua pjesërisht nga primati i të drejtave të njeriut në debat (veçanërisht roli i saj brenda bllokut sovjetik), liderët amerikanë do të duhet të artikulojnë një ekuilibër të ri pushteti "për të ruajtur ekuilibrin në disa rajone të botës, dhe këta partnerë jo gjithmonë mund të zgjidhen vetëm në bazë të konsideratave morale."

Edhe Kina është e angazhuar sot në një debat vetëkërkues për atë se sa larg mund të shkojë në mbizotërimin global, dhe historia e gjatë e vendit me kujdes gjeopolitik (me vepra nëse jo gjithmonë me fjalë) është inkurajuese. Mes gjithë këtij dyshimi në vetvete dhe provave të ndërsjella të "kufijve" - asnjë nga fjalët e preferuara të Kissinger - qëndron mundësia e një baze të përbashkët, edhe nëse të dy ekonomitë zbërthehen në drejtim të zinxhirëve të furnizimit dhe ndërvarësisë financiare. Sepse pa një diplomaci të zgjuar, agresive për të gjetur një ekuilibër të ri të pushtetit, ekziston mundësia e një gabimi katastrofik, madje edhe që i jep fund botës. Në veçanti, Kissinger — mbase njohësi më i thellë i paqes shekullore që filloi me Kongresin e Vjenës dhe mbaroi në gusht 1914 — shqetësimet për agresionin para Luftës së Parë Botërore, një perspektivë veçanërisht e frikshme në një epokë bërthamore. Ashtu si shumë njerëz në Uashington dhe Pekin sot, liderët e Evropës në atë kohë menduan se "të rrezikosh ishte një mjet efektiv diplomatik", shkroi Kissinger.

Tani Pekini po rreshton ushtritë e robotëve dhe miliarda dollarë kundër demokracisë amerikane, dhe shumë në Uashington po kërkojnë në mënyrë të pamatur një luftë të re të ftohtë për t'u përballur me "imperialistët në Pekin", të cilët janë "një kërcënim për të gjithë popujt e lirë", sipas fjalëve që përdori senatori i Misurit, Josh Hawley, një yll në ngritje në Partinë Republikane. Detyra e parë e kësaj axhende të re të rrezikshme: tërheqja nga OBT,  nën të cilën Kina "ka abuzuar dhe ka thyer rregullat e sistemit ekonomik ndërkombëtar në dobi të vet" dhe u ka kushtuar 3 milion vende pune amerikanëve, tha Hawley në një fjalim të 20 majit.

Basti për zgjidhjen e çështjeve midis Uashingtonit dhe Pekinit është i vështirë për amerikanët, por në thelb është mjaft i thjeshtë: Të dy palët duhet të bien dakord të mos pajtohen për disa besime themelore, thotë Kissinger.

Amerikanët kurrë nuk do të heqin dorë nga angazhimi i tyre për të drejtat e njeriut dhe lirinë personale, dhe kinezët kurrë nuk do të ndalojnë së përqendruari kryesisht në ruajtjen e stabilitetit në popullatën e tyre të gjerë, duke u dhënë kështu shtrëngime të vogla lirive dhe të drejtave të njeriut. Në baza morale dhe kulturore, ky është një ngërç i papajtueshëm. Në baza ekonomike gjithashtu, ekziston vetëm perspektiva e kompromisit diplomatik. Kina ka vjedhur në mënyrë flagrante pronën intelektuale amerikane dhe ka shfrytëzuar tregjet e hapura të SHBA duke i mbushur ato me produkte të lira të subvencionuara nga shteti - një tjetër dështim i madh i administratës George W. Bush ishte se neglizhoi funksionimin e rregullave që OBT ka për raste të tilla dhe lufta tregtare e Trump nuk ka bërë përparim kundër praktikave të tilla. Si është e ardhmja? Përzierje mes këtyre të dyjave. Ose, siç e ka shprehur Kissinger, gjeni një “koncept pragmatik të bashkëjetesës” jo ndryshe nga ndalesa e epokës së Luftës së Ftohtë, kur një Amerikë e lodhur nga Vietnami dhe stagflacioni nuk ishte në formë për të kryer kryqëzata ideologjike dhe përkundrazi shkoi në shtrat me Pekinin, ndërsa negocionte kufizimin e armëve me Moskën. Mbajtja e presionit në mënyrë diplomatike, por duke u bërë bisht çështjeve themelore, siç kanë bërë gjithmonë diplomatët e zgjuar. Sepse alternativa— konflikti i vazhdueshëm dhe lufta në Detin e Kinës së Jugut që mund të kthehen në kërcënim bërthamor — është e paimagjinueshme. "Ambiguiteti", tha Kissinger, "ndonjëherë është gjaku i diplomacisë."

