Virusi godet të gjithë sistemin
Kur flet me mjekë të kujdesit intensiv në të gjithë Britaninë e Madhe, të rraskapitur pas javësh që merren me pacientët me Covid-19, ajo që të thonë herë pas here është: "Kurrë nuk kemi parë diçka të tillë më parë".
Ata e dinin që një sëmundje e re po vinte qëkur u shfaq rasti i parë në Kinë. Dhe ndërsa numri i rasteve rritej, mjekët nëpër Britani lexonin raportimet e dorës së parë nga kolegët në Kinë, dhe më pas në Itali - në revista shkencore dhe në media sociale - për intensitetin e infeksionit.
"Ndihej se ne po përpiqeshim të përgatiteshim për atë që po u ndodhte atyre", thotë Barbara Miles, drejtore klinike e kujdesit intensiv në Glasgow Royal Infirmary, "kishim tre javë për t'u përgatitur dhe jo shumë njohuri për atë me të cilën do të përballeshim”.
Por ajo që mbërriti në Britaninë e Madhe ndërsa dimri u shndërrua në pranverë, kapi në befasi edhe specialistët më me përvojë. Shumica e njerëzve të infektuar me koronavirus kanë vetëm simptoma të buta, ose nganjëherë asnjë prej tyre. Por në mijëra pacientë që sëmuren rëndë, Covid-19 është një sëmundje e kompleksitetit alarmant.
Ajo që vijon është një përmbledhje, shpesh me fjalët e tyre, e asaj që mjekët kanë mësuar në lidhje me atë se si Covid-19 sulmon trupin e njeriut, dhe ato që ata ende duhet t’i mësojnë.
Më shumë sesa pneumoni virale
"Unë mendoj se shumica e mjekëve prisnin një virus të frymëmarrjes që shkakton pneumoni," thotë prof. Anthony Gordon, këshilltar në njësinë e kujdesit intensiv në Spitalin St Mary, Paddington, "diçka e ngjashme me sëmundjet si gripi sezonal në një shkallë shumë më të madhe".
Por, - thotë ai,- u bë e dukshme shumë shpejt se po prekte shumë më tepër sesa frymëmarrjen e njerëzve.
Pneumonia virale është një sëmundje e keqe - një infeksion serioz i mushkërive, i cili shkakton inflamacion ndërsa trupi lufton kundër tij. Por rastet më të këqija të Covid-19 kanë qenë diçka e re.
"Vëllimi i kësaj është, natyrisht, i paparë në epokën e mjekësisë moderne", thotë Ron Daniels, këshilltar i kujdesit intensiv në spitalet në Birmingham.
"Por është gjithashtu lloji i sëmundjes që është aq i veçantë, dhe fakti që ajo është me të vërtetë e ndryshme në pothuajse çdo pacient tjetër që kemi parë më parë."
Për të sëmurët kritikë, kjo është një sëmundje inflamacioni të rëndë dhe koagulimi të gjakut që sulmon organe të shumta dhe shkakton probleme kërcënuese për jetën.
"Si mjek, ndonjëherë duket e tmerrshme. Ne kemi pasur pacientë shumë, shumë të sëmurë, të cilët po shihnin ndryshime të thella në trupin e tyre," thotë Beverley Hunt, një profesor i trombozës - mpiksja e gjakut. Hunt punon në kujdesin intensiv në një spital në Londër.
"Ne po mundohemi ta kuptojmë më mirë dhe është absolutisht e rëndësishme që të bëjmë më shumë hulumtime në mënyrë që të kuptojmë se çfarë po ndodh."
Oksigjeni
Ndërsa virusi filloi të përhapet më shpejt në Britani gjatë gjithë marsit, pacientët filluan të mbërrijnë në spitale sepse nuk merrnin dot frymë dhe nuk kishin oksigjen. Por shumë prej të sëmurëve më rëndë - siç janë ata që pranohen në kujdes intensiv - shpesh kishin probleme me organet e tjera, jo vetëm me mushkëritë. Dhe gjaku i tyre po vepronte në mënyra që duhet të shpjegohen plotësisht.
