Teatri u shemb. Nis teatri i protestave
Prishja e godinës së Teatrit Kombëtar e ka vrarë arsyen e protestës qytetare që është zëvendësuar nga protesta e partive politike. E cila është e destinuar të dështojë.
Në përgjithësi opozitat e besueshme u bashkohen apo udhëheqin kauzat qytetare duke katalizuar ndryshimin politik të mundshëm. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Opozita është shndërruar në dezinfektant i protestës. Vërtet protesta e Teatrit u mbështet me militantë të PD-së, apo LSI-së, por asnjë qytetar i zakonshëm nuk ishte pro saj nisur nga numri i pjesëmarrësve.
Protesta që ka nisur sot opozita është fushatë elektorale dhe nuk ka asnjë lidhje me Teatrin. Ajo po sulet me etjen e parazitit njësoj si në protestën e studentëve dhe si për ironi, njësoj si atëherë edhe sot pati përplasje mes militantëve dhe jomilitantëve.
Opozita po bën çmos të mos humbasë monopolin e protestës sepse ky është grepi i fundit ku ajo mund të varet, pa kuptuar se asnjë qytetar normal nuk e do nëpër këmbë siglën e ndonjë partie, apo të identifikohet me të. Alergjia akute ndaj partive është faturë e tyre.në krye të opozitës së sotme janë miliarderë po aq sa Edi Rama dhe ministrat e tij. Janë në krye njerëz që kanë kënë në baltë këdo, e duke bërë lloj - lloj marifetesh kanë reduktuar nivelin e përfaqësimit duke mos mundur asnjëherë të mishërojnë ap t’i përgjigjen kërkesës së përgjithshme për ndryshim. Kjo është kriza kryesore e gatuar me duart e një njeriu të vetëm më 17 majin e famshëm. Ka shumë apologjetë dhe avokatë të opozitës. Por askush nuk tërheq dot kënd në bindjen e re se e djatha është e djathtë dhe se do bëjë diçka për ta kthyer rrotën e historisë.
Nuk është rastësi që kryeministri e realizoi prishjen më 17 maj, si e si për ta futur aktin kriminal në hullinë e interpretimeve dyshuese për një marrëveshje, ose se marrëveshja qëndron në fuqi.
Ata që mendojnë se situata në shumicë është më e mirë gabohen. Qeveria e tanishme propozoi Rilindjen, por ajo rilindi vetëm emigracionin dhe vrau edhe atë konsensus minimal që ekzistonte te shpresa se pas 2013-ës dicka do të ndodhte për mirë. Kryeministri i sotshëm nuk i intereson të lexojë mesazhin e këtyre lëvizje dhe reagimit që po fermentohet edhe me ikjen masive. Pasi ai ka tjetër axhendë dhe tjetër qëllim. Ai po manovron, dredhon, ofron pazare dhe propagandon çdo lloj gjëje ndërkohë që ka mbështetjen malinje të selive diplomatike për ruajtjen e status quosë. Zoti Rama përfaqëson regresin e plotë në kuptimin se ai nuk solli diçka të re në lëmin e menaxhimitë të interesit publik krahasuar me paraardhësit e tij, pas njësoj si ata ai ka promovuar triumfin e klientelizmit dhe paligjshmërisë. Ai ushqen dhe nxit shpresën dhe perspektivën vetëm për një grusht njerëzish.
Në këtë kuptim nuk ka asgjë për t’u çuditur pse protesta dhe qeverisja janë në vdekje klinike; e para ritual pa mesazh real, pa aftësi mobilizimi, e dyta ritual vjedhjeje dhe abuzimi. Nuk mund të mohojmë këtu rolin narkotizues të mediave që janë megafoni i këtij teatri. Është një kënetë mbushur me bretkosa të zhurmshme dhe mushkonja pa fund, ku nuk ka vend për të tjerë.
Add new comment