Politika u shtir sikur bëri reformën. Tani radha e popullit të shtiret sikur beson se ka zgjedhje të ndershme

Postuar në 05 Qershor, 2020 22:05

Fitore. Standarde, hapet rruga për negociata, integrimin. Çfarë ka ndodhur? Qenka miratuar reforma zgjedhore. Janë dhënë garanci më shumë për popullin shqiptar. Të votojë i qetë dhe ndershmërisht.

Nëse lexon dokumentin aty sheh ca rregulla "të reja" për institucionet administrative, një identifikim elektronik, që është pesë me hiç dhe ca arnime kozmetike. Për këto çikërrima, Partia Demokratike aktroi sikur të ishin Konferenca e Paqes në Versajë, duke marrë pas vetes edhe një deklaratë kortizonike nga ambasada amerikane: 

Mirëpresim marrëveshjen ndërpartiake për reformën zgjedhore në Shqipëri, e cila forcon garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe e çon Shqipërinë përpara në rrugën e saj evropiane. Kjo marrëveshje është rezultat i orëve të gjata, diskutimeve të ndezura, si dhe vendimeve të vështira nga anëtarët e Këshillit Politik Oerd Bylykbashi, Damian Gjiknuri, Rudina Hajdari dhe Petrit Vasili.

Të gjitha palëve iu desh të bënin lëshime në mënyrë që populli shqiptar të mund të përftojë garanci të reja, të tilla si identifikimi elektronik i votuesve, i cili mbron integritetin e kutisë së votimit. Marrëveshja po ashtu ndërmerr hapa për të depolitizuar administrimin zgjedhor në Shqipëri, duke siguruar më shumë transparencë dhe pavarësi më të madhe të personelit të zgjedhjeve. Disa masa depolitizimi do të hyjnë në fuqi menjëherë, ndërsa disa masa shtesë do të hyjnë në fuqi menjëherë më pas.

Kjo piketë e rëndësishme u arrit sepse udhëheqësit e Shqipërisë lanë mënjanë mosmarrëveshjet dhe punuan për të prodhuar një rezultat të prekshëm për popullin shqiptar. Përgëzojmë Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Basha për udhëheqësinë e tyre

Të kapin lotë gëzimi kur lexon se Shqipëria paska udhëheqës si Gjiknuri, Hajdari, Bylykbashi që paskan lënë mënjanë mosmarrëvëshjet. Pasi mesa shihet kryeministri Rama po tallet qysh tani me gjoja reformën zgjedhore që e quan se është po e njëjta me kodin në fuqi. Pra ky nuk paska pasur mosmarrëveshje, hiq kushtin idiot për qeveri kujdestare që edhe vetë PD-ja nuk e kishte seriozisht. 

Çfarë u arrit pra? Ku qëndron historikja në këtë festë me gëzim të rremë? Asgjëkundi.

Diplomatët konfirmuan se palët do të hyjnë në zgjedhje. Kaq. Por kjo dihej fare mirë qysh më parë. U rregullua një shfaqje që i shkel syrin Europës dhe që nuk cenon asgjë nga status quoja. Është festë e atyre që po bashkëqeverisin dhe që kanë vilat ngjitur me njëri-tjetrin. Shqiptarëve po u thonë: dilni o dele e votoni! Pastaj mbathjani nga sytë këmbët se kaq ishte. 

Comments

Submitted by Busan (not verified) on

eshte vertet fatkeqesi qe akoma keto plehra vendosin per te ardhmen e atij vendi ....

Submitted by Anonymous (not verified) on

Teater!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.