Një çështje tjetër që parashikon edhe Kissinger dhe Morgenthau është se sa më shumë bëhet demokracia populiste, aq më pak e aftë është të zhvillojë një politikë të jashtme të besueshme. Morgenthau, i cili më vonë u prish me Kissingerin për kundërshtimin e tij ndaj Luftës së Vietnamit, veçanërisht pa efektin që demokracia popullore do të kishte në diplomacinë profesionale - një ndikim që është shumë i dukshëm në administratën Trump, por gjithashtu ndikoi në administratat gjithnjë e më të rrënuara të Obamës dhe Bush. Kissinger e zgjodhi këtë temë në librin e tij të vitit 2001, “A i duhet Amerikës politike e jashtme”, dhe në një artikull të vitit 2018 në “Atlantik” që Gewen e përshkruan si "mësimin e tij të fundit si një mësues i vetemëruar i publikut amerikan". Në rritjen e hapësirës  kibernetike, Kissinger perceptoi një "anarki në rritje, të cilën ai e barazoi me një gjendje të natyrës hobeziane, në të cilën perspektiva e rendit botëror tërhiqej gjithnjë e më tej nga pikëpamja ... dhe në mendjen e tij kompjuterizimi i botës nxiste një lloj të menduari të papërgjegjshëm , që ishte e dëmshme për gjykimin racional në rastin më të mirë, katastrofik në rastin më të keq. "

Në bërjen e këtij vlerësimi, shkruan Gewen, Kissinger zbuloi një anë të vetvetes që kritikët e tij të shumtë do ta kishin vështirë të besonin: Kissinger humanisti. Algoritmet dhe grumbullimi i të dhënave në hapësirën në internet - disa prej tyre po, shumica jo - nuk kërcënuan të minojnë ose madje të shkatërrojnë sensin e të mirës së përbashkët. "Një politikë e jashtme e suksesshme kërkon, mbi të gjitha, aftësinë intuitive për të kuptuar të ardhmen dhe në këtë mënyrë për ta zotëruar atë," argumentoi Kissinger. Parashikimi i kurtheve në të ardhmen, dhe mbështetja më shumë në gjykimin e shëndoshë pragmatik sesa te providenca, është diçka që amerikanët duhet ta rimësojnë. Edhe Themeluesit deistë e panë Providencën në anën e tyre, dhe më vonë udhëheqësit amerikanë si Ronald Reagan besuan se vetë po bënin vullnetin e Zotit. Kissinger e admiroi Reganin për qëndrimin e tij parimor kundër sovjetikëve, por ai gjithashtu ironikisht iu referua përsëri një citati nga proto-realisti që e admiroi aq shumë, Otto von Bismarck, i cili tha, "Më e mira që një burrë shteti mund të bëjë është të ndjekë gjurmët e Perëndisë, të kapet pas mantelit të tij dhe të bëjë me të disa hapa gjatë rrugës".

Kisingeri i referohej në vend të Zotit një "përuljeje metafizike," shkruan Gewen, "një mirëkuptim për të cilin njerëzit e thjeshtë nuk do të dinin kurrë gjithçka duhej të dinin, ndërsa ata merreshin me lojën e rrezikshme të marrëdhënieve ndërkombëtare."

