Shtatzanitë e zgjatura me reformën zgjedhore

Postuar në 03 Qershor, 2020 23:33

Është bërë progres drejt dakordësisë për administrimin zgjedhor. Ka mbetur një çështje pa zgjidhur. Dua t’i siguroj shqiptarët se opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë dhe të ndershme.

Kështu është shprehur sot në mbrëmje kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Pak para tij foli ambasadorja amerikane që sipas raportimeve të ndryshme ka negociuar gjatë kësaj kohe me të tri partitë kryesore. 

Lexon gjithë kohës lajme për reformën zgjedhore dhe asgjë reale nuk merr vesh. Nuk kupton dot p.sh se çfarë zgjidh për opozitën identifikimi biometrik, kur në zgjedhjet e vitit 2015 opozita nuk arriti të nxjerrë njerëzit e vet në votime e jo më të merrte vota shtesë. 

Nuk kuptohet se pse nuk ka dakordësi për administrimin e komisioneve nga njerëz jopartiakë. 
Të dëgjosh z. Basha të duket sikur ai po shkon në fund të botës për votën tonë, kur në fakt ka hallin e krijimit të alibive për dështimin eventual të nesërm. 

Kjo lojë ka 30 vjet që luhet dhe asnjë reformë nuk është bërë për votën, por për deformimin e saj. 

Ka 25 vjet që reforma zgjedhore mbyllet javën e fundit të çdo afati, për të ka negociim të huaj, ka 25 vjet që ajo duket e pamundur dhe se për mrekulli ne shpëtojmë në fund dhe sigurojmë ligjin e duhur. Por asnjëherë zgjedhjet siç duhen. Sepse këtu çdo palë zgjedhje mbeten shtatzanë me një reformë.

Të mbash mendjen dhe vëmendjen te këta palaço që luajnë të njëjtën lojë prej vitesh është të pranosh të gënjehesh sërish. Sepse ajo që është evidente nuk lidhet dhe aq me reformën zgjedhore. Evident është nevojs imediate për ndryshim dhe ndryshimi është që të mos qeverisemi më nga organizata hajdutësh. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.