Një fantazmë më shumë
Teatri i Operas e Baletit të Shqipërisë që ka nxjerrë yje me famë botërore, sot ka hyrë në Europë me hapësirën e kushtet e reja dhe skena me sallën e saj nuk është më një vrimë e ftohtë për artistët dhe publikun, po një vatër kënaqësie për krijuesit dhe dashamirët e atij teatri.
Nesër, do të hyjë po kështu në Europë me hijeshi e dinjitet, edhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë, që gjatë tërë jetës së vet nuk ka pasur dot një të ftuar për shkak të kushteve prej hauri kafshësh, ku dhanë shpirt të mëdhenjtë e skenës shqiptare dhe ku publiku s’e pati kurrë dot, dinjitetin e konsumatorit të ushqimit shpirtëror
Kështu shkruan sot në Facebook – e ku tjetër xhanëm – kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Bashëngjitur edhe një video që na tregon të gjithëve “mrekullinë inxhinierike” të teatrit të ri të Operas.
Rindërtime, prishje, ndërtime, fasada, lyerje, lungomare kudo ku ka një vijë uji, pllaka të reja me të njëjta forma dhe ngjyrë, ndriçim i fshehtë. Kjo është pak a shumë fytyra monotone e rilinjdes urbane të Shqipërisë nën Edi Ramën. Pa pyetur njerëzit që banojnë në qytete, pa u konsultuar, thjesht me tekat dhe lapsin e tenderave qytetet shqiptare po veshin ngadalë kominoshen e përbashkët të novatorit kryeministër. Po marrin formën dhe funksionin estetik të ideuar në imagjinatën e tij, kuptohet në fasadë, në vijën e parë, në dukjen e arterieve kryesore. Jo në prapatokë, jo në periferi, ku ligjësia e (mos) zhvillimi vijon të sfidojë çdo propagandë.
Është një marrëzi luksi që do i faturohet të ardhmes sonë të përbashkët, një luks që do të venitet si puna e atyre aristokratëve të rënë nga vakti, një luks që do të oksidohet nga e vërteta e këtij vendi shumë të varfër. Një vend që sot sodit sesi po kërkohet borxh 30 milionë euro për një teatër, ndërkohë që thuajse askush nuk e sheh të ardhmen e fëmijëve në këtë vend, që ka një stadium dyfish më të shtrenjtë, që ndoshta do të ndërtojë edhe ndonjë gjë tjetër më të shtrenjtë, por ka nivelin e artit inekzistent, të sportit më poshtë se kaq.
Nuk dihet kujt i dedikohen këto vepra, në cilin relacion politik dhe ekonomik bëjnë pjesë dhe gjejnë përligje. Në ambicien e një njeriu, apo në projektet dhe llogaritë e një kaste që po vjedh një vend të tërë. Ka disa fantazma që na e ilustrojnë më së miri këtë paradoks: Pallati i Kongreseve, apo edhe Pallati i Brigadave. Të projektuar për të tjera synime, ato sot i rëndojnë dheut me kotësinë e tyre. Nuk sintonojnë në asgjë me nevojat dhe aspiratat modeste të kësaj shoqërie. Objekte që u muzealizuan sapo u ideuan, pikërisht sepse nuk i përgjigjeshin ndonjë nevoje, por vetëm ndonjë deliri. Apo iluzioni. Kështu do të jetë edhe Teatri 30 milionë euro: një kafene gjigande dhe qendër argëtimi ku fitojnë shokët dhe miqtë e shokëve. Pse jo me kontrata 1 euro si investim strategjik.
Comments
Ndertesa eshte e bukur ne
Ndertesa eshte e bukur ne vetevete, por jo ne akord me ndertesat e tjera perreth dhe bulevardin aty prane.
Add new comment