"Ne ende nuk e dimë me të vërtetë pse disa pacientë ndihen mirë, edhe pse ata kanë nivele tepër të ulëta të oksigjenit në gjak", thotë Prof Hugh Montgomery, një konsulent në kujdesin kritik në Spitalin Whitington në veri të Londrës.
Mjekët matin atë që ata e quajnë ngopja e oksigjenit - përqindjen e molekulave të hemoglobinës në gjak që mbajnë oksigjen. Zakonisht, qëllimi me pacientët të cilët nuk janë mirë është ta mbajnë atë në 90% ose më lart. Por në disa pacientë Covid-19 nivelet bien shumë më tej, deri në 80% dhe nganjëherë dukshëm më poshtë se aq.
Normalisht, kjo është e mjaftueshme për të vendosur kambanat serioze të alarmit, por disa pacientë duket se funksionojnë relativisht mirë me nivele të ulëta oksigjeni. "Mund të jetë e lidhur me inflamacionin që po prek enët e gjakut", thotë Anthony Gordon. "Po ndalon oksigjenin të futet në gjak, dhe kjo është ajo që çon në nivele të ulëta. Por mushkëritë vetë nuk preken aq shumë në fazat e hershme."
Është një nga misteret e shumta të Covid-19, për të cilat duhet urgjentisht të bëhen më shumë kërkime. Dhe ka shtyrë shumë mjekë të pyesin nëse ventilimi mekanik, për të ndihmuar pacientët të marrin frymë, është gjithmonë mënyra e duhur e veprimit për këtë sëmundje. Që të lidhet me një ventilator, një pacient duhet të jetë i pavetëdijshëm dhe i futet një tub në rrugët kryesore të ajrit. Ky proces ka shpëtuar shumë pacientë të sëmurë rëndë Covid-19.
Por për disa, fokusimi te mushkëritë mund të ketë qenë trajtimi i gabuar në kohën e gabuar.
"Sëmundja duket se kalon në faza të ndryshme", vëren Barbara Miles, "dhe kështu të dish më shumë se si të përdorësh makinat e frymëmarrjes te këta pacientë në faza të ndryshme të sëmundjes do të ishte diçka që shpresoj se do të mësojmë me kalimin e kohës."
Normalisht, pacientët që janë të sëmurë rëndë nga pneumonia virale duhet të jenë në një ventilator për rreth një javë. Me Covid-19, një javë shpesh nuk është e mjaftueshme. "Ne kemi parë njerëz në një ventilator për shumë më gjatë se kaq, dhe nuk e kuptojmë plotësisht pse", vëren Prof Danny McAuley, një këshilltar i ICU në Spitalin Royal Victoria në Belfast.
"Ndoshta ka akoma një virus të patrajtuar që vazhdon të shkaktojë dëme. Ose mund të jetë një përgjigje ndaj virusit, me të gjitha inflamacionet e tepërta që shkaktojnë probleme të shumta në trup." Dhe shumë nga ato probleme duket se janë të lidhura me gjakun.
Inflamacion dhe mpiksje gjaku
Të gjithë janë dakord se nivele të papara të inflamacionit në mushkëri e bëjnë këtë një sëmundje ndryshe nga të tjerat. Kur ka inflamacion në enët e gjakut, ky i fundit ka më shumë gjasa të mpikset. Dhe Covid-19 e bën gjakun tepër të trashë dhe ngjitës te pacientët e sëmurë rëndë.
"Ne gjejmë mpiksje të vogla në arteriet e vogla të mushkërive por edhe mpiksje të mëdha në arteriet e mëdha të mushkërive", thotë Hugh Montgomery. "Më shumë se 25% e pacientëve kanë mpiksje të konsiderueshme dhe ky është problem." Dhe sa më ngjitës gjaku, aq më i madh është problemi.
"Jeni shumë më të prirur për të pësuar trombozë të thellë të venave", shpjegon Beverley Hunt, që zakonisht nënkupton një mpiksje gjaku në këmbë. "Dhe embolia pulmonare, kur një nga trombozat e venave të thella udhëton nëpër trup dhe bllokon furnizimin me gjak të mushkërive, duke shtuar problemin e pneumonisë".