Kjo pasiguri tingëllon e çuditshme, por ajo që është më e keqja është të qenit shumë e vështirë dhe e padurueshme - me një fjalë, arrogante. Mungesa e përulësisë dhe një teprim i moralizuar çuan në katastrofat më të këqija në historinë moderne të politikës së jashtme amerikane, pushtimet e Vietnamit dhe Irakut. Një përmbledhje e debateve që çojnë deri në Vietnam, për të cilin Gewen jep detaje, dhe pushtimi i Irakut zbulon masën e vetëbesimit të tepruar midis politikëbërësve amerikanë në drejtësinë e dhënë nga Zoti kauzës së Amerikës. (Fraza famëkeqe me të cilën Bush e justifikoi pushtimin në Irak ishte: "Liria që çmojmë nuk është dhuratë e Amerikës për botën, është dhuratë e Zotit për njerëzimin.") A e fitoi Regan Luftën e Ftohtë, siç besojnë shumë konservatorë ? Edhe Kissinger ka pranuar se qasja konfrontuese e Reganit, në krahasim me uljen e tensioneve, "kishte shumë për t’u rekomanduar ". Por kryesisht Regani ishte me fat; ai ishte njeriu që rastisi në dhomë kur 40 vjet durimi strategjik - politika e përmbajtje - u shpërblye. (Vetë Reagan duhet ta ketë ditur sa me fat ka qenë, pasi ai ende ishte në përpjekje të dëshpëruar për të negociuar uljen e armëve me Moskën,  shumë prej shtangies së kundërshtarëve të ashpër në mandatin e tij të dytë, edhe pse sistemi Sovjetik po rrëzohej nga brenda.) Kissinger parashikoi, si dhe kushdo që me qetësi dhe këmbëngulje do të fitonte përfundimisht garën e Luftës së Ftohtë, dhe madje Kennan, babai i përmbajtjes, vërejti dikur se Kissinger "i kupton pikëpamjet e mia më mirë se kushdo tjetër në [Departamentin e Shtetit]".

Në fund të fundit, zgjedhja para nesh nuk është aq e vështirë sa mund të mendojmë. Kissinger u ankua për ekseset e uillsonianizmit, por pranoi se ai ende përbën shtratin ku mbështetet politika e jashtme amerikane. Dhe një konsensus është i mundur nëse uillsonianët pranojnë se sovraniteti amerikan dhe pushteti i fortë do të jenë gjithnjë të shenjta dhe përkrahësit e “Amerika e Para” pranojnë që rendi ndërkombëtar liberal që Shtetet e Bashkuara kanë krijuar, me të metat që ka, do të mbetet shumë më tepër mbrojtës sesa antagonist, jose ka fituar konsensusin e shumicës në botë dhe ndihmon për të hequr dorë nga fuqia ushtarake ende mbizotëruese e Uashingtonit, duke parandaluar që rivalët e mundshëm si Pekini dhe Moska të formojnë bllokun e fuqive alternative. Përpjekja e hapur për hegjemoninë amerikane thjesht nuk do të funksionojë, ka shkruar Kissinger, sepse asnjë rend ndërkombëtar nuk mund të mbijetojë nëse nuk shikohet si i tillë: "Tendenca mbizotëruese në mendimin e politikës së jashtme amerikane duhet të jetë shndërrimi i pushtetit në konsensus, në mënyrë që rendi ndërkombëtar të bazohet në marrëveshje dhe jo në një pajtim të bërë pa qejf. Megjithëse mbizotërimi i saj është i egër, Shtetet e Bashkuara, si autori kryesor i këtij rendi ndërkombëtar, kanë ende dorën mbi të. Ose siç shkruante Kissinger: "Qëllimi ynë duhet të jetë ndërtimi i një konsensusi moral i cili mund ta bëjë një botë pluraliste më krijuese sesa shkatërruese". Kjo detyrë është më e madhe sot.

Burimi: Foreign Policy

Përktheu: Gazmira Sokoli 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.