CoVid-19, askush nuk di gjë me siguri
Mediat e shumta raportojnë thuajse përditë për studime dhe ilaçe të ndryshme kundër koronavirusit. Kundërthënia e studimeve klinike për këtë virus është kaq e madhe saqë ngjan se trajtimi i ndjekur në valën e parë të ketë qenë një eksperiment mbi njerëzit. P.sh sipas mediave “një studim thotë” se përdorimi i hidroksilklorokinës për trajtimin e pacientëve me CoVid-19 rrit shkallën e vdekshmërisë, por jo kur alternohet me antibiotik. Shkaku: Zemra. Çështja është se si ka mundësi që një medikament antimalarik trajtohet në këtë qasje kur efekti anësor i tij te zemra është i përshkruar prej kohësh?
Studimi në fjalë nuk thotë asgjë përfundimtare por vetëm apelon që përdorimi i këtij medikamenti të mos aplikohet më derisa studime të mëtejeshme të japin vlerësime më të mira. Vetë ky apel është irritues kur sheh se megjithë angazhimin e madh për trajtimin e sëmundjes nuk ka një përfundim shkencor që të kënaqë logjikën.
Lajme jo të mira vijnë edhe nga puna për vaksinën. Sekretari britanik për Shëndetësinë, Matt Hancock ka deklaruar së fundmi se “Mbretëria e Bashkuar ka investuar gjithçka për vaksinën”, teksa kjo mësymje e shkencës ngjan e ridikulizuar nga zyrtari kryesor i shëndetësisë, Jonathan Van-Tam, sipas të cilit: Nuk jemi të sigurtë nëse do të kemi një vaksinë.
Pra do të duhet të bashkëjetojmë. Një arsye themelore për pamundësinë e një vaksine është fakti se koronaviruset nuk gjenerojnë një imunitet afatgjatë te pritësi, kështu që vaksina nuk luan ndonjë rol të madh. Te të sëmurët me CoVid-19 u pa se antitrupat IgG që janë përgjegjëse për imunitetin afatgjatë u prodhuan muajin e parë, mandej nisën të zhduken. Njësoj si me të ftohtin e zakonshëm nga i cili mund të prekesh çdo vit.
Në këtë kuptim shkencëtarët po i qasen problemit me shpresë: të shpresojmë se CoVid-19 do të pësojë mutacione dhe do tës illet si viruset stinorë.
Pra nuk do të provokojë më pneumoni. Por sesi mund të ndërtohen politika shëndeti mbi shpresën këtë askush nuk mund ta kuptojë. Çështja është se ne ende sot nuk e dimë në mënyrë të qartë se çfarë do të thotë ta zëmë një valë e dytë epidemike në terma mortaliteti dhe përhapjeje. Dhe që këtu besimi te shkenca nis e lëkundet.
Ne nuk e kuptojmë fatin e këtij virusi. Do të vazhdojë të qarkullojë pas pandemisë së parë? Apo do të zhduket dhe bëhet më pak virulent si pandemitë e tjere? Nuk e dimë
citohet David Heymann i OBSH-së.
Add new comment