Mpiksja e gjakut parandalon gjithashtu qarkullimin e duhur të gjakut në organet e tjera si zemra dhe truri, duke e bërë shumë më të mundshme që pacientët me Covid-19 që janë në gjendje të rëndë mund të pësojnë atak në zemër ose goditje në tru. Dhe disa nga shenjat paralajmëruese për koagulimin e gjakut i kanë habitur mjekët.
Proteina kryesore në gjak, e cila formon mpiksjen e gjakut, quhet fibrinogjen.
"Normalisht," thotë Beverley Hunt, "ka diku midis dy dhe katër gram për litër në gjakun tuaj. Kjo sasi shkon pak më lart në shtatëzani, por ajo që ne po shohim te rastet me Covid është deri në 10 deri në 14 gram për litër. Kurrë nuk e kam parë këtë në të gjitha vitet e mia të punës si mjek".
Një masë tjetër e rrezikut të mpiksjes, një proteinë e gjakut e njohur si D-dimer, gjithashtu ka qenë jashtë normës. "Në një pacient të shëndetshëm, nivelet shkojnë në dhjetëra ose qindra," thotë Hugh Montgomery. "Me Covid nuk ka qenë aspak e pazakontë të shohësh nivele prej 60, 70 ose 80 000, gjë që është e padëgjuar".
Sistemi imunitar dhe organet e tjera
Në disa raste, shifra të tilla vijnë për shkak të pranisë së mpiksjeve të shumta. Por D-dimers gjithashtu mund të jetë tregues i një infeksioni aq të rëndë sa që shkakton një reaksion vdekjeprurës nga sistemi imunitar i trupit.
Citokinat janë molekula të vogla të prodhuara nga trupi si pjesë e mbrojtjes së tij kundër infeksionit. Një sistem paralajmërimi kimik. Ato çojnë në inflamacion, dhe deri në një nivel të caktuar që nuk të dëmton. Kjo ju lejon të luftoni një infeksion dhe me gjasa edhte të shpëtosh prej tij.
Por te disa pacientë, Covid-19 provokon atë që njihet si një stuhi citokine.
"Problemi", thotë Anthony Gordon, "është se nëse infeksioni mposht përgjigjen, prodhohen në masë këta shënues inflamatorë. Atëherë ato shkaktojnë edhe më shumë inflamacion të tepërt, gjë që nuk çon vetëm në problemet e frymëmarrjes për të cilat kemi folur, por edhe në dëmtimin e organeve të tjera të trupit".
Një fokus studimi te pacientët me sëmundje serioze është se numri i qelizave T - qelizat e rëndësishme të gjakut në sistemin imunitar - duket të ulet në mënyrë dramatike gjatë stuhisë së citokinës. Studiuesit shpresojnë se rritja e numrite të qelizave T do të ndihmojë shërimin.
Por të gjithë këta faktorë i shtohen faktit që Covid-19 është mjaft i paparashikueshëm - është ajo që specialistët e quajnë një sëmundje multisistem. Kjo e bën shumë më të vështirë të gjejnë se si të trajtohet më mirë çdo pacient individual, dhe për momentin nuk ka ndonjë protokoll unik që udhëzon mjekët se çfarë të bëjnë.
"Nuk janë vetëm mushkëritë që preken," thotë Hugh Montgomery, "janë veshkat, zemra, mëlçia. Ne gjithashtu kemi parë muskuj të inflamuar rëndë, i cili po bën shumë dëm." Më shumë se 2 000 pacientë Covid të pranuar në kujdesin intensiv kanë pësuar mosfunksionim të veshkave.
“Ne i kemi vendosur ata në pajisjen për dializë, "thotë Barbara Miles." Por gjaku që rrjedh nëpër makineri mpikset shumë më lehtë sesa jemi mësuar, kështu që duhet t'u japim atyre sasi të shtuar të ilaçeve për hollimin e gjakut".
Në një numër e më të madh pacientësh, truri është bërë gjithashtu një shkak serioz për shqetësim në mesin e mjekëve të moshuar që kanë shkëmbyer informacione çdo ditë për javë të tëra. "Ne tani e dimë se shumë pacientë kanë inflamacion të konsiderueshëm të trurit," vëren Hugh Montgomery.
"Inflamacioni vjen i bashkëshoqëruar me gjithçka, që nga deliri dhe konfuzioni, madje atë që ne e quajmë encefalit i shpërndarë".
"Kjo do të thotë që disa njerëz nuk zgjohen siç duhet pasi nxirren nga ventilatori."
Është një sfidë e vështirë, dhe mjekët janë të dëshpëruar të dinë saktësisht pse dhe si ndikohen kaq keq të gjitha këto pjesë të ndryshme të trupit.
Mungesa e oksigjenit dhe enët e gjakut të dëmtuara janë qartë pjesë e ekuacionit. Ka gjithnjë e më shumë prova se shumë organe janë sulmuar direkt nga virusi, dhe është befasuese që problemet më të zakonshme të përfshira me Covid-19 nuk janë probleme të frymëmarrjes si astma.
Përkundrazi, ato janë gjendje vaskulare që prekin venat dhe arteriet - presioni i lartë i gjakut, diabeti dhe sëmundjet e zemrës, së bashku me faktorë të tjerë si gjinia, mbipesha dhe në veçanti mosha.
Sipas Qendrës Kombëtare të Auditimit dhe Kërkimit të Kujdesit Intensiv, më shumë se 70% e pacientëve të pranuar në njësitë e kujdesit kritik në Angli, Uells dhe Irlandën Veriore kanë qenë meshkuj, dhe më shumë se 70% kanë qenë mbipeshë ose obezë.
Më shumë se dy të tretat e atyre që kanë vdekur në kujdesin intensiv kanë qenë mbi moshën 60 vjeç.
Ndryshe nga një pacient në tjetrin
Megjithatë, kjo ende nuk e shpjegon plotësisht pse kaq shumë njerëz të infektuar me koronavirus kanë vetëm simptoma të buta ose madje nuk kanë simptoma fare, ndërsa të tjerët sëmuren rëndë dhe shumë shpejt.
"Ne ende nuk e kemi kuptuar plotësisht këtë gjendje, është e habitshme", pranon Ron Daniels, duke theksuar se edhe në kujdesin intensiv, pacientët prantohen në mënyra të ndryshme. "Ne mund të kemi një pacient në të 70-at, i cili ka izoluar insuficiencën e frymëmarrjes dhe thjesht ka nevojë për pak ndihmë me një ventilator. Dhe mund të kemi një pacient në të 20-tat, organet e të cilit i humbasin funksionet shumë shpejt."
Në mungesë të provës bindëse, shumë teori po diskutohen, bazuar në vëzhgimin e pacientëve, dhe shumë kërkime po bëhen. Shumë mjekë të ICU mendojnë se ka shumë të ngjarë që gjenetika të luajë rol në disa njerëz që sëmuren rëndë me Covid-19, por ende nuk mund ta thonë me siguri.
"Mund të jetë pjesërisht përgjegjëse për efektin joproporcional që ka pasur te njerëzit me origjinë afrikane dhe aziatike," thotë Ron Daniels. "Mund të jetë gjithashtu përgjegjëse për ndryshimet në mënyrën si reagojnë individët."
Është e mundur, për shembull, që variacioni gjenetik që ju bën më të ndjeshëm ndaj presionit të lartë të gjakut ose diabeti, njëkohësisht ju bën më të ndjeshëm edhe ndaj virusit.
Një teori kryesore përqendrohet në ACE-2, një proteinë e cila vendoset në sipërfaqen e disa lloj qelizash dhe ndihmon në rregullimin e presionit të gjakut. Pikërisht ACE-2-shin, koronavirusi e përdor për të hyrë në trup dhe për të infektuar qelizat e shëndetshme. Disa njerëz mund të jenë të predispozuar gjenetikisht për të pasur më shumë receptorë ACE-2 në trupin e tyre, dhe për këtë arsye mund të kenë më shumë gjasa të sëmuren rëndë me Covid-19.
Prova të tjera për të mbështetur këtë teori mund të gjenden te pacientët me sëmundje të rëndë që zhvillojnë probleme me zorrën, gjë që sugjeron se virusi mund të sulmojë gjithashtu traktin e poshtëm të tretjes, ku ka mjaft receptorë ACE-2. Duket se ACE-2 është gjithashtu përgjegjës për incidencën e lartë të mosfunksionimit të veshkave.
Tani për tani, ka po aq pyetje sa përgjigje.
Barbara Miles thotë se përballja me Covid-19 ka qenë kurba më e madhe e të mësuarit në karrierën e saj. "Ne do të donim të dinim më shumë rreth asaj se si ta trajtojmë dhe parandalojmë mpiksjen e gjakut në këta pacientë - cili është trajtimi optimal për t'u përpjekur t'i parandalojmë ato dhe trajtimi optimal nëse ato ndodhin", thotë ajo.
Arritja e ekuilibrit të duhur midis llojeve të ndryshme të ilaçeve është absolutisht thelbësore - përpjekja për të zgjidhur një problem ndonjëherë mund të krijojë një tjetër. "Ne me të vërtetë nuk e dimë saktësisht se sa terapi duhet dhënë dhe për sa kohë ta japim atë. Por shpresojmë ta mësojmë kur të fitojmë më shumë përvojë për këtë gjendje."
Provat klinike
Përgjigje të ngjashme lindin për një seri pyetjesh që u lindin mjekëve, edhe pse numri i pacientëve në kujdes intensiv ka rënë përsëri:
Kur është koha e duhur për t’i vënë në ventilim mekanik pacientët me Covid-19?
Cilat mund të jenë ilaçet më të mira antivirale për t'u përdorur, dhe cila mund të jetë doza e duhur e barnave anti-inflamatore ose imunosurpesore?
A mund të jetë ideja e përdorimit të plazmës konvaleshente - antitrupa nga gjaku i pacientëve që janë rikuperuar - të jetë pjesë e zgjidhjes?
"Ne kemi raporte të shumta anekdotikeqë thonë se kjo funksionon ose ajo funksionon", thotë Danny McAuley. "Dhe me të vërtetë mënyra e vetme për të ditur përgjigjen e saktë për këtë sëmundje të re është të bësh prova të mëdha klinike gjatë muajve të ardhshëm." Një numër i madh provash të tilla tashmë po bëhen - ka 41 studime 'me përparësi kombëtare' që financohen vetëm në Britaninë e Madhe - pasi mjekët përgatiten për mundësinë e kthimit të virusit në valë të dytë.
Mjekët e dinë që mosfunksionimi i mushkërive ka qenë shkaku më i madh i vdekjeve të Covid në kujdesin intensiv, por nuk është i vetmi. Kjo do të thotë se ajo që është bërë në të kaluarën, jo gjithmonë mund të jetë gjëja e duhur për të bërë për këtë sëmundje të veçantë.
"Ka qenë pothuajse mesjetare," thotë Beverley Hunt ndërsa përshkruan sfidat e tre muajve të fundit. Mjekëve më të mirë u është dashur të bëjnë supozime në lidhje me një sëmundje që nuk e kanë hasur kurrë më parë. Për shumicën e kohës, atyre u është dashur ta bazojnë përdorimin e ilaçit të tyre në vëzhgim, sesa në njohuri të marra nga eksperimentet e mëparshme dhe të dhënat ekzistuese.
Dhe një nga sfidat më të mëdha klinike në trajtimin e Covid-19 në të ardhmen është përmirësimi i rezultatit për pacientët e pranuar në kujdesin intensiv.
"Ne kemi mësuar një gjë të tmerrshme dhe puna në ekip ka qenë e mahnitshme, por unë kam luftuar", thotë Anthony Gordon, i cili ka punuar në reparte të kujdesit intensiv për më shumë se 20 vjet. "Ndonjëherë kam shkuar në shtëpi duke menduar se nuk e di nëse ajo që kisha bërë ishte gjëja e duhur”.
"Ne na është dashur të mësojmë brenda disa muajsh atë që kemi mësuar për qindra vite për sëmundje të tjera, dhe kjo ka qenë një sfidë e vërtetë."
BBC / TvT
Përktheu: Gazmira Sokoli
Add new comment